Zaçellari: ANIMA, pararojë e botimeve

    Në ambientet e bibliotekës universitare të Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Durrësit u përurua kolana “Anima” botuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”.

    Takimi u moderua nga Dr. Manjola Zaçellari, pedagoge dhe njëherësh bashkëpunëtore e Dukagjinit, e cila u shpreh se puna cilësore e kësaj shtëpie botuese bën që ajo të qëndrojë në pararojë të botimeve, si dhe të luajë një rol dominiues në biznesin e librit.

    Ndërkohë për kolanën Anima ajo u shpreh se vjen si një ftesë për vetëdijësim, për një rikthim te klasikja, tek vlerat që nuk humbasin kurrë, sadoqë prirjet letrare mund të ndryshojnë. Dukagjini, u shpreh ajo, ka meritën për ruajtjen e një standardi të vlerave letrare, duke këmbëngulur fort në kultivimin e shijes së lexuesit.

    E ftuar në këtë përurim ishte dhe Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, e cila foli rreth përkthimit si proces që thyen barrierat gjuhësore, duke vlerësuar në këtë kontekst punën cilësore të shtëpisë botuese Dukagjini, në veçanti për përzgjedhjen e veprave të kolanës Anima.

    I ftuari tjetër, gazetari Aleksandër Çipa diskutoi rreth veprave “Shënimet e një të vdekuri” dhe “Varfanjaku i Zotit”, pjesë e kolanës, edhe në cilësinë e anëtarit të jurisë për çmimet e Panairit të librit 2022, ku “Varfanjaku i Zotit”, mori çmim për përkthimin më të mirë.

    Ndërsa studentja Ornela Sinameta, një lexuese e apasionuar pas letërsisë klasike dhe e lidhur fort me botimet e Dukagjinit, ndau përjetimet e saj për veprat e kolanës.

    Pedagogia e letërsisë, Dr. Drita Isufaj, nga ana tjetër, duke vlerësuar cilësinë e veprave të Dukagjinit, u shpreh e lumtur që libra të tillë janë në dorë të lexuesve të rinj duke bërë edhe një thirrje për t’i afruar sa më shumë të rinjtë te leximi.

    Takimin e përshëndetën edhe profesorët Sejdi Gashi e Naim Berisha, po ashtu bashkëpunëtorë të Dukagjinit, të cilët, në emër të shtëpisë botuese dhuruan disa kolana veprash për bibliotekën e Universitetit të Durrësit.

    Kolana ANIMA e shtëpisë botuese “Dukagjini” është një përmbledhje e librave më të mirë botërorë të letërsisë klasike. E pagëzuar sipas fjalës latine anima, e cila bart një kuptim ambig të shpirtit/frymës dhe të mendjes/racionales (animus), kjo kolanë është ftesë për të dy tipat e lexuesit, atë që preokupohet për përmbajtjen dhe për kënaqësinë estetike dhe atë që e sheh veprën jo vetëm si kënaqësi estetike, por edhe si thellim semiotik. Përfshirja e veprave dhe autorëve në këtë kolanë nuk ndjek një parim kronologjik, por është “një udhëtim nëpër pyjet narrative” të letërsisë së majave, duke sjellë në këtë mënyrë autorë prej vendeve e periudhave të ndryshme, me veprat e tyre më përfaqësuese të njohura botërisht.

    ANIMA, deri më tani, numëron tetë libra të botuar, me autorë si: L. Tolstoj, J. Donoso, N. Leskov, M. de Unamuno, M. Bullgakov, H. James, M. Eliade, N. Kazanxaqis, përkthyer nga Agron Tufa, Bajram Karabolli, Orjela Stafasani, Bashkim Shehu, Maniela Sota dhe Romeo Çollaku.

    Lajmi Paraprak

    Pesë ushqime të lehta që mund t’i konsumoni para gjumit

    Lajmi i rradhës

    Fëmijët të cilët ndihmojnë në punët e shtëpisë janë më të suksesshëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë