1.8 milionë për ujësjellës të ri në Kumanovë

    Përmes Ministrisë së Mjedisit, janë siguruar 1.8 milionë euro për rrjetin e ujësjellësit për banorët e Kumanovës. Si komunë kemi marrë më së shumti mjete në vend për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit. Kështu ka njoftuar deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski, ndërsa ka shtuar se fondet janë siguruar me kredi nga Banka Evropiane e Investimeve. Vlera totale e kredisë për projektet arrin në 50 milionë euro dhe e njëjta do të shlyhet nga Buxheti i Maqedonisë. Përfituesit përfundimtarë të mjeteve nga kredia janë Komunat dhe Qyteti i Shkupit.

    Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, informoi se Ministria do të lidhë marrëveshje për donacion me secilën komunë, ndërsa mjetet do të shpërndahen sipas metodologjisë së përcaktuar për realizimin e investimeve prioritare për ujësjellës, kanalizime, impiante për trajtim dhe pajisje tjera. Sipas vendimit të Qeverisë për shpërndarjen e mjeteve nga kredia e BEI-së, pas marrëveshjes financiare për projektin për përmirësimin e infrastrukturës ujore, secila nga komunat do të merr 200.000 euro në mënyrë të barabartë, ndërsa nga shuma e mbetur 16 milionë euro do të shpërndahen sipas indeksit për zhvillim komunal dhe përqindjes së shpërndarjes sipas rajoneve planifikuese sipas shkallës për periudhën 2018-2023, ndërsa 18 milionë euro të mbetura do të shpërndahen në varësi të numrit të popullsisë në komunat – 70 për qind dhe numri i vendbanimeve – 30 për qind.

    Sipas ministres Shukova, kjo shpërndarje është zhvillimore: 46 komuna do të marrin mjete nga gjysmë deri në 1 milion euro, 28 komuna do të marrin mjete nën 500 mijë euro, ndërsa gjashtë komuna (7 për qind e numrit të përgjithshëm të komunave) do të marrin më shumë se një milionë euro. Komunat tashmë kanë dorëzuar një listë me gjithsej 373 projekte të propozuara. Rajoni Verilindor ka të paktën 20 projekte, Rajoni i Shkupit ka paraqitur më së shumti – 67 projekte, Rajoni i Vardarit 64, ai Lindor dhe Jugperëndimor nga 50, Rajoni i Pollogut 46, ai Juglindor 40 dhe Pellagonia me 36 projekte. Ministrja Shukova po ashtu bëri të ditur se në periudhën e ardhshme është planifikuar të mbahen punëtori me komunat për të shpjeguar procesin dhe trajnimet për plotësimin e pyetësorëve të projektit. Gjithashtu, Njësia e Zbatimit të Projektit dhe Konsulenti do të punojnë për përgatitjen e dosjeve të tenderit për secilën nga komunat. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Deputeti i LSDM-së fotografohet duke luajtur në celular gjatë fjalimit të Kovaçevskit

    Lajmi i rradhës

    Xhaferi ndërpret seancën, deputetët e VMRO-DPMNE-së të revoltuar fillojnë të bërtasin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë