14 vite e martuar në Kumanovë, vazhdon të mos ketë shtetësi

    Fidrije Dalipi, shtetase e Kosovës e cila për 14 vite është e martuar në Kumanovë vazhdon të mos ketë shtetësi. Sipas saj, refuzimi që i është bërë nga Agjencia për Siguri Kombëtare ka të bëjë me kualifikim se ajo përbën rrezik për shtetit.

    “Unë nuk e di se çfarë i kam bërë këtij shteti. Se 14 vite jam e martuar. Burri im punon në administratë shtetërore. Nuk e di çfarë kam bërë. Nuk kam asnjë problem. Udhëtoj çdo javë në Kosovë ndërsa disa herë kam udhëtuar edhe nëpër Evropë, si Gjermani dhe vende tjera dhe kurrë nuk kam pasur problem, as unë dhe as familja ime. Nuk e di pse më kanë llogaritur mua si të rrezikshme. Me mbulesë kam ardhur nga Kosova dhe kështu jam gjithmonë dhe asnjëherë nuk më kanë bërë problem”, tha Fidrije Dalipi.

    Islam Dalipi thotë se për bashkëshorten e tij është shpifur pasi në raportin operativ është potencuar se e njëjta mban ferexhe. Ai thotë se ka dy vendime të Gjykatës Administrative me të cilët i jepet e drejta zonjës Fidrije Dalipi për shtetësi, por që institucionet nuk i marrin në konsideratë.

    Sipas Islamit aplikimi i fundit për shtetësi rezulton në janar të vitit 2021, për të cilin akoma nuk ka përgjigje.

    “Deri tani është refuzuar katër herë, ndërsa arsyet janë të njëjtat, dallojnë vetëm datat, pra e rrezikshme për shtetin. Bëhet fjalë për shpifje, pra për ferexhenë. Këtë e kanë konstatuar edhe zyrtarë të MPB-së të cilët kanë thënë se kjo ka ekzistuar deri në vitin 2022 dhe tashmë është heq nga raportet”, tha Islam Dalipi.

    Agjencia për Siguri Kombëtare njofton për Alsat se lënda në fjalë është në fazën përfundimtare.

    “Kemi bërë verifikimet e duhura nga të cilat është konstatuar se përpunimi i lëndës në fjalë (kërkesës për shtetësi) është në fazën përfundimtare. Pas përfundimit të procedurës, palët e përfshirë në këtë lënë do të njoftohen në kohë”, thonë nga Agjencia për Siguri Kombëtare

    Nga Ministria e Brendshme thanë se procedurat administrative janë tejkaluar dhe se shtetësia për zonjën Dalipi do të procedohet menjëherë pas pëlqimit të mundshëm nga Agjencia për Siguri Kombëtare. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    KF Shkupi zyrtarisht kampion në Maqedoni

    Lajmi i rradhës

    Afrim Gashi rizgjidhet kryetar i Alternativës | “Nuk do t’i zhgënjej aktivistët e Alternativës”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë