Pesëmbëdhjetë persona të lënduar u trajtuan në dy klinika pas stuhisë që goditi Shkupin të martën pasdite. Nëntë prej tyre u pranuan në Klinikën Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion, Kujdes Intensiv dhe Qendrën e Emergjencës (TOARILUC), ndërsa gjashtë të tjerë në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum Ohridski”, përcjell Nistori.
Drejtori i Klinikës TOARILUC, prof. dr. Igor Merxhanoski, deklaroi se nga nëntë të lënduarit, dy kanë pësuar lëndime më të rënda. Një grua me lëndim në kokë është shtruar në Repartin e Neurokirurgjisë, ndërsa një paciente tjetër ka pësuar thyerje të krahut.
Sa i përket gjashtë të lënduarve të pranuar në Klinikën për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum Ohridski”, drejtori i këtij institucioni, dr. Nebojsha Nastov, tha se ata kanë pësuar prerje dhe mavijosje dhe po trajtohen në mënyrë ambulatore. Ai bëri të ditur se tre prej tyre janë liruar për në shtëpi pas ekzaminimit, ndërsa tre të tjerë vazhdojnë të jenë në proces të ekzaminimeve.
“Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme. Për momentin, nuk ka indikacione se do të kenë nevojë për trajtim të mëtejshëm spitalor. Një pacient u lëndua pasi u godit nga një pemë e rrëzuar dhe degët e saj, një tjetër nga një llamarinë që u shkëput nga çatia e një objekti, ndërsa një person u lëndua nga pllakat që ranë”, deklaroi dr. Nastov.
Ndërkohë, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, dr. Sinisha Stojanoski, bëri të ditur se në këtë spital nuk janë pranuar persona të lënduar si pasojë e stuhisë, por se objekti ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
“Nuk mund ta përcaktojmë ende shkallën e saktë të dëmit. Nevojitet një inspektim i plotë në terren dhe një raport zyrtar nga institucionet kompetente. Sipas vlerësimit fillestar, dëmet më të mëdha janë në çati dhe në strukturën mbajtëse të saj”, tha dr. Stojanoski. /Nistori/






