Nëse një qytetar kërkon informacion nga një institucion shtetëror dhe nuk e merr atë, ai mund të paraqesë ankesë në Agjencinë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionin Publik, institucioni i vetëm përgjegjës për mbrojtjen e kësaj të drejte, shkruan Prizma, përcjell Nistori.
Deri më tani, mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për paraqitjen e një ankese ishte përmes postës elektronike (e-mail).
Megjithatë, prej disa javësh, çdo ankesë e dërguar me e-mail duhet të jetë e pajisur me nënshkrim elektronik, i cili kushton nga 2.000 deri në 4.000 denarë në vit. Me fjalë të tjera, kushdo që dëshiron të ankohet duhet ose të blejë një nënshkrim elektronik për ta vërtetuar ankesën, ose ta dërgojë atë me postë, duke paguar shpenzimet përkatëse.
Sipas bashkëbiseduesve të BIRN-it, kjo krijon një pengesë për qasjen në informacion dhe cenon të drejtën kushtetuese për qasje të lirë në informacion.
Agjencia e arsyeton këtë praktikë me një dispozitë të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative të vitit 2015, duke pretenduar se kushdo që komunikon elektronikisht me një organ shtetëror duhet të përdorë nënshkrim elektronik.
Kjo do të thotë se, para se të shqyrtojë përmbajtjen e ankesës, Agjencia fillimisht kontrollon nëse ajo është e pajisur me nënshkrim elektronik.
German Filkov nga Qendra për Komunikime Qytetare, njëherazi një nga autorët e Ligjit për Qasje të Lirë në Informacionin Publik, shprehet i habitur nga kjo praktikë.
“Pa hyrë në arsyet pse po ndërmerren këta hapa, besoj se ata e pengojnë qasjen e lirë në informacionin publik në vend.”
Sipas tij, Agjencia duhet të kërkojë mënyra për ta bërë qasjen në informacion sa më të lehtë dhe më gjithëpërfshirëse për qytetarët dhe palët e interesuara, e jo të krijojë pengesa për ushtrimin e kësaj të drejte.
“Shpresoj që këto praktika të mos kenë lidhje me ndonjë (mos)funksionim të mëparshëm, jo fort të pëlqyer, të Agjencisë”, thotë ai. Ai pret që këto “zgjidhje të përkohshme dhe fatkeqësisht të zgjedhura” të hiqen sapo të bëhet e qartë se ato po dëmtojnë qasjen në informacionin publik.
Në vend që të vendosë pengesa të reja, Filkov pret që Agjencia të merret me arsyet pse shumë institucione, nga ministritë deri te komunat, po dështojnë gjithnjë e më shpesh t’u përgjigjen kërkesave për qasje të lirë në informacion.
Me këtë qëndrim përputhen edhe gjetjet e raportit të fundit të Komisionit Evropian për Sundimin e Ligjit, ku theksohet se disa institucione refuzojnë kërkesat për qasje të lirë në informacion për arsye arbitrare ose e vonojnë tej mase publikimin e informacionit.
Analiza e BIRN-it tregon se vitin e kaluar numri i ankesave ndaj Agjencisë për shkak të heshtjes së administratës ose mosdhënies së përgjigjeve është dyfishuar. Mbi gjysma e ankesave të paraqitura gjatë vitit të kaluar janë dorëzuar nga qytetarët.
Agjencia po e keqinterpreton ligjin
Sipas profesorëve dhe ekspertëve me të cilët bisedoi BIRN-i, Agjencia jo vetëm që po e keqinterpreton Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, i cili rregullon kryesisht komunikimin ndërmjet institucioneve, por po krijon edhe një precedent të rrezikshëm që mund t’i nxisë institucionet të refuzojnë kërkesat e qytetarëve.
“Kjo është e papranueshme”, thotë profesori universitar Borçe Davitkovski, një nga autorët e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, të cilit i referohet Agjencia.
“Qytetarit i mohohet e drejta e tij. Ata nuk kanë të drejtë ta refuzojnë ankesën për mungesë të nënshkrimit elektronik”, thekson ai. Sipas Davitkovskit, ligji ekziston për t’u ardhur në ndihmë palëve. “Ata nuk duhet të sillen si burokratë. Duhet ta pranojnë ankesën.”
Ai shton se komunikimi elektronik përmes e-mailit është një nga format e parashikuara të komunikimit ndërmjet institucioneve publike dhe palëve, duke kujtuar se Agjencia për vite me radhë ka pranuar dhe shqyrtuar ankesa të dërguara në këtë mënyrë.
Në vitin 2024, në Regjistrin e Vetëm Kombëtar të Rregulloreve (ENER) u publikuan ndryshime në Ligjin për Qasje të Lirë në Informacionin Publik, të cilat synonin rritjen e transparencës. Megjithatë, pothuajse dy vjet më vonë, ato ende nuk janë miratuar.
Profesori iu referua edhe Ligjit për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara, sipas të cilit çdo dokument i shtypur dhe më pas i skanuar në formë elektronike ka të njëjtën fuqi provuese si dokumenti në letër.
Të njëjtin qëndrim ndan edhe Konstantin Bitrakov, profesor asistent i së drejtës administrative dhe administratës publike në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup.
Sipas tij, veprimet e Agjencisë bien ndesh me misionin e saj për të mbrojtur të drejtën e qasjes së lirë në informacionin publik. Për më tepër, siç thotë ai, “këto veprime janë kontradiktore dhe në fund të fundit bien ndesh me rregullat e procedurës administrative”.
“Duke refuzuar ankesat për shkak të shpjegimeve të pajustifikuara për disa parregullsi – në rastet kur është e qartë kush është ankuesi, çfarë kërkon dhe pse paraqet ankesë – Agjencia jo vetëm që nuk e mbron të drejtën për qasje të lirë në informacion, por krijon edhe një shembull negativ për institucionet, ndaj vendimeve të të cilave ajo duhet të vendosë si organ i shkallës së dytë”, vlerëson Bitrakov.
Sipas tij, dispozitat e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative kërkojnë që zyrtarët e institucioneve të vendosin nënshkrimin e tyre, qoftë me dorë apo elektronik, vetëm kur nxjerrin një akt administrativ, si vendim, licencë, urdhër ose akt tjetër administrativ.
Megjithatë, kjo nuk vlen për qytetarët kur paraqesin ankesë.
Juristët këshillojnë padi kundër Agjencisë
Në komunikimin fillestar me Agjencinë, lidhur me refuzimin e një ankese të BIRN-it për mungesë të nënshkrimit elektronik, institucioni deklaroi se praktika e re u vendos pas udhëzimeve të Inspektoratit Shtetëror Administrativ.
Megjithatë, vetë Inspektorati u përgjigj se, përveç një takimi pune me Agjencinë, nuk ka nxjerrë asnjë akt me shkrim, vendim apo masë që do ta detyronte institucionin të vepronte në këtë mënyrë.
Disa avokatë me të cilët bisedoi BIRN-i rekomandojnë që qytetarët dhe personat juridikë, ankesat e të cilëve janë refuzuar për shkak të mungesës së nënshkrimit elektronik, të ngrenë padi në Gjykatën Administrative brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit për refuzimin e ankesës.
Drejtuesit e rinj të Agjencisë u zgjodhën në prill të këtij viti, pasi institucioni kishte mbetur për disa muaj pa drejtim, për shkak të përfundimit të mandatit të drejtoreshës së mëparshme dhe zgjedhjes së zëvendëses së saj si këshilltare komunale.
Zgjedhja e drejtuesve të rinj u vonua në Kuvend, duke bërë që qindra ankesa të mbeteshin të pashqyrtuara, pasi nuk kishte kush t’i nënshkruante vendimet.
Pas emërimit, drejtori i ri, Petar Gajdov, deklaroi në një intervistë për BIRN-in: “Ne, si institucione, jemi të orientuar drejt ofrimit të shërbimeve për qytetarët.”






