168 autobusë dhe furgona në RMV transportojnë udhëtarë, të cilët nuk kanë leje dhe licencë

    Fotografia është ilustruese

    Dy javë pas aksidentit të autobusit në Bullgari ku humbën jetën 45 persona, Inspektorati Shtetëror i Transportit nuk ka arritur ende të hyjë në kompaninë Besa Trans, për të kryer kontroll të jashtëzakonshëm. Arsyetimi është se pronari i kompanisë, Bekim Haxhiu nuk ka qenë këtu.

    “Zyrat zyrtare të Besa Transit janë mbyllur. Nuk kishte njeri atje. Kemi dorëzuar njoftim në përputhje me Ligjin për Inspektim, në të cilin kemi përcaktuar datën se kur duhet të bëjmë mbikëqyrjen”- deklaroi Rufat Huseini, drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Transportit.

    Për lëshimet gjatë kalimit të kufirit të autobusit, Drejtoria e Doganave vazhdon të kryejë kontrolle shtesë. Drejtoresha e Doganës, Sllavica Kutirov, pohon se nga kontrollet e mëparshme autobusi i kishte të gjitha dokumentet e nevojshme për t’u larguar nga vendi. Megjithatë, ajo shtoi se doganierët nuk mund të verifikonin vërtetësinë e tyre sepse nuk kishte regjistër të tillë të centralizuar.

     “Në nivel vjetor kemi nxjerrë një të dhënë për mbi 30 mijë evidentime. Pra, nuk bëhet fjalë për mospasjen e kontrollit ose evidencës nga ana e drejtorisë së doganave. Por, duke pas parasysh se kemi procedura të qarta, çfarë duhet të bëhet në çdo hap dhe se në ato procedura kemi një mosveprim të caktuar për autobusin konkret, u shqiptuan ato masa”- pohoi Sllavica Kutirov, U.D drejtore e doganës.

    Dogana deri më tani ka pezulluar nga puna dy doganierë dhe ka gjobitur udhëheqësin e tyre. Pikëpamjet për rastin e autobusit të kompanisë “Besa Trans” u shprehën në debatin për rrezikun e korrupsionit në nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme në fushën e transportit, i organizuar nga Komisioni kundër korrupsionit. Në të u tha edhe një informatë tjetër, se në vend të paktën 168 autobusë dhe fugonë transportojnë pasagjerë nëpër rrugët e shtetit, për të cilat nuk kanë as leje e as licencë. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    Sela: Hyrja e Alternativës në qeveri, perversitet politik

    Lajmi i rradhës

    Jankullovska sot u ul në karrigen e të akuzuarit për parcelat në Vodno

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë