20 VITE PUNË PËR NJË BANESË OSE DY RROGA PËR NJË METËR KATRORË

    Një pjesë e madhe e banorëve të Shkupit, por edhe qyteteve të tjera më të mëdha në Maqedoninë e Veriut e kanë mjaft të vështirë që të sigurojnë pronësinë e kulmit mbi kokë. Pagat e tyre të ulëta karshi nevojave mujore dhe mundësia apo pamundësia që të paguajnë këstin mujor të kredisë banesore si dhe të sigurojnë edhe një pjesë të pjesëmarrjes në kredi, dikton edhe kohëzgjatjen e kredisë banesore.

    Në Maqedoninë e Veriut për blerjen e një banese prej 60 metër katror me një çmim prej 1000 euro që kushton 60 mijë euro nevojiten 10 vite duke marrë parasysh pagën mesatare në shtet prej afër 30 mijë denarë, apo 500 euro. Kjo me kusht që një pagë mesatare të mos harxhohet për asnjë nevojë tjetër jetësore, përves së për pagesën e kredisë. Mirëpo në praktikë, këstet e kredive banesore luhaten prej 200 deri 300 euro, për një amvisëri që ka mundësi materiale që t’i paguajë ato për çdo muaj.

    Nga ana tjetër, bankat bashkëpunojnë edhe me kompanitë ndërtimore për ofrimin e kredive banesore. Mirëpo, duhet llogaritur se edhe kamatat e bankave për kreditë nuk janë të vogla.

    Përllogaritja informative që shërben si orientim në një nga ueb faqet e bankave tregon se për një kredi me vlerë prej 60 mijë euro me periudhë të kthimit prej 20 vitesh, me kamatë fikse prej afër 3 për qind, për çdo muaj do të paguani 342 euro. Në fund së bashku me kamatat do të paguani përskaj kredisë themelore, shumën përfundimtare prej afër 82 mijë euro. Mirëpo në shumicën e rasteve, kredi marrësit marrin pjesë me mjetet e tyre vetanake prej në mesatare 20 për qind apo edhe më pak apo edhe më shumë, kështu që edhe pagesa e kësti mujor, mund të variojë prej 12 deri në 18 mijë denarë.

    Të dhënat statistikore tregojnë se një metër katror i banesës në Shkup, kushton sa dy paga mesatare, ndërsa në varësi prej vendndodhjes apo lokacionit, çmimi i banesës mund të jetë edhe më i shtrenjtë.

    Në ndërkohë analizat e kompanisë Deloitte Property Index 2022 që përfshin 23 vende, dhe sipas llogaritjeve nga raporti i të ardhurave bruto vjetore dhe çmimit, tregojnë se për të blerë pasuri të paluajtshme, çekët duhet të punojnë më gjatë, apo 13.3 vjet.

    Kjo është pothuajse katër herë më shumë se irlandezët, të cilëve u duhen pak më shumë se tre vjet. Banorët e Sllovakisë kanë nevojë për 12.76 paga vjetore, ata në Serbi 11.5 vjet. Në Norvegji, ju mund të blini një pronë të re me të ardhura mesatare prej 4.4 vjet, dhe në Belgjikë për 4.5 vjet.

    “Tregu i pasurive të paluajtshme konsiderohet si një barometër i ekonomisë, duke u ndikuar nga disa faktorë, si disponueshmëria e tokës për zhvillimet e pasurive të paluajtshme, furnizimi me lëndë të parë dhe produkte të tjera, kostot e ndërtimit, tregu i energjisë etj., por edhe nga fuqia blerëse e popullsisë dhe nga kushtet e financimit. Këtë vit, një faktor i rëndësishëm do të jetë aksesi dhe kostoja e kredisë, e ndikuar fuqimisht nga inflacioni”, thotë Alexandra Smedoiu, Partner, Deloitte Rumania dhe Drejtuese e Industrisë së Pasurive të Paluajtshme.

    Nga ana tjetër, çmimi i patundshmërive në vend ka vazhduar të rritet edhe në tremujorin e dytë të këtij viti me një shtrenjtim vjetor prej 16.5 për qind dhe shtrenjtim tremujor apo në periudhën prill-qershor për 6.8 për qind, tregojnë të dhënat statistikore. Gjithashtu, përllogaritjet e kompanisë konsulente për patundshmëri Forton MKA, të publikuara në fund të qershorit të këtij viti, tregojnë se çmimi mesatar për metër katror të hapësirës për banim në Shkup është rritur për 20 për qind në tre vitet e fundit.

    Blerja e banesës edhe në kushtet kur çmimet për metër katror po rriten, por edhe kamatat e kredive, aktualisht është investimi më i sigurt për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Këtë e tregon analiza e kompanisë konsulente komerciale të pasurive të paluajtshme FORTON.

    Rritja e çmimit vjen si pasojë e rritjes së kostos gjatë ndërtimit dhe ekspertët mendojnë se nuk ka gjasa që çmimi për metër katror të vazhdojë të rritet në mënyrë drastike, por edhe të ulet. Shtrenjtimi vjen si pasojë e disa faktorëve, përderisa edhe pandemia ka shkaktuar probleme të mëdha në industrinë e ndërtimit, thonë nga Shoqata e Ndërtimit, industria e materialeve të ndërtimit dhe jometaleve, pranë Odës ekonomike të Maqedonisë.

    Rritja e çmimeve të banesave vjen si pasojë e efekteve të shumëllojshme në ndërtim dhe mbi të gjitha rritjes drastike të çmimeve të materialeve të ndërtimit. Çmimet e profileve dhe tubave të çelikut, lëndës drusore, materialeve termoizoluese, betonit, kanë shënuar një rritje drastike që në disa prej këtyre materialeve ka arritur në mbi 200 për qind në dy vitet e fundit. Rritje shënuan edhe kostot e punës, energjisë dhe shërbimeve, e cila është reflektuar në kostot totale dhe rrjedhimisht edhe në çmimet e apartamenteve.

    Nga ana shtojnë se rritja e madhe e çmimeve të materialeve ndërtimore, mungesa e fuqisë punëtore në ndërtimtari që po ik jashtë dhe po rrit koston e saj për kompanitë ndërtimore në vend, ndalesa për ndërtimin në disa komuna atraktive në Shkup, si dhe vonesat e miratimit të planeve urbanistike vlerësohet të jenë ndër shkaktarët kryesor të rritjes së çmimit të një metri katror për banim.

    “Po rritet kërkesa për patundshmëri për shkak se po tregohet se ato janë një investim i sigurt në kohën e pandemisë. Njëherësh një investim i tillë sidomos në kohën e inflacionit të heshtur, krijon vlerë të shtuar, andaj presim që kërkesa të rritet edhe më tej dhe patundshmëritë të jenë atraktive edhe në periudhën e ardhshme“, thonë nga Oda e ndërtimtarisë pranë Odës ekonomike të Maqedonisë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Sot fillon greva tre ditore e mjekëve amë, nuk do të ketë kontrolle dhe receta

    Lajmi i rradhës

    Bie vlera e euros në tregjet aziatike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë