68% e qytetarëve në RMV nuk u besojnë institucioneve se mund t’i mbrojnë nga diskriminimi

    Qytetarët nuk u besojnë institucioneve se mund ti mbrojnë nga diskriminimi. Avokati i Popullit Naser Ziberi, thotë se anketat e fundit tregojnë se 68% e qytetarëve nuk kanë besim se pas dorëzimit të parashtresave për diskriminim, institucionet përkatëse shtetërore siç është edhe Komisioni për mbrojtje nga diskriminimit, por edhe Zyrat e Avokatit të Popullit, do ti zgjidhin problemet e tyre.

    “Madje 83% e qytetarëve të anketuar thonë se janë të diskriminuar në baza të ndryshme në qasje para institucioneve publike. Sigurisht që këto janë të dhëna që duhet të na motivojnë më tepër qoftë Qeverinë, parlamentin, institucionet tjera ose neve si institucione nacionale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

    Por, kryetari i Komisionit për mbrojtje nga Diskriminimi, Igor Jadrovski thotë se ballafaqohen me shumë pengesa në punën e tyre. Ai thotë se Komisioni ka vetëm 5 nga 7 anëtarët që duhet të ketë me ligj, sepse dy të tjerët nuk janë zgjedhur nga Kuvendit për shkak të mungesës së vullnetit politik. Jadrovski shton se në ndryshimet e reja ligjore për Mbrojtjen nga Diskriminimi, patjetër duhet të mundësohet pavarësia financiare e Komisionit.

    “Me këtë nënkuptojmë pavarësi të shpenzimit të mjeteve tona, pa pasur intervenimin nga asnjë organ dhe këtë e bëjmë me qëllim që pa pengesa ta bëjmë punën tonë. Duhet ta keni parasysh se marrja e një miratimi të thjeshtë nga Ministria e Financave për vend pune që e keni në sistematizim, sistematizim që është i pranuar, punësim për të cilin keni para në buxhet, mund të zgjasë rreth një vit”, tha Igor Jadrovski, Komisioni për Anti Diskriminim.

    Elena Koçovska nga Shoqata e personave me handikap thotë se diskriminuesi më i madh i tyre është vetë kushtetuta e vendit. Ajo thekson se ka mungesë të koordinimit mes vet institucioneve si dhe me qytetarët, pasi  edhe ligjet miratohen pa u konsultuar qytetarët e prekur.

    “Kur flasim për bashkësinë me handikap, e dimë se është pakicë më e madhe si në BE ashtu edhe në shtetin tonë. Sipas anketës së vitit 2017, 31% e popullsisë në vend janë pjesë e bashkësisë me handikap, gjithsesi aty nuk janë inkuadruar ata me handikap intelektual dhe psiko-social, por ku dhe në çfarë mënyre,” deklaroi Elena Koçoska, Polio plus.

    Duke folur në projektin për “Situatat dhe praktikat për tu përballur me rastet e diskriminimit”, Ambasadori i BE-së Dejvid Gir, theksoi se çdo reformë në këtë drejtim, duhet të përshpejtohet dhe të harmonizohet sa më mirë me standardet e BE-së. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Lewandowski mendon ta mbyllë karrierën te Barcelona

    Lajmi i rradhës

    Si ndikon klori i pishinave në trupin tuaj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë