8 VITE ASNJË LËNDË ME EPILOG GJYQËSORË!

    Argumenti se ndryshimet në Kodin Penal nuk kanë faj për vjetrimit e lëndëve të PSP-së, sepse nuk arritën të dilnin në përfundim as në 8 vite, nuk resht së bërë bujë në opinionin vendas. Ekziston dyshimi se po zhvillohet një treg skandaloz – shkëmbimi i mosndëshkimit për qëllime politike dhe elektorale, por qeveritarët e mohojnë fuqimisht këtë.

    “Asnjë nga rastet më të mëdha të PSP-së, tetë vite nga themelimi e deri më sot, nuk ka përfunduar dhe tani thonë se do të vjetrohen sepse edhe parashkrimi që lidhet me dënimin më të madh me kusht është në rënie. Pra, çfarë po bëni tash tetë vjet, pse nuk jeni dënuar? Tetë vjet nuk mjaftojnë. Pra, deri kur t’i lëmë të gjykojnë, edhe 28 vjet të tjera?”, pyeti së fundmi kreu i shtetit Stevo Pendarovski. Ai e ka treguar këtë në dy raste në intervista televizive, pikërisht në kuadër të vërejtjeve se ndryshimet e fundit në Kodin Penal (të cilin ai e ka firmosur) sjellin vjetrimin e lëndëve të PSP-së.

    Burime nga Prokuroria thonë se aty ka zhgënjim për këto dhe vlerësime të ngjashme, por edhe se e gjithë kjo mund të rezultojë me largimin e një pjese të stafit të prokurorisë për t’iu bashkuar avokaturës. Ata gjithashtu theksojnë se shumë shpejt do të tregohet se cili argument ka qenë i saktë.

    MANDAT ME OBSTRUKSIONE

    Si ishin ato 8 vite? Për “mirëseardhje”, ndodhi një sulm hakeri në emailin e PSP-së, i cili ishte edhe sulmi “më i madh” ndaj institucionit. Pjesa e vështirë erdhi pas kësaj. Menjëherë pas themelimit të PSP-së, ajo u përball me pengesa nga institucionet e prekura nga hetimi (DKS, Ministria e Punëve të Brendshme dhe të tjera), gjë që u konstatua edhe në Raportin e Komisionit Evropian në vitin 2016. Përkundër kësaj, në afatin ligjor prej 18 muajsh, PSP ka dorëzuar 17 aktakuza për 18 raste ndaj 94 personave fizikë dhe 7 personave juridikë. Pasoi një periudhë e dominuar nga të gjitha mjetet e mundshme (të lejuara ligjërisht) të mbrojtjes për një sërë shtyrjesh të seancave. Dhe kur u duk se ato opsione po mbaronin, ndodhi pandemia e virusit korona, e cila e ngadalësoi edhe më shumë procesin. Dhe pak muaj para fillimit të pandemisë, goditja më e madhe ndaj PSP-së erdhi nga shefja e saj Katica Janeva. E akuzuar për çështjen “Reket”, ajo përfundoi me burg më shpejt se ata të që i ndiqte PSP. PSP u shuajt më 30 qershor 2020, kohë në të cilën ishin ngritur gjithsej 22 akuza dhe ishin hapur dhjetëra hetime.

    TRE VJET MË VONË

    E njëjta qeveri, e cila tre vite më parë vuri në pah si suksesin më të madh faktin që ligji i ri u mundësoi “lëndët e PSP-së të qëndronin gjallë”, me ndryshimet në Kodin Penal të propozuar prej saj dhe të miratuara shprehimisht në shtator të këtij viti, e solli atë të vjetërsohej dhe të ndalohej procedura për disa lëndë, përfshirë edhe për të pandehurit në rastin kapital për të cilin ishte themeluar Prokuroria Speciale “Target-Fortesa”. Përkundër kësaj, përfaqësuesit e qeverisë nuk e gjejnë fajin në ndryshimet në Kodin Penal. “Të gjitha përgjigjet për efikasitetin në zgjidhjen e rastit mund t’i japin vetëm ata që kanë punuar në të”, tha kryeministri Kovaçevski.

    Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika për qeverisje të mirë, Sllavica Grkovska, përkujtoi se Gjykata e Apelit në mënyrë të pajustifikueshme e mbajti atë lëndë për nëntë muaj, por as ajo dhe as kryeministri nuk e adresuan faktin se pse deri më sot nuk është vendosur asnjë përgjegjësi për gjykatësin që e mbajti lëndën në sirtar për kaq shumë kohë, megjithëse ishte edhe një nga arsyet e një sërë ngjarjesh skandaloze në Këshillin Gjyqësor.

    Vetëm prokurorja Lençe Ristoska theksoi se vjetrimi i lëndës “Target-Fortesa”, është pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve në Kodin Penal dhe theksoi se efektet e atyre ndryshimeve do të ndihen ende. Përpos mosndëshkimit, “rezultati” do të sjellë edhe implikime të mëdha financiare për arkën e shtetit, sepse shpenzimet e procedurës penale do të bien mbi Buxhetin. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia e Veriut e fundit me rritje ekonomike

    Lajmi i rradhës

    Shpejtësia rrezikon kalimtarët në bulevardin problematik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë