A do ta kërcënojë korrupsioni rimëkëmbjen ekonomike të Europës?

    Plani i rimëkëmbjes pas pandemisë së Covid-19 i Bashkimit Evropian,paraqet një mundësi historike por edhe një rrezik të madh. Pas negociatave intensive, BE-ja ra dakord që të emetojë bonot e borxheve të përbashkëta-diçka e pa ndodhur ndonjëherë – për të financuar Lehtësimin e Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë, një fond i përbashkët që do të japë grante dhe hua për vendet anëtare të unionin për të mundësuar kalimin tek ekonomia me miqësore ndaj mjedisit, për të dixhitalizuar administratat tona publike, si dhe për reformimin e ekonomive të ngadalta të bllokut.

    Por, pavarësisht gjithë lavdërimeve që meriton fondi i ri, suksesi i tij do të gjykohet nga rezultati konkret. Pra evropianët presin rezultate, dhe jo skandale. Këto fonde të rimëkëmbjes nuk mund të përfundojnë duke u abuzuar në disa skema mashtruese.

    Perspektivat e një bashkimi më të ngushtë dhe më të fuqishëm fiskal,do të dëmtohen seriozisht nëse gjithçka që evropianët do të mbajnë mend nga fondet për rimëkëmbjen, është se ato u përfituan nga politikanë të korruptuar dhe miqtë e tyre.

    Parlamenti Evropian ishte i vetëdijshëm për këtë rrezik,qëkur e krijoi mekanizmin e ndihmës. Për këtë arsye, teksti ligjor që rregullon shpërndarjen e fondeve përfshin detyrime të rrepta në raportimin dhe transparencën, si dhe rolet thelbësore mbikëqyrëse për organet monitoruese të BE-së:Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, Zyra e Prokurorit Publik Evropian e sapo-ngritur dhe Gjykata Evropiane e Auditëve.

    Lufta kundër keqpërdorimit të fondeve të BE-së nuk është diçka e re. Përvetësimi i subvencioneve të BE-së ka zënë vazhdimisht faqet e para të mediave në të gjithë kontinentin. Në vitin 2018, një sërë hetimesh lidhën vrasjen e gazetarit Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij Martina Kusnirova me investigimin e tij mbi shpërdorimin e fondeve të BE-së në Sllovaki.

    Vitin që pasoi, disa ministra në qeverinë bullgare u shkarkuan pasi u zbulua se ata kishin përvetësuar fondet bujqësore të BE-së për të blerë pasuri të paluajtshme. Në Hungari, zyra kundër mashtrimit e BE-së, zbuloi parregullsi serioze në një projekt në fushën e transportit me vlerë 1.7 miliardë euro, dhe në kontratat e negociuara me dhëndrin e kryeministrit Orban për të siguruar ndriçimin e rrugëve në qytete.

    Në total, gjatë viteve 2014 dhe 2019, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit rekomandoi rikuperimin e mbi 6 miliardë eurove subvencione. Këta shembuj ilustrojnë sfidat me të cilat ballafaqohet BE-ja në ndarjen efektive të fondeve të rimëkëmbjes. Parlamenti Evropian synon të mbrojë fondet duke vendosur kritere rigoroze të vlerësimit për disbursimin e tyre.

    Këto kritere janë çelësi kryesor për të kuptuar konfliktin aktual midis Komisionit Evropian dhe Hungarisë dhe Polonisë. Kur aplikojnë për të marrë fonde, qeveritë e BE-së duhet të shpjegojnë sesi planifikojnë që të mbrohen nga mashtrimet.

    Po ashtu legjislacioni aktual u jep organeve mbikëqyrëse të drejtën, për të hyrë në të dhënat që lidhen me përdorimin e fondeve të rimëkëmbjes. Por këto përpjekje do të jenë të kota në rast se BE-ja nuk do të arrijë të financojë në mënyrën e duhur sistemet e saj të kontrollit. Për shembull, në propozimin e fundit të buxhetit të BE-së, Komisioni Evropian supozon se secili anëtar i stafit në Zyrën kundër Mashtrimit do të monitorojë shpenzime në shumën900 milionë euro.

    Në vitin 2010, i njëjti anëtar i stafit ishte përgjegjës për shqyrtimin e shpenzimit të300 milionë eurove. Shkurtimi i personelit të kësaj zyre,ndjek një prirje 10-vjeçare të zvogëlimit të burimeve për organet evropiane kundër mashtrimeve me fondet.

    Në vitin 2010, zyra kishte 466 punonjës; këtë vit, ka vetëm 376, edhe pse janë dyfishuar fondet që kanë nevojë të mbikëqyren. Burimet njerëzore dhe financiare të Gjykatës Evropiane të Auditëve dhe Zyrës së Prokurorit Publik Evropian janë po ashtu të papërshtatshme.

    Situata është edhe më shqetësuese po të kihet parasysh se BE-ja po fillon zgjerimin më të madh të buxhetit në historinë e saj. Rreziku i mashtrimit dhe abuzimeve nuk ka qenë kurrë më i madh sesa sot. Bashkimi Evropian po shpenzon më shumë para se kurrë, por institucionet që janë të nevojshme për të ruajtur besueshmërinë e shpenzimeve të saj, mbeten të pa financuara.

    Ky kombinim i rrezikshëm bëri që Ripërtëritja e Evropës (pasardhësi i Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën në Parlamentin Evropian) të paraqesë ndryshime në buxhet për të rritur ndjeshëm burimet e organeve të auditimit dhe kontrollit në BE.

    Dhënia e mjeteve të duhura financiare për Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit, Zyrën e Prokurorit Publik Evropian dhe Gjykatën Evropiane të Auditorëve, për të mbrojtur paratë e taksapaguesve evropianë nga vjedhja dhe abuzimi,është jetike për ruajtjen e integritetit të projektit të paprecedentë financiar të BE-së.

    Që të hartohej plani i rimëkëmbjes u desh samiti më i gjatë i BE-së i kohëve të fundit. Disa udhëheqës u detyruan të shpenzonin një kapital të madh politik për të bërë të mundur marrëveshjen. Por nuk ka gjasa që të jenë po aq të suksesshëm herën tjetër, nëse ajo që evropianët mbajnë mend për programin aktual të ndihmës,është një seri skandalesh korrupsioni dhe përpjekje të diskutueshme për të rimarrë paratë e vjedhura.

    Lajmi Paraprak

    Çmimi Nobel i këtij viti shihet si mburojë për gazetarët rusë

    Lajmi i rradhës

    ÇKA SHKRUAN IFIMES PËR GRUEVSKIN – azili politik i kalon këtë muaj, por është mundësia të kthehet edhe në RMV?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë