A do të kemi efikasitet të gjyqësorit nëse digjitalizohen ato?!

    Deri në fund të vitit 2021, Maqedonia e Veriut planifikon që t’i digjitalizojë të gjitha shërbimet e gjykatave.

    Kryetari i Komisionit për digjitalizimin e sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, Llazar Ninev, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se digjitalizimi i plotë i lëndëve gjyqësore, dorëzimi dhe ndërveprimi mes gjykata, do të rritë në masë të theksuar efikasitetin e gjykata për dy arsye, ku fillimisht do të shpejtohet procesi gjyqësor dhe arsyeja e dytë është se do të zvogëlohet nevoja për prani fizike në gjykata.

    “Digjitalizimi dhe ndërveprimi janë procese, që në mënyrë të pashmangshme janë të varur nga organika virtuale e tërë sistemit të jurisprudencës në shtetin tonë dhe ky është realiteti, i cili direkt është i lidhur me paraqitjen e pandemisë të koronavirusit. Megjithatë, është e pakontestueshme që sistemi i digjitalizimit dhe i ndërveprimit janë vegla themelore, të cilat do të duhet që të shfrytëzohen në periudhën e ardhshme kohore dhe të njëjtit duhet ta përmirësojnë efikasitetin”, thotë Ninev.

    “Pajtohem, është e pakontestueshme që nuk kemi burime të mjaftueshme njerëzore, përkatësisht kapacitete njerëzore, që mund t’i përgjigjen nevojave. Mirëpo, në të njëjtën kohë, po e theksoj, bashkë me nxjerrjen e planit operativ, janë nxjerr edhe përfundimet, ku shteti garanton se në periudhën vijuese kohore, duke filluar nga viti 2021 dhe për disa vite në vazhdim, do të mundësojë punësimin e potencialit të ri njerëzor, ekspertë të informatikës si dhe bashkëpunëtorë profesionalë, të cilët do të kenë për detyrë që t’i shfrytëzojnë veglat bashkëkohore, operative. Në të njëjtën kohë, ata do të mund të sigurojnë qëndrueshmërinë e pajisjeve digjitale”, shtoi ai.

    Ndërkaq, rrjeti i koalicionit të organizata “Të gjithë për gjykim të drejtë”, ka theksuar se qytetarët nuk po arrijnë që të realizojnë të drejtën e tyre, pasi shumë lëndë gjyqësore po vjetërsohen, për shkak se seancat gjyqësore nuk po realizohen sipas afatit të paraparë kohor.

    Në këtë drejtim, plani operativ për digjitalizimin e sistemit gjyqësor pritet që të realizohet në disa faza, ku përfshihet shfrytëzimi i postës elektronike për palët në seancat gjyqësore si dhe sigurimi i pajisjeve për realizimin e proceseve gjyqësore në mënyrë online, etj.

    Për mbajtjen e seancave online, deri në fund të vitit, sipas planit operativ, parashihet që të pajisjen me mjetet e nevojshme më shumë se 100 gjykata në mbarë Maqedoninë e Veriut.

    Besa Kadriu, ligjëruese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë për Radion Evropa e Lirë se digjitalizimi i gjyqësorit do të kontribuojë në rritjen e transparencës, veçanërisht të shqiptimit të vendimeve gjyqësore dhe argumentimi të fakteve nga palët mbrojtëse. Megjithatë, ajo druan se nëse për këtë proces nuk angazhohet një kuadër profesionalë, i gjithë procesi i digjitalizimit do të dështojë.

    Sipas Kadriut, digjitalizimi i sistemit gjyqësor është një avantazh i madh për këtë institucion publik.

    “Por, në këtë drejtim theksi duhet vënë në trajnimin e kuadrove, për të mundësuar jo vetëm që pushteti gjyqësor t’i përshtatet rrethanave të reja, por të mund t’iu përgjigjet me kohë të gjitha kërkesave të qytetarëve, pasi vetëm atëherë mund të flasim për një digjitalizim të mirëfilltë të sistemit gjyqësor, në përputhje me standardet evropiane”, thekson Kadriu.

    Ajo shton se digjitalizimi i gjykatave do të kontribuojë në çlirimin e sistemit gjyqësor nga ndërhyrjet politike, që sipas saj, u pa qartë në publikimin e bisedave të përgjuara në mënyrë të paligjshme.

    “Digjitalizimi mundëson që qytetarët, përkatësisht palët në gjykatë, në çdo kohë të kenë informata për çdo kërkesë apo proces që është iniciuar dhe jo që rastet të ‘harrohen’ në sirtarë, për shkak të interesave të individëve të caktuar, që kanë lidhje me strukturat udhëheqëse politike”, thotë Kadriu.

    Një nga shtyllat kryesore në procesin e digjitalizimit të gjykatave mbetet zhvillimi i proceseve gjyqësore në formë online, që u imponua për shkak të masave të vendosura kundër pandemisë COVID-19.

    Në këtë drejtim, kryetari i Komisionit për digjitalizimin e sistemit gjyqësor, Llazar Ninev thekson se mbajtja e gjykimeve në formë online, tashmë paraqesin një realitet të pashmangshëm.

    “Gjykimet online janë një realitet i ri. Edhe ne e lidhim këtë proces me pandeminë, megjithatë, gjykimet online janë pjesë e sistemeve të zhvilluara të jurisprudencës, ku njëra palë apo dëshmitarët ose të akuzuarit, që fizikisht nuk janë të pranishëm fizikisht në gjykatore, mund të marrin pjesë online”, shpengon ai.

    “Por, do të kemi edhe gjykime që nuk janë gjykime online, në formën klasike, për shkak se një pjesë e palëve mund të jenë të pranishme në gjykatore, ndërsa të tjerët në një vend tjetër. Kjo sidomos theksohet në veprat e lehta, siç janë kundërvajtjet. Do t’iu jap një shembull: mendojeni një pjesë të procedurës për kundërvajtje, ku një person i akuzuar jeton në Shkup, ndërsa procedura udhëhiqet në Gjykatën Themelore në Ohër. Përse të jetë e nevojshme që për pesë minuta, sa për të dhënë një deklaratë personi i akuzuar, të humbë kohën që të udhëtojë nga Shkupi në Ohër, kur atë deklaratë mund ta japë përmes rrugëve elektronike, përkatësisht përmes instalimit të komunikimit të dyanshëm”, shton Ninev. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Nis gjykimi ndaj ministrit Liburn Aliu | Aktakuza është ngritur pas afatit ligjor

    Lajmi i rradhës

    Filipçe: Ora policore dhe masat të mbeten në fuqi deri më 15 qershor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë