A do të ketë edhe një Marrëveshje të Ohrit në Ballkan?

    Pikërisht në Ohër, 22 vite më parë iu dha fund luftës në Maqedoni me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit  ku u arrit paqja dhe avancimi i shumë të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa pikërisht në këtë qytet, më 18 mars të këtij viti autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare presin që në takimin e Ohrit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të arrihet ujdi për planin e zbatimit të propozimit evropian. Edhe diplomatët perëndimorë që janë të përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi, shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, para se kreu i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e dialogut, shkruan gazeta KOHA.

    KOMPLIMENT I MADH PËR MAQEDONINË

    Ish diplomati, Nano Ruzhin shprehet se për Maqedoninë është kompliment i madh të jetë nikoqir në Ohër dhe kjo sipas tij dëshmon se shteti jonë ka arritur të balancon mes dy shteteve fqinje dhe të mbetet në relacione të mira me Serbinë dhe Kosovën. “Është një kompliment i madh për shtetin tonë që arriti të balancon mes dy shteteve fqinje dhe kjo është më e vështira në marrëdhëniet ndërkombëtare  të mbeteni në relacione të mira me Prishtinën dhe Beogradin, që nënkupton se është dhënë një përgjegjësi e caktuar të shtetit tonë të mund të jetë nikoqir ma u përzier drejtpërdrejtë me përmbajtjen, negociatat, e kështu me radhë. Kjo episod e gjatë e negociatave diplomatike mes Prishtinës dhe Beogradit, nuk është e sodit, por në kohën e fundit, për shkak të rrethanave gjeopolitike,  perëndimi vendosi të shtyj drejt zgjidhjes së problemit. Nuk mund të themi se procesi po ec në drejtimin e dëshiruar, por ende është herët të konkludohet se janë tejkaluar kundërthëniet kryesore të Prishtinës dhe Beogradit, nga njëra anë siç kërkon Kurti njohje të ndërsjellë, dhe Vuçiq që kërkon Asociacionin. S’di a mund të them se do të kemi Marrëveshje tjetër të Ohrit në Ballkan, por do të jetë një pikënisje drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve”, ka deklaruar për KOHA, Nano Ruzhin, ish diplomat.

    Edhe analisti politik, Berat Azizi thotë se marrëveshja e 18 marsit nuk mund të krahasohet me Marrëveshjen e Ohrit që i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni për vetë faktin se këtu kishim një konflikt të brendshëm ndërsa marrëveshja Kosovë-Serbi  duhet të çojë palët një hap shumë më përpara atë të njohjes ndërshtetërore. “Përmbajtja e kësaj marrëveshje, sipas Kurtit çon në njohjen reciproke mes dy vendeve dhe pikërisht këtu është ajo vija ndarëse mes dy marrëveshjeve në fjalë. Por pavarësisht asaj që mund të ndodh më 18 mars, simbolika e takimit në Ohër është shumë e rëndësishme si për Maqedoninë e Veriut duke e paraqitur si një vend të sigurt ku palët mund të nënshkruan paqen dhe një vend që tashmë mund të plotësojë kushtet për integrimin në Bashkimin Evropian. Ndryshe nga marrëveshja e Ohrit që gjatë nënshkrimit kishte përfaqësues nga SHBA, në takimin e palës kosovare dhe asaj serbe janë përfaqësuesit e BE-së të cilët kanë mbështetjen e SHBA por jo si palë nënshkruese në këtë seri të gjatë të negociatave.  Nëse ndodh që të dyja palët të nënshkruajnë Marrëveshjen që jo vetëm i jep fund armiqësisë mes dy popujve, por do të hap një kapitull të ri në marrëdhëniet edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Bashkësinë Ndërkombëtare. Pra Ohri mund të bëhet qyteti që do të futet në historinë botërore si vendi ku është nënshkruar marrëveshja ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë e cila çon në njohjen reciproke dhe një sukses të diplomacisë evropiane të drejtuar nga Franca dhe Gjermania nën mbështetjen e SHBA”, ka deklaruar për KOHA, Berat Azizi, analist.

    “MOS E HUMBNI AUTOBUSIN”

    Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde i dha përkrahje të plotë ndërmjetësuesit të dialogut Miroslav Lajçak, në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, duke u bërë thirrje palëve që mos ta humbasin shansin. “Marrëveshja mund të arrihet. Kosova do të përfitojë shumë. Kosovës i duhet të zbatojë obligimet e saj dhe të ofrojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe menjëherë. Apeli im për Kosovën dhe për Serbinë, është për bisedimet e ardhshme në Ohër: Mos e humbni autobusin”, shkroi në Twitter ambasadori gjerman, duke vazhduar argumentimin, se marrëveshja do të përshpejtonte integrimin euro-atlantik dhe është “shans historik për rrugën e normalizimit të plotë dhe njohjen reciproke”.

    Edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, shpreson për një marrëveshje mes Kurtit dhe Vuçiqit në takimin e Ohrit që mbahet me 18 mars nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Von Cramon që e shpërndau në twitter shkrimin e ambasadorit gjerman në Prishtinë, tha se “arritja e një marrëveshjeje do të ishte një hap i madh drejt integrimit evropian për të dy vendet. “Shpresoj shumë që do të shohim të dyja nënshkrimet në marrëveshje në fund të javës  në Ohër. Do të ishte një hap i madh drejt integrimit evropian për të dy vendet,” shkroi Viola Von Cramon.

    KURTI I GATSHËM PËR NËNSHKRIMIN E MARRËVESHJES

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ritheksoi edhe njëherë që ai ishte i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë më 27 shkurt në takimin e Brukselit. Sipas tij, marrëveshja themelore për normalizimin që u propozua nga BE-ja, apo siç njihet ‘plani franko gjerman’ “përmban një avancim drejt njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve”. Kryeministri këto komente i bëri, në një videomesazh drejtuar një Forumi të Universitetit të Mannheim-it në Gjermani, ku tha se shpreson që refuzimi i Vuçiqit, që të nënshkruante në Bruksel, nuk është shenjë se ai nuk pajtohet me përmbajtjen e marrëveshjes. “Ne besojmë se Marrëveshja themelore mes Kosovës dhe Serbisë përmban një avancim drejt njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve. Besojmë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve kërkon një njohje të ndërsjellë në qendër të marrëveshjes, si dhe respektim për të drejtat e pakicave në të dy shtetet. Siguria dhe paqja në rajon e Evropë është mëse  e nevojshme. Ne jemi të gatshëm të bëjmë përparim edhe përkundër sfidave të mëdha”, tha kryeministri Kurti.

    Në takimin e 27 shkurtit që patën në Bruksel kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i thanë “po” Propozimit evropian për normalizimin  e marrëdhënieve. Plani evropian parasheh mes të tjerash përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Zyrtar të lartë të Shteteve të  Bashkuara të Amerikës thanë se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa ecja përpara  drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është thelbësore për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës.

    NUK PRES GJË NË OHËR

    Për ish-diplomatin serb, Zoran Milivojeviç, vizita në Beograd e Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, s’do sjellë asgjë të re, sepse siç konsideroi ai, kryeministri Albin Kurti s’ka ndryshuar qëndrim dhe dëshiron të bisedojë ekskluzivisht për njohje reciproke. “Nuk ka ndryshime në qëndrimin e Kurtit, i cili dëshiron të flasë ekskluzivisht për planin evropian të bazuar në njohjen reciproke. Prandaj nuk duhet të presim ndryshim në qëndrimin e tij as në Ohër, pa marrë parasysh presionin e zyrtarëve amerikanë për të formuar sa më parë Asocaicionin e Komunave me shumicë serbe”, tha ai.

    Milivojeviç në një prononcim për gazetën serbe “Blic”, theksoi se edhe BE-ja, sikurse kreu i ekzekutivit kosovar, insiston në planin evropian dhe zbatimin të gjitha pikave të tij. Dhe për të gjitha këto do të ketë nevojë për një takim të ri të liderëve, më 18 mars në Ohër. “Për BE-në prioritet është plani evropian dhe zbatimi i tij. Në Bruksel besojnë se plani evropian nuk do të ketë efekt nëse të dyja palët nuk e pranojnë plotësisht dhe fillojnë ta zbatojnë. Prandaj zbatimi i atij plani do të jetë kryetema e agjendës në takimin e Ohrit”, tha Milivojeviç. 

    Lajmi Paraprak

    DRAFT RAPORTI I BE-së PËR MAQEDONINË: Më shumë angazhim në luftën kundër korrupsionit

    Lajmi i rradhës

    Shumë divorce në Dibër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë