A ka BDI negociata me Gruevskin për të siguruar votat për ndryshimet kushtetuese?!

    BDI as nuk pohon dhe as nuk përgënjeshtron nëse po negociohet me ish kryeministrin Nikolla Gruevski me qëllim sigurimin e votave të nevojshme për ndryshimet kushtetuese. Nga partia e Ahmetit nuk flasin as për kushtet për të cilat Gruevski do të siguronte deputetë nga ish subjekti i tij politik. VMRO DPMNE-ja ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, duke deklaruar se askush nuk mund të ndikon tek deputetët. Nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Timço Mucunski tha se nuk ka informacion nëse Gruevski ka kontakt me ndonjërin nga deputetët e grupit parlamentar.

    “Ndikim ndaj deputetëve të VMRO-DPMNE-së mund të kenë vetëm ata ndaj vetes së tyre, pra është jo korrekte të flasim për ndikim ndaj kujtdo. Ata janë njerëz të rritur, të realizuar në jetën e tyre në sfera të ndryshme të veprimit dhe është jo korrekte të flasim se a ndikon dikush ndaj tyre”, tha Timço Mucunski, Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Pavarësisht deklarimeve të opozitës maqedonase, negociatat e mundshme me Gruevskin duket se i kanë krijuar një siguri pushtetit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nuk do të ketë zvarritje për fillimin e ndryshimeve kushtetuese.

    “Ndryshimet kushtetuese nuk do të shtyhen. Me formimin e grupit të punës fillon edhe procesi kur më pas nisin edhe procedurat ligjore…vendi ynë nuk do të mbetet peng i karrierës së një njeriu në shtet i cili është i gatshëm të rrezikon edhe anëtarësimin e plotë në BE për të ruajtur karrigen e tij”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

    VMRO DPMNE-ja një mundësi të tillë të Kovaçevskit e vlerëson si folklor politik. Sipas opozitës nëse Qeveria dëshiron ta dijë nëse i ka ose jo numrat për ndryshimet kushtetuese, le ta vendos si pikë të rendit të ditës në Kuvend dhe ta vërteton.

    “Pengu më afatgjatë është Dimitar Kovaçevski. Është peng i BDI-së dhe Ali Ahmetit, është partner i krimit. Është peng i të kaluarës së tij partiake. Edhe ne pajtohemi se nuk ka zvarritje të procedurës, por i kërkojmë që t’i vendos menjëherë në rend dite”, tha Naum Stoillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

    Referuar kornizës negociuese, ndryshimet kushtetuese duhet të përfundojnë në muajin nëntor. Kërkesa kryesore është përfshirja e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ulen çmimet e disa artikujve higjienikë, deri më 31 maj

    Lajmi i rradhës

    ShGM: Në vitin 2022 është rritur numri i sulmeve ndaj gazetarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë