A po e humbin ndërkombëtarët durimin me Maqedoninë e Veriut?

    Bartësit e funksioneve publike nuk janë aspak të tronditur nga konstatimet tona, dhe kjo vetëm tregon shkallën e vetëdijes që ata kanë, reagoi mbrëmë gjatë një paraqitje televizive zëvendës Avokati i Popullit Jovan Andonovski.

    “Në një shoqëri normale demokratike, nëse Avokati i Popullit ngre zërin, ose vëren disa lëshime dhe mospërputhje në funksionimin e një institucioni apo organi, shkakton tërmet. Ne e bëjmë këtë, por në vendin tonë vetëdija e bartësve të pozitave publike, e shohim se ata nuk janë fare të tronditur nga ajo që konstatojmë, e njëjta gjë në rastin e raporteve të organizatave joqeveritare”, tha Andonovski.

    Ai e krahasoi punën e Avokatit të Popullit me mitin grek të Sizifit, sepse numri në rritje i ankesave nga qytetarët drejtuar Avokatit të Popullit sugjeron se ata kanë besim te institucioni, por nga ana tjetër, efektet mezi duken. “Ne paraqesim një raport vjetor në Parlament, këtu kemi pasur nderin që më në fund Parlamenti, para 10 ditësh, ta shqyrtojë raportin për vitin 2021, ndërsa tashmë është 2023. Raporti kaloi, diskutimi u mbyll, por pa votuar konkluzionet dhe rekomandimet e institucionit tonë, nga të cilat duhet të lindin detyrime konkrete për organet dhe institucionet shtetërore. Pse? Për faktin se në sallën e Parlamentit nuk kishte asnjë përfaqësues të pushtetit ekzekutiv, ishin dhjetë deputetë, dhe tjerët nga opozita. Kjo flet për vetëdijen e të gjitha palëve të interesuara se nuk ndjejnë asnjë përgjegjësi për mënyrën e tyre të punës”, përfundoi Andonovski.

    Ai iu referua edhe raportit të Departamentit të Shtetit, i cili tha se tregon se konstatimet në fusha të caktuara po bëhen më konkrete. Sidomos për sistemin e drejtësisë, gjykatat, prokurorinë publike, për korrupsionin, por nuk pamë asnjë nga këto palë të interesuara, përveç qeverisë, e cila vetëm tha diçka të paqartë për këto çështje. Nuk kemi asnjë reagim as nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, as nga gjykatat e as nga prokuroria publike. Andonovski kritikon ata që janë më përgjegjës për një situatë të tillë.

    Darko Avramovski nga Koalicioni “Të gjithë për një gjykim të drejtë”, vlerëson se gjuha e përdorur në raport, si dhe deklaratat e ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së në vend, tregojnë se ndoshta bashkësia ndërkombëtare po e humb durimin me Maqedoninë. “Po braktiset gjithnjë e më shumë fjalori diplomatik, po përdoren gjithnjë e më shumë deklarata shumë të mprehta dhe të drejtpërdrejta, jo vetëm nga ambasadorja amerikane. Këtu është raporti i Departamentit të Shtetit dhe ne kemi pasur deklarata të ngjashme nga ambasadori evropian në vend edhe më parë, që do të thotë se komuniteti ndërkombëtar mund të jetë ngadalë duke e humbur durimin me zbatimin e reformave tona dhe duke u marrë me ato probleme me të cilat jemi zvarritur ne për vite e vite. Këto nuk janë probleme që kanë lindur që tani, ne kemi pasur probleme që para 10 vitesh që nuk i zgjidhim dot”, deklaroi Avramovski.

    VETING PËRPARA SE PERSONAT TË MARRIN POSTIN

    Procesi i vetingut është shumë i rëndësishëm dhe sfidues, posaçërisht në sistemin e drejtësisë. Kështu u shpreh në “rruga drejt”, ambasadorja e SHBA-vë, Angela Ageler, sipas së cilës është shumë e rëndësishme që ky proces, nëse bëhet, të jetë tërësisht transparent dhe i drejtë.

    “Vetingu mund të jetë shumë sfidues, ashtu siç e kemi parë në disa shtete të tjera ku nuk ka funksionuar mirë. Është posaçërisht sfidues në sistemin e drejtësisë për shkak të nevojës për të vlerësuar ata që janë tashmë në pozitë dhe në një sistem ku korrupsioni veçmë ekziston, është shumë e rëndësishme të sigurohesh që ai proces është tërësisht transparent dhe i drejtë. Vetingu në SHBA bëhet përpara se të marrësh postin. Nuk kemi mjaftueshëm kohë që t’ua përshkruaj vetingun që unë kam kaluar për t’u nominuar dhe për t’u konfirmuar si Ambasadore e SHBA-së. Shpresoj që ky vend të gjejë një mënyrë për ta zhvendosur ventingun në proces që përpara se njerëzit të marrin postet e tyre, në një mënyrë që është më e përshtatshmja për atë institucion”, tha Ageler.

    KUSHTET NË BURGJET NUK I PLOTËSOJNË AS KRITERET ELEMENTARE

    Avokati i Popullit Naser Ziberi, tha se gjendja në burgje është një nga temat më të dhimbshme në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut.

    “Fatkeqësisht, kushtet në burgjet tona nuk plotësojnë as kriteret minimale për vuajtjen e dënimit me dinjitet, dhe risocializimin dhe riintegrimin e atyre personave”, tha Ziberi.

    Ai theksoi se në burgun më të madh në vend, Idrizovë, ku strehohet gjysma e të burgosurve në vend, është në një situatë ku nuk është i risocializuar, por i degraduar. “Ne nuk plotësojmë pothuajse asnjë kriter sipas standardeve, pra Komisionit për Parandalimin e Torturës, apo sipas ligjit tonë për ekzekutimin e sanksioneve”, thotë Ziberi. Sipas tij, përgjigja e institucioneve është se nuk kemi mundësi hapësinore dhe nuk ka kushte materiale. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ngritet procedurë përgjegjësie për policin që ngacmoi disa vajza të një shkolle të mesme në Shkup

    Lajmi i rradhës

    Ndërkombëtarët rrisin presionin ndaj Shkupit për ndryshimet kushtetuese

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë