Abdullahi: rritja e nacionalizmit, ikje nga problemet reale  

    Elmedina Abdulahi, MMPT / Fotografia: Nistori

    Rritja e nacionalizmit gjithnjë vërehet kohëve të fundit. Por kjo më e theksuar është gjatë periudhës parazgjedhore, sidomos në fushatë kur gjithsecili politikan bëhet me patriot se tjetri. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, vendosja e kryqit në Kodrën e Diellit dukshëm ka rritur tensionet ndëretnike dhe ndërfetare në vend. Kjo si duket edhe më shumë do të jetë në retorikën e fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen së shpejti.

    Në këtë drejtim sa më shumë që rritet nacionalizmi aq më pak zgjidhen problemet reale të qytetarëve. Gjithnjë e më pak flitet për ikjen e rinisë nga vendi, gjithnjë e më pak flitet për zhvillim ekonomik, kurse më shumë flitet për flamuj, përmendore dhe mos tolerim ndëretnik. Zhvillimet e fundit me vendosjen e busteve të heronjve maqedonas, janë një tregues i qartë se vendi ende nuk është çliruar nga nacionalizmi dhe e kaluara.

    “Këto janë veprime tipike që të gjitha partitë i bëjnë para zgjedhjeve dhe ushqejnë nacionalizmin vetëm për përfitime politike, njëjtë si keqpërdoret edhe muaji i Ramazanit për qëllime politike. Jemi ngopur me këto veprime. Mendojmë që duhet të na lënë rehat, duhet të merren me probleme serioze, të na lënë larg nacionalizmit. Ajo që duhet të diskutohet dhe ajo që duhet në fakt të shtjellohet është se pse pikërisht muzeu i cili ndodhet në Tetovë, ka tre objekte dhe në atë muze nuk ka asnjë element të vetëm për shqiptarët dhe për historinë e shqiptarëve. Edhe pse në atë muze ka të punësuar shqiptarë, megjithatë nuk ka asnjë element dhe asnjë promovim të kulturës shqiptare në Tetovë edhe pse dihet se Tetova është një qytet i banuar me shumicë shqiptare”, thotë Elmedina Abdullai, nga nisma qytetare Më Mirë për Tetovën.

    Në një vend ku nacionalizmi mbizotëron problemet reale vështirë se zgjidhen. Nëse vendosja e kryqit dhe busteve është interes i qytetarëve të Tetovës, atëherë pse mos jetë interes i qytetarëve edhe ndërrimi i emrave të rrugëve, shkollave, bulevardeve e kështu me radhë. Kështu është arsyetimi i partive maqedonase kur pyeten se pse nuk përkrahin ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë.

    “Gjithmonë para zgjedhjeve ata fitojnë pikë politike në këtë mënyrë dhe jemi dëshmitarë se kur ata kanë një interes të përbashkët në fund të ditës ulen dhe I marrin vendimet bashkërisht pa pasur aspak problemin fetar dhe nacional. Do të isha e lumtur që të ishin të sinqertë në atë që e thonë dhe të merreshin me problemin e qytetarëve, siç janë uji dhe mbeturinat. Ne e shohim se përveçse që e ushqejnë nacionalizmin ata nuk merren me problemet e përditshme”, thekson Abdullai.

    Së fundmi, vendosja e busteve të heronjve maqedonas në hapësirat e muzeut të Tetovës sërish ka ngritur shqetësimet për rritje të nacionalizmit maqedonas karshi shqiptarëve. Bustet e larguara nga sheshi i Tetovës janë vendosur pa asnjë leje në një hapësirë që menaxhohet nga muzeu. E tërë kjo ka kaluar pa shumë pompozitet në opinion.

    Komuna e Tetovës, nga ana tjetër njoftoi se ka kryer inspektime dhe është konstatuar se nuk është marrë leje për vendosjen e tyre. Nga Muzeu i Tetovës theksuan se janë të irrituar me këto e veprime të komunës së Tetovës, sepse bustet janë vendosur në një vend që menaxhohet nga ky muze dhe komuna nuk ka asnjë kompetencë të veprojë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Pse diaspora nuk është e interesuar për të votuar?

    Lajmi i rradhës

    Si të mbrohemi nga sulmet kibernetike!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë