Pse diaspora nuk është e interesuar për të votuar?

    Gjithsej 2.954 qytetarë nga diaspora janë regjistruar për të votuar jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024. Nga numri i përgjithshëm i kërkesave, sipas të dhënave nga uebfaqja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, janë pranuar 2610, dy të pashqyrtuara, ndërsa 342 janë refuzuar. Ky numër mund të ndryshojë nëse Ministria e Punëve të Jashtme, më së voni deri më 21 mars, në KSHZ i dorëzon raportet e qytetarëve tanë në përfaqësitë diplomatike-konsullore, në përputhje me orarin zgjedhor. Megjithatë, është e sigurt se votimi do të organizohet vetëm për zgjedhjet presidenciale pasi nuk ka një numër të mjaftueshëm të votuesve të regjistruar për zgjedhjet parlamentare.

    Votimi për presidentin më 24 prill dhe për raundin e dytë më 8 maj, në bazë të aplikimeve të pranuara, duhet të organizohet në 24 vende. Për organizimin e zgjedhjeve në një nga përfaqësitë tona diplomatike-konsullore është e nevojshme të regjistrohen së paku 10 votues. Kërkesat më të pranuara për votim janë në Gjermani – 578, pastaj në Slloveni – 327, në SHBA – 241, në Zvicër – 182, në Kanada – 122, në Austri – 116, në Itali – 101, në Australi – 97, në Belgjika – 91.

    Analisti Petar Arsovski për gazetën Koha, ka deklaruar se problemi qëndron edhe te mosinteresimi i partive politike për diasporën, por edhe te vet diaspora.

    “Është e vështirë për diasporën të organizohet për të ardhur në PDK (Përfaqësitë Diplomatike Konsullore), dhe në të njëjtën kohë është e vështirë për partitë të organizojnë një fushatë për pjesëmarrje në diasporë në një periudhë kaq të shkurtër kohore. Përveç kësaj, modeli aktual zgjedhor e vështirëson zgjedhjen e një deputeti për diasporën, ndaj nuk ka shumë interes për votim nga asnjëra palë”, ka deklaruar Arsovski.

    Nga ana tjetër edhe ish-anëtari i KSHZ-së, Enver Salihi, ka deklaruar për gazetën Koha se mungesa e vullnetit politik për votim nga ana e diasporës ka më shumë faktor por më të rëndësishëm sipas tij janë, largësia e vendvotime brenda diasporës, mundësia e vogël për zgjedhjen e tre deputetëve nga diaspora dhe mosinteresimi i faktorëve kyç brenda shtetit për diasporën.

    “Problemi me largësinë e vendvotime është se votohet vetëm në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore kurse diaspora është e shtrirë në çdo qytet te Evropës me çka kostoja për të votuar është shumë e lartë e diku shkon deri në qindra euro harxhime për të shprehur drejtën e garantuar me Kushtetutë! Nga ciklet e kaluara zgjedhore nuk kishte deputet te zgjedhur pasi që deputeti sipas Kodit Zgjedhor për tu zgjedhur cilido nga 3 deputet të diasporës nevojitet që kandidati të ketë mbi 6000 vota e që është e pamundur duke e dit se nuk paraqiten aq persona për të votuar në diasporë me çka shanset janë zero për përfaqësues nga diaspora të zgjidhet”, deklaroi Salihi.

    Ai veçoi se mosangazhimi i faktorëve politik për të ndryshuar mënyrën e votimit të diasporës me çka votimi elektronik do mundësonte që të kemi tre deputetët nga kjo pjesë vitale e çdo shteti. Ai në fund shtoi se gjithçka varet nga vullneti politik dhe dëshira e partive të mëdha që kanë 2/ 3 e votave për të bërë ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

    Zëdhënësja e KSHZ-së, Ljupka Guguçevska, javën e kaluar sqaroi se sado fletparaqtije të pranuara për votim në diasporë, votimi për zgjedhjet presidenciale do të organizohet, por për organizimin e votimit për zgjedhjet parlamentare është e nevojshme të regjistrohen së paku 5355 votues në të 52 përfaqësitë konsullore apo zyrat diplomatike jashtë vendit. Siç tha ajo, duke pasur parasysh se presidenti i shtetit zgjidhet sipas sistemit të shumicën në të gjithë territorin e shtetit, si dhe në të gjitha kontinentet ku jetojnë qytetarët tanë dhe konsiderohet si një njësi zgjedhore, zgjedhjet do të organizohen. Guguçevska shtoi se për hapjen e një qendre votimi zyrës konsullore të vendit tonë jashtë shtetit, duhet të regjistrohen së paku 10 votues.

    Për zgjedhjet parlamentare, shpjegon ajo, deputetët zgjidhen edhe në njësinë zgjedhore jashtë vendit sipas modelit proporcional, pra këtu ka një kusht tjetër, si një lloj regjistrimi.

    “Për t’u zgjedhur, një deputet i njësisë zgjedhore 7 duhet të fitojë të paktën të njëjtin numër votash si deputeti me numrin më të vogël të votave në territorin e shtetit të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Për organizimin e zgjedhjeve të tilla duhet të jenë gjithsej 355 votues të regjistruar në të 52 përfaqësitë konsullore apo zyrat diplomatike jashtë vendit. Dhe për një kandidat duhet të votojnë së paku 5.355 votues që ai të zgjidhet”, sqaroi Guguçevska.

    Lajmi Paraprak

    Pse kompanitë nga RMV kanë vështirësi të përfitojnë nga tregu i NATO-s?

    Lajmi i rradhës

    Abdullahi: rritja e nacionalizmit, ikje nga problemet reale  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë