“AGJENDA E GJELBËR”, Nuredini: Realizimin e agjendës duhet ta presim 5 – 7 vitet e ardhshme

    Naser Nuredini, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

    Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami së bashku me ambasadoren e Zvicrës Veronik Ulman Marti, ministrin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, si dhe përfaqësues të UNDP qëndruan në fshatin Shipkovicë për të parë nga afër projektin për “Rregullimi e lumit në fshatin Shipkovicë”, nga i cili kishte pasoja fatale në vërshimet e vitit 2015.

    Ministri Naser Nuredini theksoi se ky projekt është financuar 49 përqind nga ministria dhe 51 përqind nga mjetet e shtetit zviceran. Ai tha se mosmenaxhimi i duhur me malet shkakton rrezik për vërshime, ndërsa shtoi se ky projekt parashej të ulë rrezikun nga pasojat e tyre.

    I pyetur nga Nistori për “Agjendën e gjelbër” dhe vërejtjet në raportin e Komisionit Evropian në lidhje me këtë çështje, Nuredini theksoi se “Agjenda e gjelbër është afatgjate dhe e njëjta parasheh të zgjidh çështjet elementare për qytetarët”.

    Ai deklaroi se ministria në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, do të zbatojë edhe projekte tjera që janë në kuadër të “Agjendës së gjelbër”.

    “Dua të theksoj se raporti i Komisionit Evropian është përmirësim. Nuk është si ato më parë. Agjenda e gjelbër nuk ndodh për një ditë. Agjenda e gjelbër për qytetarët është të ketë ujësjellës, kanalizim dhe trajtim të mbeturinave. Në qershor të vitit 2019 kur kam ardhur unë në postin e ministrit, buxheti i ministrisë ishte 390 milionë denarë, tani kemi plus 900 milionë denarë. Me këto bashkëfinancojmë projekte si ky në Shipkovicë, bashkëfinancojmë ujësjellës në Bogovinë, Tetovë dhe të tjera”.

    “Huazimi nga Banka Evropiane për Investime ka qenë në Ministrinë e Transportit deri tani, në fazën e dytë 50 milionë euro do të vijnë te Ministria e Mjedisit Jetësor, me të cilat do të financohen projekte nga agjenda e gjelbër. Besoj se Komisioni për Financa dhe Buxhet do ta kalojë ligjin për huazim të 55 milionë eurove nga BERZH, me të cilat do të financohen deponi rajonale, transfostacione – një do të jetë në Tetovë. Shteti zviceran ka dhënë 1.9 milionë franga për rehabilitimin e deponisë Rusino. Agjenda e gjelbër është afatgjate. Kemi bashkëpunim me Komunën e Tetovës për trajtimin e ujërave të zeza. Ideja e agjendës së gjelbër është që në 5-7 vitet e ardhshme të mos diskutojmë për ujësjellës, mbeturina dhe ujëra të zeza”, tha ministri Nuredini.

    Ndërkaq kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se do të ketë kontrolle të shtuara në terren për hedhjen e mbeturinave dhe prerjen e druve.

    “Kemi po aq male të bukura sa Zvicra, por fatkeqësisht këto male më shumë na kanë sjellë tragjedi. Në bashkëpunim me UNDP dhe bashkëpunëtorë tjerë po e përmirësojmë këtë reliev që të mos kemi problem për qytetarët në të ardhmen. Ky projekt është 50 përqind. Ne së bashku me UNDP kemi edhe projekte tjera, përfshirë rrugën e Banjës, lumin e Porojit dhe rrugë tjera brenda qytetit”, tha Kasami.

    Ambasadorja zvicerane në Shkup, Veronik Ulman Marti, bëri thirrje për kujdes më të madh me prerjen e druve dhe hedhjen e mbeturinave vend e pa vend.

    “E shoh se është arritur progres në këtë projekt. Ka pasur disa vonesa, por kjo ka qenë për shkak të terrenit të vështirë. Pas tragjedisë së vitit 2015 shteti i Zvicrës vendosi të ndihmojë Qeverinë që të parandalojë këto fatkeqësi në të ardhmen. Mundohemi që këto projekte t’i zbatojmë edhe në vende tjera në shtet”, tha ambasadorja zvicerane.

    Ndryshe, projekti në fjalë në fshatin Shipkovicë pritet të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm. Theksojmë se nga vërshimet e vitit 2015 në këtë fshat katër persona e humbën jetën. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Hapësira” kërkon takim me Kasamin: Ne nuk jemi uzurpues dhe nuk e lëshojmë hapësirën

    Lajmi i rradhës

    Sulmohet fizikisht gazetari Zoran Bozhinovski, përfundon në spital

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë