Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në një intervistë për emisionin “Argument Plus” tha se procesi i regjistrimit është etnizuar dhe politizuar pa nevojë. Ahmeti thotë se për operacionin në fjalë janë konsultuar institucione relevante ndërkombëtare.
“Është politizuar tepër, është etnizuar tepër regjistrimi. E kontestojnë të gjithë etnitë, por regjistrimi është organizuar nga institucionet e shtetit, regjistrimi është monitoruar dhe ndihmuar nga Eurostat, nga specialistë të statistikave prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga institucione relevante të statistikave që kanë qenë të konsultuara dhe këshilldhënës për këtë proces statistikor, për këtë ndërmarrje të madhe”, tha Ahmeti.
Sipas kreu të integristëve e gjithë kjo është bërë për përfitime të politikave ditore.
“E kemi ditur se mund të politizohet, e kemi ditur që edhe mund të etnizohet dhe gjithmonë kemi apeluar që kjo çështje të mos marrë dimension etnik, të mos politizohet për qëllime të politikave ditore dhe e tërë kjo situatë që është politizuar kaq shumë është bërë për politika, për përfitime të politikave ditore”, theksoi Ahmeti.
Ahmeti siguroi se në procesin e regjistrimit nuk ka vend për dyshime.
“Numrat, shifrat janë këto që janë. Është bërë kryqëzimi i terrenit me të gjitha institucionet relevante në shtet. Në çdo vend, në çdo shtet ka një përqindje e popullatës që është e pa interesuar për t’iu përgjigjur kësaj ndërmarrje statistikore, deri në 10-15%, edhe në vendin tonë nuk janë përgjigjur dikund rreth 10 për qind dhe ato që nuk i janë përgjigjur regjistrimit mund të jenë maqedonas, shqiptar dhe komunitete tjera që jetojnë në këto hapësira, askush nuk e di nga 130 mijë që nuk janë regjistruar se të kujt komuniteti janë, por ato 130 mijë hyjnë në numrin e përgjithshëm të popullsisë. Kështu që, nuk ka vend as për dyshime, nuk ka vend as për manipulime për përfitime të politikave ditore, rezultatet janë këta që janë”, deklaroi Ahmeti.