Akraballëku në gjykatat e RMV

    Këshilli Gjyqësor në mbledhjen e fundit zgjodhi gjithsej 25 gjykatës për disa Gjykata Themelore dhe për Gjykatën Themelore Penale – Shkup. Nga emrat e publikuara u mësua se po vazhdon përkrahja e personave që kanë pasur ose vazhdojnë të kenë familjar me pozita të larta në shtet. Biljana Smaçoska, vajza e prokurores në pension Gordana Smaçoska dhe Kiril Georgiev, djali i gjykatësit suprem Nake Georgiev, u bënë gjykatës në Gjykatën Penale. Për ta votoi shumica e Këshillit Gjyqësor, i cili zgjodhi gjithsej 25 persona që nga sot do të kryejnë funksione gjyqësore. Smaçoska dhe Georgiev janë pjesë e grupit prej tetë kandidatësh të cilët janë zgjedhur nga Këshilli Gjyqësor. Të tjerët janë: Marija Begoviq, Dragana Isakoska, Dragan Josifovski, Ahmet Idrizi, Frosina Stojanoska.

    Gjykatësi i zgjedhur në Gjykatën Themelore Penale Shkup, Kiril Georgiev, është djali i anëtarit të Këshillit Gjyqësor, Nakë Georgiev, i cili mëngjesin e sotëm dha dorëheqje nga pozita e tij në Këshill.

    Në mesin e shtatë kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Civile, anëtarët e Këshillit Gjyqësor zgjodhën Simona Bubevska Mucunski, bashkëshorten e kryetarit të Komunës së Aerodromit, Timço Mucunski. Ajo është e vetmja grua nga tetë kandidatët e përzgjedhur. Pjesa tjetër e emrave janë të ri dhe publiku ende nuk i ka lidhur me politikën dhe politikanët. Ata janë Kristian Mitrevski, Liliana Kostojçinoska, Dragan Petrushevski, Maja Katarinic, Andrea Apostolovska Malinoska, Mashkuli Pajtin dhe Jovanov Jordan.

    “Pas shpalljes për përzgjedhjen e gjyqtarëve u zgjodhën këta gjyqtarë: për Gjykatën Themelore të Manastirit: Petar Çallovski, Elena Zhurovska dhe Goran Dimovski, kandidatë nga Akademia e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë; për Gjykatën Themelore të Shën Nikollës: Dragana Iliovska, kandidate nga Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë; për Gjykatën Themelore të Strumicës: Katerina Todorova – kandidate nga Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë dhe për Gjykatën Themelore të Tetovës; Bojana Toiç dhe Musa Rexhep – kandidatë nga Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë; për Gjykatën Themelore të Manastirit është Ivan Kolevski – kandidat nga Akademia e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë”, njoftuan nga Këshilli Gjyqësor.

    Në mënyrë që Kiril Georgiev të gjykojë në Gjykatën Penale, babai i tij ka dhënë dorëheqje si anëtar i Këshillit Gjyqësor. Po të kishte qëndruar ai, Georgiev nuk do të kishte mundësi të përzgjidhej. Megjithatë, qëndrimi i Nake Georgiev në Gjykatën Supreme mbetet.

    Nga ana tjetër, Gordana Smaçoska, në kohën kur ishte prokurore, kishte punësuar vajzën e saj në Prokurori, pra ishte kolege e saj. Vitin e kaluar Këshilli i Prokurorëve e nxori në pension. Biljana Smaçoska sot do të gjykojë në Gjykatën Penale, ku nëna e saj ka ngritur akuza dhe ka ndjekur krimet. Së fundmi, Gordana Smaçoska ishte pjesë e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    RMV, lehtësim të procedurave për importin e fuqisë punëtore

    Lajmi i rradhës

    ShBA-ja bën gati masat e reja për ta ndihmuar luftën kundër motit ekstrem

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë