RMV, lehtësim të procedurave për importin e fuqisë punëtore

    Kohët e fundit janë shpeshtuar ankesat e punëdhënësve për mungesën e fuqisë punëtore në sektorë të ndryshëm si ndërtimtari, hoteleri, fabrikat e tekstilit, etj. Si një nga zgjidhjet parashikohet thjeshtimi i procedurave për ardhjen e një numri më të madh të punëtorëve të huaj. Jozyrtarisht mësohet se kuotat e punëtorëve të huaj do të dyfishohen në 10 mijë nga 5 mijë sa janë aktualisht me ndryshimet ligjore nga muaji shtator.

    “Në Organizatën e Punëdhënësve tashmë po përgatitemi për punësimin e të huajve dhe presim që qeveria të thjeshtojë procedurat të cilat janë mjaft komplekse dhe të shtrenjta për të gjithë të huajt që duan të vijnë në vend për të punuar. Aktualisht edhe zyrat tona përfaqësuese jashtë vendit nuk janë të gatshme ta zbatojnë shpejt procesin për shkak të kompleksitetit të procedurave. Për shembull, për të ardhur një punëtor nga Nepali apo India, është e nevojshme që ai të dorëzojë dokumentet në ambasadat tona në gjuhën maqedonase dhe të presë të marrë vizën e qëndrimit dhe vetëm pastaj të kërkojë punë këtu dhe nëse gjendet punë , të kërkojë leje pune. E gjithë kjo kushton para dhe kohë, andaj procesi duhet të jetë më i shpejtë”, thotë Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë.

    Sipas tij, për këtë çështje së fundmi është diskutuar në Organizatën e Punëdhënësve ku janë ftuar juristë dhe përfaqësues të lartë nga Agjencia Zvicerane për Migrantë të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në këtë proces dhe të ndihmojnë në lehtësimin e procedurave. Sipas tij, shteti duhet të heqë kuotat për punësimin e të huajve të cilët janë të vogla karshi kërkesës për punëtorë.

    “Vitin e kaluar kërkuam dyfishimin e kuotave, por kjo nuk u pranua, andaj një pjesë e madhe e stafit më arsim të lartë profesional dhe menaxhues në investimet e huaja nuk mund të punësohen për shkak të plotësimit të kuotave. Këtu kemi një situatë absurde që një investitor i huaj të ndërtojë një fabrikë në vend dhe për shkak të kuotave të shpenzuara nuk mund të punojë në kompaninë e tij, domethënë ta menaxhojë atë. Mendoj se duhet të hiqen kuotat, jo vetëm për këto arsye, por edhe për shkak të mundësisë që administratorët që punojnë në lejet të jenë të ndjeshëm ndaj korrupsionit për shkak të kërkesës së madhe për leje pune”, thotë Dimitrov. Për më tepër shton se vendi duhet të liberalizojë tregun e punës, ku të drejtat e Ligjit për marrëdhënie pune do të vlejnë edhe për punëtorët vendor edhe për ato të huaj.

    Nga ana tjetër, importimi i fuqisë punëtore nga jashtë në vend, për qeverinë paraqet një nga masat për stimulimin e ekonomisë, që do të rrisë produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomisë vendore.

    Nga ekzekutivi vlerësojnë se mundësia e importit të fuqisë punëtore mbetet e hapur por vetëm si një zgjidhje e përkohshme, përderisa të rikualifikohet fuqia punëtore vendore. Apo me fjalë tjera preferohet që ardhja e punëtorëve të huaj të paraqesë një zgjidhje vetëm për një periudhë të shkurtër kohore për të plotësuar nevojat e caktuara për vendet vakante të punës.

    Ndërkaq, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi thotë se importi i fuqisë punëtore nuk është një zgjidhje afatgjate dhe e qëndrueshme, duke shtuar se shteti po bën përpjekje që të përmirësojë gjendjen me mungesën e fuqisë punëtore. “Në këtë mënyrë, duke hapur vende të reja pune, duke rikualifikuar dhe përmes procesit të arsimit dual, do të përmirësohet gjendja me tregun e punës dhe mungesën e fuqisë punëtore. Pra, zgjidhja afatgjatë e këtij problemi është rikualifikimi i njerëzve tanë që jetojnë këtu dhe përvetësimi i shkathtësive të reja për të cilat kompanitë kanë nevojë”, thotë Bytyqi.

    Në ndërkohë, odat ekonomike në vazhdimësi në periudhën e kaluar kanë kërkuar liberalizimin graduale të tregut të fuqisë punëtore me rajonin, si dhe eliminimin e barrierave të cilat pengojnë importin e tyre nga vendet tjera si dhe adaptimin e kuotave me nevojat e tregut, sidomos për sektorin e ndërtimtarisë, tekstilit, turizmit dhe hotelerisë. Një nga shtytjet për ardhjen e punëtorëve nga jashtë pritet të jenë edhe pagat në vend më të mëdha se ato në shtetet aziatike. Të dhënat statistikore tregojnë se paga mesatare në Bangladesh është 160 dollarë. Në ndërmarrjet mikro me deri në 15 punonjës, paga mesatare është 94 dollarë, në bizneset e vogla me deri në 100 punonjës, 140 dollarë dhe në ndërmarrjet e mesme me më shumë se 100 punonjës, 170 dollarë. Paga mesatare në Pakistan është 210 dollarë. Paga mesatare në Pakistan në ndërmarrjet mikro me deri në 15 punonjës, është 120 dollarë, në bizneset e vogla me deri në 100 punonjës, 180 dollarë dhe në ndërmarrjet e mesme me më shumë se 100 punonjës, 230 dollarë. Në ndërmarrjet e mëdha në Pakistan me më shumë se 250 punonjës, paga është 290 dollarë.

    Në Nepal, paga mesatare është 270 euro. Në ndërmarrjet mikro me deri në 15 të punësuar, paga mesatare është 160 dollarë, në bizneset e vogla me deri në 100 punonjës – 240 dollarë dhe në ndërmarrjet e mesme me më shumë se 100 punonjës, 300 dollarë. Në ndërmarrjet e mëdha në Nepal me më shumë se 250 punonjës, paga është 380 dollarë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Femrat në Dibër më duhanpirëse se meshkujt!

    Lajmi i rradhës

    Akraballëku në gjykatat e RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë