AKUZAT PËR MIGRANTËT | Kush po gënjen?!

    Akuza për gënjeshtra, manipulim dhe krijim paniku po dominojnë në përplasjet e fundit politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Partia opozitare LSDM ditë më parë përsëri e akuzoi liderin e VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrin Hristijan Mickoski se çdo deklaratë dhe politikë e tij është gënjeshtër. Kritikat e ashpra të socialdemokratëve nga “Bihaçka”, në një konferencë për shtyp, i shprehu anëtari i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Andrej Zhernovski. Duke paralajmëruar temën e konferencës për shtyp, ai tha se Mickoski është i vetmi kryeministër në botë që përdor një term që nuk njihet në politikë. “Ai është termi ‘e vërteta e vërtetë’, e keni dëgjuar. Por cili njeri flet për ‘të vërtetë të vërtetë’? Ai që ka një të vërtetë tjetër, e ajo është e vërtetë e rreme. Pikërisht kjo është tema e konferencës e djeshme për shtyp – e vërteta e rreme e Hristijan Mickoskit”, tha Zhernovski.

    Si argumente për këtë pretendim ai përmendi disa shembuj, që nga ardhja e Mickoskit në krye të VMRO-DPMNE-së në vitin 2019, pretendimet se kur të vijë në pushtet do ta ndryshojë Marrëveshja e Prespës dhe do ta kthejë emrin e vjetër kushtetues, deri te deklaratat se do të japë dorëheqje nëse zbulohet lidhje mes VMRO-DPMNE-së dhe agjencisë së sigurimit në të ashtuquajturin kabare “Puls” në Koçan, ku vitin e kaluar nga një zjarr humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.

    “Erdhi në pushtet me gënjeshtër. U tha dhe u premtoi qytetarëve se kur të vijë në pushtet do ta ndryshojë Marrëveshjen e Prespës dhe do ta kthejë emrin e vjetër kushtetues, por përsëri gënjeu. Nuk u tha votuesve se kjo do të thoshte të ktheheshim në FYROM apo BJRM, se do të duhej të largoheshim nga NATO dhe se nuk do të ishim të sigurt. Tani sërish shpik konflikte me fqinjët, të gjitha me qëllim që ta mbajë vendin të izoluar dhe, për fat të keq, që Maqedonia ta ketë rrugën evropiane të bllokuar”, theksoi Zhernovski. Ai shtoi gjithashtu se Mickoski po e mbron ministrin aktual të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, për të cilin LSDM prej disa ditësh kërkon dorëheqje nga funksioni për shkak të tragjedisë në Karposh, ku një grua dhe një fëmijë u gjetën të vdekur pasi ranë nga ballkoni si pasojë e dhunës në familje që gruaja kishte përjetuar për një kohë të gjatë.

    Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE akuzon kryetarin e LSDM-së Venko Filipče se ka gënjyer dhe manipuluar opinionin me temën e migrantëve. Sipas partisë në pushtet, këto, siç i quajnë, gënjeshtra dhe manipulime, i ka demantuar ambasadori britanik Matthew Lawson.

    “LSDM dhe Filipçe u përpoqën të krijojnë panik, kaos dhe histeri te qytetarët për ardhjen e migrantëve në Maqedoni. Kjo gënjeshtër e tyre u shpërnda si një flluskë sapuni. Nuk ka marrëveshje, nuk ka negociata, nuk ka qendra për migrantë, nuk ka migrantë; kishte vetëm destruksion nga ana e LSDM-së dhe Filipçes dhe përsëritje të së njëjtës gënjeshtër, duke menduar se në këtë mënyrë ajo do të bëhej e vërtetë”, theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov. Sipas Lefkovit, LSDM duhet të kërkojë falje dhe të mbajë përgjegjësi për panikun që ka shkaktuar te popullata.

    “Politikat e LSDM-së dhe Filipçes, të udhëhequra nga agjencitë serbe të PR-it të Bashanoviqit, nuk çojnë në asgjë të mirë as për LSDM-në dhe as për Maqedoninë. Gjendja në të cilën ndodhet maja e LSDM-së është vërtet shqetësuese. VMRO-DPMNE vazhdon të zbatojë përfitimet që vijnë nga marrëveshjet me Britaninë e Madhe, SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe Hungarinë”, theksoi ai.

    LSDM këtyre pretendimeve iu përgjigj se VMRO-DPMNE mund t’i quajë këta njerëz si të dojë: migrantë, azilkërkues, refugjatë apo punëtorë ekonomikë, por thelbi mbetet i njëjtë. Ndryshohet vetëm termi për të manipuluar me të vërtetën. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Jeta në kryeqytetin e Hitlerit

    Lajmi i rradhës

    Sela këmbëngul: vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë