Thatësira zbulon fshatin e fundosur

    Reuters

    Një fshat i vdekur, i cili është rishfaqur teksa thatësira pothuajse e ka shterur krejtësisht një rezervuar në kufirin mes Spanjës dhe Portugalisë, po tërheq turma të mëdha turistësh, me gërmadhat e tij të frikshme, të përhirta.

    Teksa kapaciteti i pellgut ka rënë në 15 për qind, po zbulohen detaje nga një jetë e ngrirë më 1992, kur fshati Aseredo, në rajonin veriperëndimor të Galicisë, në Spanjë, u përmbyt për të krijuar rezervuarin Alto Lindozo.

    Thatësira ka bërë që të rishfaqen shtëpitë e zhdukura nën ujë, në Aseredo. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.
    Thatësira ka bërë që të rishfaqen shtëpitë e zhdukura nën ujë, në Aseredo. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.

    “Më duket sikur po shikoj një film. Më jep një ndjenjë trishtimi”, ka thënë pensionisti 65-vjeçar, Maximino Perez Romero, nga Korunja.

    “Druaj se kjo do të ndodhë gjatë viteve të ardhshme, për shkak të thatësirës dhe këtyre gjërave, me ndryshimet klimatike”, ka shtuar ai.

    Një ndërtesë e shkretuar në fshatin e vdekur. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.
    Një ndërtesë e shkretuar në fshatin e vdekur. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.

    Duke ecur nëpër terrenin e baltosur, të çarë nga thatësira në disa pjesë, vizitorët zbuluan çati të shembura pjesërisht, mbetje tullash dhe drurësh, që kishin qenë pjesë e dyerve apo mureve, e madje edhe një krua, ku uji ende rridhte nga një gyp i ndryshkur.

    Arka me shishe të zbrazëta birrash ishin grumbulluar në një vend që dikur shërbente si kafene, ndërsa një veturë e vjetër, gjysmë e shkatërruar, po ndryshkej pranë një muri prej gurësh. Shumë ndërtesa qëndronin të shkreta.

    Një pemë e zhytur në ujë, në atë që dikur ishte fshati Aseredo. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.
    Një pemë e zhytur në ujë, në atë që dikur ishte fshati Aseredo. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.

    Maria del Carmen Yanez, kryetare e këshillit të Lobiosit, pjesë e të cilit është edhe Aseredo, ka pohuar se gjendja aktuale është si pasojë e mungesës së reshjeve të shiut në muajt e fundit, veçanërisht në janar.

    Por, ajo ka fajësuar edhe “shfrytëzimin tejet agresiv” nga operatori portugez i energjisë, EDP, i cili menaxhon rezervuarin.

    Pamje e Aseredos, ku shtëpitë që ishin zhytur nën ujë janë rishfaqur për shkak të thatësirës. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.
    Pamje e Aseredos, ku shtëpitë që ishin zhytur nën ujë janë rishfaqur për shkak të thatësirës. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.

    Më 1 shkurt, Qeveria e Portugalisë ka urdhëruar që gjashtë rezervuarë, përfshirë Alto Lindozon, të ndërpresin pothuajse krejtësisht përdorimin e ujit për prodhimin e energjisë dhe për ujitje, për shkak të përkeqësimit të thatësirës.

    Të kontaktuar nga Reuters, nga EDP-ja kanë thënë se rënia e nivelit të rezervuarve ka ndodhur për shkak të thatësirës, por kanë shtuar se po menaxhojnë në mënyrë “efikase” burimet ujore, dhe se ato janë mbi kufijtë minimalë, përfshirë në Alto Lindozo.

    Rrënojat e një shtëpie të vjetër në Aseredo. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.
    Rrënojat e një shtëpie të vjetër në Aseredo. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.

    Çështja e qëndrueshmërisë së rezervuarëve nuk është e re.

    Vitin e kaluar, disa fshatra spanjolle janë ankuar se operatorët e energjisë i kanë shterur ato. Kompanitë kanë mohuar akuzat, duke thënë se kanë vepruar në mënyrë të përgjegjshme.

    Rezervuari pothuajse i shtetur në vendin ku dikur qëndronte fshati Aseredo. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.
    Rezervuari pothuajse i shtetur në vendin ku dikur qëndronte fshati Aseredo. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.

    Të dhënat nga Ministria e Mjedisit tregojnë se rezervuarët e Spanjës janë vetëm 44 për qind të mbushur, dukshëm nën mesataren prej 61 për qind gjatë dekadës së fundit, por ende mbi nivelet e regjistruara gjatë thatësirës së vitit 2018.

    Një burim nga ministria ka thënë se treguesit e thatësirës paralajmërojnë për një keqësim të mundshëm të situatës në javët e ardhshme, por se ende nuk kanë vërejtur një problem të përgjithshëm në vend.

    Kulmi i një shtëpie të përmbytur duket mbi ujë, teksa thatësira po rishfaq fshatin e zhdukur të Aseredos. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.
    Kulmi i një shtëpie të përmbytur duket mbi ujë, teksa thatësira po rishfaq fshatin e zhdukur të Aseredos. Fotografi e shkrepur më 10 shkurt 2022.

    Jose Alvarez, ish-punëtor ndërtimtarie, nga Lobios, ka ndier një përzierje të nostalgjisë dhe fatalizmit, teksa ka kujtuar kohën kur punonte në Aseredo.

    “Është e tmerrshme, por gjendja është çfarë është. Kjo është jeta. Disa vdesin, dhe të tjerët jetojnë”, është shprehur ai. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Putin urdhëron dërgimin e trupave ruse në lindje të Ukrainës (Video)

    Lajmi i rradhës

    Serbia fut në agjendën e dialogut zgjedhjet e prillit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë