Partia opozitare “Alternativa”, nëpërmjet një kumtese për media ka akuzuar ministren e Kulturës Irena Stefoska, se i diskriminon shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Nga kjo parti thonë se pas konkursit për artistët e pavarur, të shpallur në dhjetor të vitit 2020, me të cilin artistët kërkojnë të drejtën për mbulimin e harxhimeve për sigurim shëndetësor dhe kontributet e tjera mujore, Ministria e Kulturës ende nuk e ka parë të arsyeshme që edhe pas 5 muajve t’i shpallë këto rezultate në ueb-faqen e ministrisë në mënyre transparente.
“Edhe pse kjo nuk është shkelja e vetme, po ia kujtojmë opinionit se, sipas Ligjit për kulturë, këto rezultate është dashur të shpallin në ueb-faqe, pra në mënyrë transparente, qysh më 15 janar të vitit 2021. Nga informacionet që kanë arritur deri tek ne, është e çuditshme se si këtë të drejtë e kanë fituar vetëm artistët maqedonas, ndërsa në anën tjetër e kemi një absurd, sepse asnjë artist shqiptar nuk e ka fituar atë. Që gjendja të jetë edhe më kontradiktore, përkundrejt trumpetimit të kësaj qeverie si qytetare, në komisionin në fjalë nuk ka pasur asnjë anëtar shqiptar, gjë që përbën diskriminim të llojit të veçantë”, thonë ndër të tjera.
Alternativa i bën thirrje ministres së Kulturës, Irena Stefoska, që ta tërheqë këtë vendim dhe komisionin e emëruar në dhjetor të vitit 2020 ta shkarkojë, për të krijuar një komision tjetër me përbërje multietnike.