Përfaqësuesi i Alternativës, Xhemail Çupi në “Rruga Drejt…”, derisa komentoi idenë e kryeministrit shqiptar, nuk kurseu kritikat ndaj partnerit qeveritar BDI-së, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një mashtrim elektoral.
Sipas Çupit BDI-ja në qeveri ka përfaqësuar vetëm interesat e “shqiptarëve të BDI-së”, ndërsa tani me pjesëmarrjen e Alternativës në qeveri kjo çështje do të ndryshoj dhe se ministrat shqiptar do të kujdesën për interesat e të gjithë shqiptarëve.
“Duke qëndruar 18 vite në qeveri, normal se harxhohesh në pjesën e programit, dhe përtej programit të gjelbër duhej të kishte edhe një pikë politike, andaj mendoj se ky është një mashtrim elektoral, mendoj shumë i guximshëm. Gjithsesi ne si pjesë e qeverisë do të përpiqemi maksimalisht që të përfaqësojmë shqiptarët, sepse partia në pushtet zakonisht kur flet për shqiptarët e ka qëllimin për shqiptarët e BDI-së. Andaj edhe nuk e mori seriozisht propozimin e liderit opozitar të VMRO-së, që të jetë një kryeministër tjetër shqiptar. Përpos kësaj mendoj se në planin e gotës gjysmë të mbushur, kemi një kabinet gjysmë për gjysmë shqiptarë dhe etnitete tjera, kështu që kam shpresë se duke qenë një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve atje, do të përfaqësohen të gjithë shqiptarët e këtij shteti”, tha Xhemail Çupi nga Alternativa.