Ambasadorja Popovska: RMV nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit europian

    Potenciali për bashkëpunim më dinamik shumësektorial ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është vërtet i madh. Vitin e kaluar kemi pasur një nivel historikisht të lartë të tregtisë mbi një miliard euro. Parashikimet për këtë vit janë se do të arrijmë të njëjtin nivel, e ndoshta edhe pak ta tejkalojmë nivelin e shkëmbimit tregtar që arritëm vitin e kaluar, tha ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Bullgari, Agnesa Rusi Popovska, shkruan AIM, përcjell Nistori.

    Në një intervistë për TV Nova bullgare, ajo thekson se ka rezultate pozitive të vazhdueshme edhe në bashkëpunimin ndërkufitar.

    “Korridori 8 është një projekt strategjik mes dy vendeve tona, vlera e të cilit kohëve të fundit është në rritje. Në Maqedoninë e Veriut po punohet për lidhje hekurudhore dhe pritshmëria jonë është që deri në fund të vitit 2027 të kemi lidhje hekurudhore deri në kufirin me Bullgarinë”, thotë Rusi Popovska.

    Dy shtetet, thekson ajo në intervistë, mund të jenë vendet më të afërta përmes ndërtimit të një atmosfere dialogu dhe respekti të ndërsjellë, siç thotë ajo, me mençuri dhe takt.

    Ambasadorja e Maqedonisë, Rusi Popovska në intervistë theksoi se për vendin tonë nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit evropian dhe për këtë arsye është e nevojshme të ndërtohet miqësi, fqinjësi e mirë dhe bashkëpunim mes Shkupit dhe Sofjes. Në shoqërinë e Maqedonisë, shton ajo, ekziston një konsensus i gjerë për anëtarësimin në BE, si politik ashtu edhe ndëretnik dhe kështu ka qenë që nga pavarësia e deri më sot.

    “Maqedonia e Veriut është kandidatja më e vjetër për anëtarësim në BE nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi kandidat që nga viti 2005, pra 18 vjet. Këto ditë jemi duke përfunduar procesin e skriningut dhe kjo na mundëson që të bëjmë një studim të thellë të gjithë vendit dhe të vlerësojmë shkallën e përputhshmërisë me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Rusi Popovska.

    Maqedonia e Veriut, edhe kur krahasohet me vendet e rajonit, thotë ajo, nuk mbetet prapa në lidhje me respektimin dhe harmonizimin e legjislacionit të BE-së.

    “Aktualisht jemi duke finalizuar tre udhërrëfyes shumë të rëndësishëm – për sundimin e ligjit, për reformat në administratën publike dhe për funksionimin e institucioneve demokratike dhe sigurisht jemi duke u harmonizuar, e përgatisim planin e veprimit për minoritetet dhe në praktikë përgatitemi për hapjen e klasterit të parë të procesit negociator, sapo t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese”, tha Rusi-Popovska.

    Ajo në intervistë u përgjigj edhe në pyetjen lidhur me ndryshimet kushtetuese.

    “Pushteti dhe shumica parlamentare dhe një pjesë e opozitës mbështesin kategorikisht këtë proces, mbështesin ndryshimet kushtetuese, mbështesin përfshirjen e popullit bullgar në Kushtetutë, por një pjesë e opozitës janë kundër këtyre ndryshimeve. Pa mbështetjen e tyre nuk mund të arrihet shumica e nevojshme prej dy të tretash. Arsyet janë politika e brendshme. Interesi i shtetit është që ndryshimet kushtetuese të zbatohen sa më shpejt që të mos bllokohet procesi i integrimeve evropiane dhe e ardhmja evropiane e shtetit”, thotë në intervistë Rusi Popovska.

    Ajo thekson se shoqëria e Maqedonisë është multietnike dhe promovimi i pajtimit dhe afrimit ndëretnik përmes sistemit arsimor është shumë i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut.

    “Sigurisht që qeveritë janë ato që vendosin tonin për nxitjen e bashkëpunimit, por mendoj se një rol të madh mund të luajnë sektori civil dhe personat me ndikim të gjerë publik që kanë të dyja vendet. Këtu do të përmendja edhe institucionet arsimore – shkencore dhe mediat”, tha Rusi Popovska. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Myslimani që i “shërben” kishës, kujdeset për “Shën Mitrin” e harruar nga shteti (Video)

    Lajmi i rradhës

    Prindërit reagojnë se nuk ka termine ortopedike për fëmijët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë