Amerika nuk mund të tërhiqet nga skena globale

    Hal Brands
    “Persuasion”

    A mund ta mbrojë Amerika rendin botëror liberal që krijoi vetë, në kushtet kur eksperimenti i saj liberal është në rrezik? Më shumë se një vit pas rebelimit të 6 janarit në Capitol Hill, kjo pyetje dominon ende në debatin mbi politikën e jashtme të Amerikës.

    Për dekada me radhë, Shtetet e Bashkuara drejtuan një projekt gjeopolitik shumë ambicioz, i cili me gjithë papërsosmëritë dhe dështimet e tij, prodhoi paqe, prosperitet dhe një liri në përmasa të paprecedenta në shumë pjesë të botës. Tani, shumë analistë besojnë se Amerika duhet të tërhiqet për t’u fokusuar në shpëtimin e vetvetes.

    “Amerika nuk mund ta promovojë më demokracinë jashtë vendit. Ajo nuk mund ta mbrojë demokracinë as në shtëpinë e saj!”- argumentoi një analist pas sulmit të një turme në Capitol. Edhe Richard Haass, figura më e njohur e establishmenti të politikës së jashtme amerikane, u pajtua me idenë se Amerika duhet të frenojë ambiciet e saj globale derisa “të stabilizohet së brendshmi”.

    Muajin e kaluar, “Samiti për Demokracinë” i administratës Biden u prit me një tallje masive. Shtetet e Bashkuara, talleshin propagandistët kinezë, duhet të ndalojnë ndërhyrjen e tyre dhe t’i vënë veshin thënies së vjetër “Doktor, shëro më parë veten!”.

    Por ideja se Amerika duhet të tërhiqet nga skena globale, për të shëruar plagët e saj shtrihet përtej vendimit për t’i dhënë fund një “lufte të përhershme” frustruese në Afganistan. Shpeshherë ajo nënkupton propozimin që Shtetet e Bashkuara të zvogëlojnë në mënyrë dramatike përpjekjet e tyre pas vitit 1945 për të mbrojtur një ekuilibër të favorshëm të fuqisë, për të promovuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut, si dhe për të frenuar shtetet armiqësore autoritare.

    Megjithatë, siç është bërë e zakonshme, kjo “recetë” keqkupton historinë e SHBA-së dhe nevojat e momentit. Shtetet e Bashkuara kanë formësuar botën edhe pse janë përpjekur të kapërcejnë të këqijat e veta të rrënjosura thellë. Një politikë e jashtme ambicioze vështirë se është një lloj shpërqendrimi nga misioni i përtëritjes së demokracisë.

    Historikisht, nevoja për të mposhtur rivalët autoritarë, e ka motivuar Amerikën të bëhet një version më i mirë i vetvetes. Dhe politikë-bërësit më të mençur të Amerikës, e kanë kuptuar prej kohësh se fati i demokracisë në vend, është i lidhur me balancën e pushtetit dhe ekuilibrin e ideve jashtë vendit.

    Sot ashtu si dikur, një Amerikë që i lë dorë të lirë forcave autoritare, do të banojë përfundimisht në një botë të pasigurt për liberalizmin brenda vetë SHBA-së. Një Kinë ambicioze dhe totalitare, dhe një Rusi e ringjallur dhe e etur për hakmarrje, po e zgjerojnë ndikimin e tyre në kurriz të Amerikës dhe aleatëve të saj.

    Modelet autoritare të qeverisjes po përparojnë dhe demokracia po gërryhet nga brenda. Kompetenca dhe angazhimi global i Amerikës janë vënë në dyshim, pas unilateralizmit të presidencës Trump dhe tërheqjes së turpshme nga Afganistani.

    Ndërkohë, polarizimi, tribalizmi dhe rritja e anti-liberalizmit brenda vetë SHBA-së, kanë krijuar pasiguri të thellë mbi të ardhmen e demokracisë amerikane. Këto kriza vendosje të brendshme janë shumë shqetësuese në vetvete, por kanë ndërkaq ndikime të dëmshme edhe në çështjet e jashtme.

    Pas 6 janarit, njerëzit në shumë vende demokratike besojnë se sistemi politik i Amerikës është thyer. Prestigji moral që lubrifikon ndikimin global amerikan është në furnizim më të shkurtër. Aleatët amerikanë po pyesin veten mbi perspektivën e rikthimit të Trump në krye të SHBA-së,dhe druhen se polarizimi ekstrem do ta bëjë politikën e jashtme amerikane të rrëmujshme edhe për vitet në vijim.

    Me siguri që Amerikës do t’i duhet të përballet me“demonët e vet”përpara se të mund të përballet me Kinën, Rusinë dhe një mori rivalësh të tjerë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ndërkohë duhet të tërhiqet nga skena globale.

    Arritja e një demokracie të përsosur në vend, nuk ka qenë kurrë një parakusht për mbrojtjen e një rendi të favorshëm jashtë vendit. Shtetet e Bashkuara kanë qenë një fuqi e madhe botërore që nga fillimi i viteve 1900; dhe ajo ka pasur një ndikim të rëndësishëm global që nga krijimi i saj.

    Për pjesën më të madhe të kësaj historie, demokracia amerikane ka vuajtur nga ato që ne tani do t’i konsideronim dobësi të thella. Në dekadat pas pavarësisë, Amerika shërbeu si frymëzim për revolucionarët dhe luftëtarët e lirisë, edhe pse mbajti miliona njerëz në skllavëri.

    Shtetet e Bashkuara luftuan gjatë Luftës së Parë Botërore për ta bërë botën “të sigurt për demokracinë”, në një kohë kur shumica e grave femra ishin të përjashtuar nga e drejta e votës në vend. Një luftë e gjatë kundër një armiku totalitar gjatë Luftës së Ftohtë e detyroi Amerikën të provonte se sistemi i saj ishte vërtetë superior ndaj konkurrencës.

    Kjo është edhe sot një mënyrë e mirë e të menduarit për lidhjen midis çështjeve të jashtme dhe atyre të brendshme. Kur shfaqen rreziqe të huaja, nisma që duken politikisht të vështira -si reformimi i politikës së imigracionit për të tërhequr më shumë punëtorë të kualifikuar, ri-investimi në arsim dhe kërkimin shkencor, mund të bëhen më të realizueshme.

    Projektet e guximshme që janë në vetvete të rëndësishme- lufta ndaj korrupsionit, përmirësimi i infrastrukturës dixhitale dhe fizike të Amerikës, hartimi i një politike industriale të shekullit XXI,fitojnë një rëndësi të shtuar në kuadër të konkurrencës globale.

    Kina po synon që të dominojë Azinë në rrugën drejt epërsisë globale. Rusia po rishikon në mënyrë agresive statuskuonë evropiane. Të dyja vendet po zhvillojnë dhe përdorin një sërë mjetesh, nga dezinformimi tek korrupsioni, që u japin atyre mundësi t’i dobësojnë dhe përçajnë shoqëritë demokratike.

    Dhe të dyja po kërcënojnë të përdorin imponimin dhe agresionin e drejtpërdrejtë për të prishur rendin ndërkombëtar, që ka lejuar lulëzimin e demokracisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Nëse Shtetet e Bashkuara do të mbyllen në vetvete, bota me të cilën do të përballen kur të rikthehen sërish në skenën globale do të jetë një vend shumë më i shëmtuar. Tërheqja e Amerikës do t’u hapte rrugën armiqve të vendosur të liberalizmit që të fitojnë epërsi, një zhvillim që nuk mund të mos i dëmtojë përfundimisht vetë Shtetet e Bashkuara.

    Marrë me shkurtime

    Shënim: Hal Brands është profesor mbi çështjet globale në Shkollën Xhon Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare. Kjo ese bazohet në librin e tij të ri “Lufta e muzgut: Çfarë na mëson Lufta e Ftohtë rreth rivalitetit të sotëm të fuqive të mëdha”.

    Lajmi Paraprak

    Historia: Sanksionet mund të jenë një thikë me dy presa

    Lajmi i rradhës

    Shaqiri nga Lyoni te Chicago Fire

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë