Ankohen bujqit: As shpenzimet nuk mund t’i mbulojmë!

    Deri 40 denarë shitet një kilogram me speca të kuq në tregun e Tetovës dhe nga shitësit që veprojnë jashtë tregut. Shitësit thonë se interesimi është dukshëm më i vogël në krahasim me vitet e kaluara edhe pse çmimi nuk ka ndryshuar shumë. Realisht, tregtarët thonë se çmimi duhet të jetë 1 euro, por në atë rast – shitja do të zvogëlohej shumë. Në të kaluarën, qytetarët blinin më shumë, kurse tani shumë pak, thonë shitësit në tregun e gjelbër në Tetovë.

    “Shitja është shumë e dobët, çmimi është 38 denarë për një kilogram. Nëse viteve të kaluara qytetarët blinin mbi 20 kilogram, tash mezi blejnë 10 kilogram. Nuk ka njerëz, tregu nuk ka njerëz, sot është ditë tregu dhe nuk ka njerëz sikur dikur. Shitje ka, por shumë pak, çmimi është i njëjtë, kurse shpenzimet për të kultivuar specat janë rritur shumë”, thotë Sali Muharemi, tregtar.

    Por, problem në vete për prodhuesit është se janë rritur dukshëm shpenzimet e kultivimit të specave, rritja enorme e derivateve të naftës dhe plehrave artificial dhe më këtë – fitimi është dukshëm më i vogël. Ata që janë prodhues të kulturave bujqësore pohojnë se dukshëm ka rënë shitja në krahasim me vitet e mëparshme.

    “Çmimi nuk është real, nafta është rritur, çmimi i plehrave artificial gjithashtu. Nuk ja vlen tërë mundi që japim, por nuk kemi ku të shkojmë. Para shumë vitesh kemi shitur në Beograd, Zagreb dhe ka patur fitim, tash vijnë njerëzit pyesin për çmimin dhe largohen, u duket shtrenjtë, edhe ata nuk kanë faj, sepse rrogat janë të vogla. Nuk mund të nxjerrim shpenzimet tona në fund të sezonit”, thotë Muhamed Jusufi, bujk.

    Kriza ekonomike, rritja e çmimeve ka bërë që qytetarët shumë pak të blejnë. Bujqit nga Tetova, pohojnë se në fund të sezonit nuk mund të mbulojnë shpenzimet e tyre. Shprehen se kanë dhënë shumë mund, janë kujdesur tërë kohës dhe në fund – fitimi aspak nuk përkon me shpenzimet që janë bërë dhe çmimin që shitet prodhimi i tyre. Nëse do të rritej çmimi, atëherë do të kishte më pak blerës, ankohen bujqit.

    “Ky çmim nuk është i realtë. Kemi harxhuar shumë, kemi dhënë shumë mund, një thes pleh artificial është 1500 denarë dhe çfarë fitimi do të kemi! Nafta është shtrenjtuar, kurse çmimi i specave gati është i njëjtë me vitet e kaluara, njerëzit nuk kanë para të blejnë, nuk ka interesim aspak. Sezonin e mbyllim me borxh dhe jo me fitim”, shprehet Jusuf Zylbehari, bujk.

    Problem në vete për bujqit paraqet edhe mungesa e hapësirave për shitje. Ata thonë se janë të detyruar që prodhimet e tyre ti sheshin në rrugë, ndërsa shteti shpeshherë edhe u shqipton gjoba. Ata kërkojnë vend të përshtatshëm. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Termoizolimi, a do të ndikojë pozitivisht në uljen të përdorimit të enegjisë elektrike?

    Lajmi i rradhës

    Grubi: Ndërhyrjet ruse, shkak për vonesat e autostradës Shkup-Bllacë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë