ANKOHEN MËRGIMTARËT | Afat i shkurtër për ndryshimin e dokumenteve

    Në përputhje me vendimet të institucioneve qendrore të vendit, shtetasit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dokumentet personale me emrin e ri të shtetit duhet t’i realizojnë deri në muajin shkurt të vitit 2024. Në bisedën që patëm me një pjesë të mërgimtarëve që këto ditë kanë ardhur në vendlindje, ata mes tjerash theksojnë se afati është i shkurtër, meqë prezenca e tyre në vendet ku jetojnë dhe vizitat në Ambasadat tona në ato vende janë të kushtëzuara me angazhimet e tyre në vendet e punës. Ata theksojnë se ndoshta do të ishte më mirë një afat më i gjatë meqë një pjesë e tyre jetojnë edhe në qytete të cilët janë shumë larg selive të Ambasadave dhe konsullatave të Maqedonisë së Veriut.

    Të gjithë dokumentet valide personale të cilët kanë emrin e vjetër – Republika e Maqedonisë, nuk do të vlejnë pas afatit 12 shkurtit të vitit 2024. Bëhet fjalë për një ndryshim të emrit në përputhje me Marrëveshjen e Prespës. Por, përveç shqetësimeve që kanë banorët lokal të Dibrës dhe të rajonit, shqetësime rreth afatit, siç thonë të shkurtër prej 6 muajve, kanë sidomos mërgimtarët të cilët në rajonin më perëndimor të vendit janë të shumtë. Bëhet fjalë për ndryshime të cilët duhet të realizohen në kohë, thonë mërgimtarët dhe shtojnë se afati është i shkurtër për të realizuar këtë obligim.

    Pjesa dërmuese e mërgimtarëve nga rajoni i Dibrës, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rotushë jetojnë në Itali, Gjermani dhe Zvicër. Talat Sh. është nga Dibra dhe jeton dhe punon në Romë të Italisë. Ai thotë se duhet të ndryshojë pasaportën, letërnjoftimin dhe patentën e vozitjes, meqë të tre këto dokumente i ka me emrin e vjetër – Republika e Maqedonisë. “Unë ndoshta do ta kem më të lehtë mundësinë për të bërë këta ndryshime në Ambasadën e vendit tonë në Romë. Por dy vëllezërit e mi të cilët jetojnë në pjesën veriore të Italisë do ta kenë më rëndë. Në një bisedë që kemi patur pikërisht në Itali para se të vij në Dibër debatuam rreth këtij problemi dhe ata janë të shqetësuar për afatin e shkurtër për ndryshimin e dokumenteve”, thotë bashkëbiseduesi i jonë.

    Skender T është nga komuna rurale Qendër Zhupë. Ai këto ditë ka ardhur në Dibër me qëllim që të bëjë ndryshimin e dokumenteve personale. Ai thotë se do të tentojë deri sa është në vendlindje të bëj ndryshimin e dokumenteve. Por, shton se një pjesë e mirë e mërgimtarëve në Itali ku jeton e që nuk kanë ardhur këtë verë në vendlindje, kanë shqetësime objektive për ndryshimin e dokumenteve personale, meqë afati është deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm. Takuam në Dibër edhe Tahir V. i cili në njësinë për marrjen e dokumenteve personale kishte ardhur të merr informata për terminin që ka kërkuar për të ndryshuar dokumente. Ai jeton në një fshat në pjesën e Trevizos dhe thotë se shumë larg e ka Romën.

    “Do të tentojë që gjatë sezonit veror pikërisht këtu në Dibër të bëj ndryshim të dokumenteve”, thotë ai.

    Biseduam edhe me disa mërgimtar tanë që jetojnë në Zvicër dhe Gjermani. Ata janë duke shfrytëzuar pushimet verore në Dibër dhe në pyetjen tonë rreth ndryshimit të dokumenteve personale për shkak të emrit të ri vendit, thonë se do të presin muajt e fundit për t’i ndryshuar ata. Ata poashtu shtojnë se ndryshimet të tre dokumenteve kushtojnë para dhe potencojnë se ka reagime edhe për këtë çështje. /koha/

    Lajmi Paraprak

    A ka ende gjasa Barcelona të nënshkruajë me Neymarin?

    Lajmi i rradhës

    Veshja e Lumës së Epërme në RMV mbetet një nga më atraktivet 

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë