Ansambël, galeri… lista me premtime e Qeverisë vazhdon

    Me vendimin e fundit të Qeverisë, në Gostivar do të themelohet institucioni kombëtar – Galeria e Arteve, ndërsa Institutit të Trashëgimisë në Shkup i shtohen gjashtë departamente rajonale. Këto vendime i shtohen listës së vendimeve për institucionalizimin e kulturës, që u mor vitin e kaluar për themelimin e Teatrit muzikor në Tetovë. Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Vlamir Aziri pohon se ndërsa prezantimi i parë i Teatrit muzikor pritet të bëhet në muajin maj hapja e galerisë planifikohet më vonë, pas përfundimit të procedurave që janë në hapat e para. Aziri i quan pjesë e “Programit tonë zgjedhor në fushën e kulturës që vazhdon të zbatohet edhe në praktikë”, që do të zgjerohet edhe me iniciativa të tjera.

    “Hapja e një institucioni të tillë në Gostivar është i shumëpritur nga artistët dhe artdashësit dhe erdhi me kërkesën e artistëve dhe me iniciativë të deputetëve të BDI. Ndërsa Teatri muzikor për momentin mund të themi se ka nisur punën me krijimin e bordit dhe së shpejti mund të shohim edhe prezantimin e tyre të parë”, thotë Aziri. Teatri muzikor do të vendoset në Qendrën e kulturës të Tetovës, po ashtu si edhe Galeria e Gostivarit që do të vendoset në Qendrën e Kulturës së qytetit.

    Galeria e Gostivarit do të jetë institucioni i tretë nacional që themelohet brenda harkut kohor të 15 viteve, pas Qendrës së Konservimit më vitin 2008 dhe i Teatrit në vitin 2018. Por pavarësisht kohës së gjatë të funksionimit institucionet që lidhen me kulturën shqiptare kanë hasur në vështirësi, si gjetja e ambienteve të përshtatshme, rikonstruktimi i tyre, fushëveprim i cunguar, por edhe mungesë të profileve të domosdoshme të punonjësve, historianë arti, arkitektë, arkeologë… e të tjerë.

    “Më shumë vështirësi hasim në profile si arkeologë, restaurues…., por kjo është një arsye më shumë që të nxisim përgatitjen e kuadrove në këto profile”, thotë Aziri. Mungesa në kuadrin profesional janë hasur si në Qendrën e Konservimit në Gostivar, ashtu edhe në Muzeun e Alfabetit në Manastir. Ndërsa rikonstruktimi dhe ndërtimi i objekteve të reja shtyhet prej disa vitesh, si Biblioteka dhe Teatri i Tetovës, projekti kapital që do të vazhdojë të figurojë ende në listën e programit zgjedhor në fushën e kulturës. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kafshata e pangrënë

    Lajmi i rradhës

    JETESA POST-KOVID NË RMV | Te shumë të rinj, sulme në tru

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë