Myftiu i Ukrainës del kundër Kadirovit: Muslimanët të ndihmojnë Ukrainën kundër Putinit (Video)

    Myftiu i Bashkësisë Islame të Ukrainës “Umma”, Said Ismagilov, nëpërmjet një video u ka bërë thirrje muslimanëve të botës që ta ndihmojë Ukrainën kundër Rusisë, me qëllim që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin të ndalojë luftën për shkak të pasojave të mëdha, përcjell Nistori.

    “Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju, të nderuar motra dhe vëllezër. Quhem Shejh Said Ismagilov. Jam Myftiu i Bashkësisë Islame të Ukrainës “Umma”. Në këtë video të shkurtër u bëj thirrje të gjithë muslimanëve të botës. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës do të na vrasë neve, do ta vrasë popullin tonë, do ta shkatërroj shtetin tonë, do shkatërroj lirinë tonë. Fillimisht, kjo është një luftë e padrejtë agresioni, ku trupat e Putinit vrasin civil dhe shkatërrojnë shtëpi, vrasin gra dhe fëmijë. U bëj thirrje të gjithë muslimanëve të botës të jenë në anën tonë. Mbështesni Ukrainën, përkraheni me fonde, me informacione, ushtarakisht”, deklaron Myftiu.

    Ismagilov thotë se besimtarët e fesë Islame ndjehen të lirë në praktikimin e besimit, ndërsa muslimanët në Rusi trajtohen pa asnjë respekt nga shteti dhe i trajton si komunitet i dorës së dytë.

    “Bëni çmos që ta ndalojmë Rusinë e Putinit që Ukraina të qëndrojë vend i lirë dhe shtet i pavarur, ku Islami respektohet, ku kemi të drejta dhe liri, ku muslimanët e Ukrainës janë të lirë ta praktikojnë Islamin dhe janë pjesë organike e Ukrainës. Përkundrazi nga pushtuesit rus, ku muslimanët nuk mundet të bëjnë asgjë, ku muslimanët janë njerëz të dorës së dytë, të cilët shteti dhe populli i trajton pa asnjë respekt. Jemi vend i përparuar europian dhe muslimanët e Ukrainës janë pjesë e saj. Për këtë ju bëjmë thirrje të gjithë muslimanëve të botës të jenë në anën tonë, të na ndihmoni dhe të na përkrahni me çdo ndihmë të mundshme. Me informacione, lutje, para dhe me gjithçka që gjendet në dispozicionin tuaj. Ju bëj thirrje për hir të drejtësisë, për hir të All-llahut të Madhëruar. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju, të nderuar vëllezër dhe motra”, shton ndër të tjera Myftiu i Ukrainës, Shejh Said Ismagilov.

    Ndryshe, kjo thirrje e Myftiut vjen menjëherë pasi kryetari i Çeçenisë, Ramazan Kadirov angazhoi ushtrinë çeçene që t’i bashkangjitet ushtrisë ruse kundër Ukrainës.

    Vlerësimet e popullsisë myslimane të Ukrainës ndryshojnë. Myslimanët përbëjnë vetëm rreth 0.9% të popullsisë së Ukrainës, por deri në 12% në Krime. Në Ukrainë në numër të përgjithshëm mendohet të ketë afro 1 milion banorë musliman.

    Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si “operacion special”. Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Zekiri mbështet ministren Sllavjanka: Asnjë grua nuk duhet të jetë shënjestër e gjuhës së urrejtjes

    Lajmi i rradhës

    Të kripura apo të ëmbla në mëngjes, çfarë këshillohet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë