Arsovska mohon të ketë pasur marrëveshje me Aleancën dhe Alternativën

    Koalicioni i deridjeshëm opozitar Aleanca-Alternativa mund të mbeten pa asnjë drejtor, edhe përkundër mbështetjes që i dhanë Danella Arsovskës për të fituar qytetin e Shkupit.

    Në një takim me gazetarët Arsovska, mohoi të ketë pasur marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe Aleancës e Alternativës për ndarjen e drejtorive në Qytetin e Shkupit. Arsovska tha se në këto ndërmarrje nuk duhen parti, por kuadër cilësor.

    “Me ndërmarrjet do të drejtojnë njerëz që janë cilësor, nuk do të drejtojnë partitë. Këta njerëz pikë së pari duhet të jenë të aftë të cilët do të mund të garantojnë se do të arrijnë t’i realizojnë të gjitha qëllimet që kemi në program. Duhet fillimisht të përpiqen të ulin shpenzimet dhe të bëjnë që ndërmarrjet të mos jenë në humbje. Jo, nuk kemi pasur asnjë marrëveshje”, tha Danella Arsovska- kryetare e Qytetit të Shkupit.

    Aleanca për Shqiptarët nuk pajtohet me qëndrimin e Arsovskës. Sipas kësaj partie marrëveshje ka dhe presin që ajo të realizohet.

    “ Sigurisht që mbështetja ndaj zonjës Arsovska nuk është dhënë vetëm për pozicione. Është dhënë si rezultat i bindjes tonë se qyteti i Shkupit mund të menaxhohet më mirë seç është menaxhuar deri tani dhe unë them që ka marrëveshje dhe presim që ajo marrëveshje të realizohet”, deklaroi Elmi Aziri- ASH.

    Një muaj më parë edhe kryetari i Alternativës së atëhershme opozitare, Afrim Gashi deklaroi se ka pritje se do të marrin drejtori.

    “Natyrisht ka pas premtime se ne do kemi disa ndërmarrje, do kemi disa drejtori, do jemi pjesë e pushtetit me ta, por ende nuk ka asgjë konkrete”, tha Afrim Gashi-kryetar i Alternativës.
    Marrëveshja parazgjedhore nuk u mohua as nga kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski.

    “ Që ta kemi më të qartë z. Mickovski, Alternativës a do t’i jepni drejtori në Qytetin e Shkupit? Apo veçse janë ndarë drejtoritë për Aleancën për Shqiptarët, duke përjashtuar Alternativën?
    Parimisht kemi biseduar për atë se kush do të jetë kryetar i Këshillit dhe nënkryetare. Po, dhe tani të gjithë që janë pjesë e asaj marrëveshje, të ulemi në tavolinë dhe të dakordohemi se si do të funksionojmë më tej, por do të them parimisht të flasim më shumë për cilësi, ndërsa mendoj se shumë shpejt do të dakordohemi”, deklaroi Hristjan Mickoski- kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Në kuadër të Qytetit të Shkupit funksionojnë gjithsej 8 ndërmarrje publike, 8 ndërmarrje kulturore publike dhe 22 shkolla të mesme. Për momentin ushtrues detyre drejtorë janë emëruar në ndërmarrjet NQP- Shkup, Drisla, Laika, Parqet dhe Gjelbërimi dhe Rrugët dhe Rrugicat dhe në Kopshtin zoologjik-Shkup./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Për import në Gjermani, kompanitë duhet të plotësojnë standardet ekologjike

    Lajmi i rradhës

    Mariçiq i propozon presidentit që Sead Koçan të falet për gjashtë muaj nga koha e mbetur në burg

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë