As dënimet nuk i vetëdijesojnë vozitësit

    Foto ilustruese

    Shpejtësia e lartë vazhdon të jetë rreziku më i madh që u kanoset këmbësorëve dhe pjesëmarrësve në trafikun e qytetit të Tetovës. Përveç se nuk respektohen rregullat e përgjithshme të trafikut, nuk respektohet as shpejtësia. Këtë e thonë vetë kalimtarët e rastit të cilët thonë se nuk janë të sigurt në trafik dhe se shpesh kanë qenë të rrezikuar nga vozitësit e shpejtë. Madje disa prej tyre kanë qenë edhe dëshmitarë të aksidenteve të shumta. “Ndihemi shumë të rrezikuar, edhe nuk ndalen fare. Gjysmë ore nuk mund ta kalosh rrugën. Me shumë vështirësi ecim në këtë rrugë. Nuk e di çfarë të them. Të rinjtë më shumë shpejtojnë. Nuk kanë fare durim. Këtu duhet të qëndrojë patjetër ndonjë polic, nëse nuk qëndron polici edhe ndeshje ka. Para dy ditësh e goditi vetura një biçiklist”, thotë një banor i Tetovës.

    Nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës thonë se po bëjnë gjithçka që është e mundur për të parandaluar aksidentet. Sipas tyre, janë shpeshtuar patrullat policore të komunikacionit, duke matur shpejtësinë e mjeteve dhe duke i kontrolluar për detaje tjera. Vetëm këtë verë, janë sekuestruar 18 automjete të cilat kanë qenë si të dyshuara për pjesëmarrje në gara të egra, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë. Sipas tij, vetëm gjatë ditës së martë në rajonin e Pollogut janë shqiptuar 79 shkelje që kanë të bëjnë me tejkalimin e shpejtësisë. “Zyrtarët e policisë të SPB-Tetovë kanë vazhduar me aktivitete të intensifikuara kontrolluese për rend dhe siguri më të madhe në komunikacion në rajonin e gjerë të Pollogut. Kështu që gjatë ditës së martë në periudhën prej orës 05:00 deri në ora 11:00 është kryer kontroll i intensifikuar për shpejtësinë e lëvizjes së mjeteve gjatë së cilës janë konstatuar dhe sanksionuar 79 shkelje të tejkalimit të shpejtësia maksimale e lejuar. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, efektivë të policisë rrugore, në bashkëpunim me shërbimin e merimangës, kanë marrë 32 automjete të parkuara gabimisht, të cilat në pjesën më të madhe kanë qenë në rende të dyfishta në rrugë, duke penguar rrjedhën normale të qarkullimit. Të gjithë shkelësve u janë përgatitur dhe parashtruar parashtresat përkatëse, ndërsa drejtuesit më të shpejtë të cilët kanë tejkaluar shpejtësinë do të përballen me masë mbrojtëse ndalim të vozitjes brenda 3 deri në 12 muaj varësisht nga shpejtësia e tejkaluar”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovës.

    Rruga më rrezikshmëri më të lartë është industrialja, ku thuaj se çdo vit ka pasur jetë të humbura si pasojë e mos përshtatjes së shpejtësisë, por ndonjëherë edhe nga këmbësorët e pakujdesshëm. Para dy vitesh u formua një këshill iniciues i qytetarëve të kësaj zone te cilët kërkonin vendosjen e pengesave në rrugë, për të ulur shpejtësinë e automjeteve, por edhe ndarjen fizike të rrugës. Pas vendosjes së pengesave të shtrira, udhëheqësit paraprak të Komunës së Tetovës premtuan se ndarjen fizike do e përfundojnë deri në fund të mandatit por një gjë e tillë nuk ndodhi. As udhëheqësia aktuale nuk ka ndërmarrë diçka konkrete për të rritur sigurinë për këmbësorët në rrugën industriale. Policia u apelon shoferët dhe këmbësorët që të respektojnë rregullat dhe rregulloret ligjore në komunikacion, të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të rrugës dhe rregullave të parapara, të mos ulen para timonit nëse janë nën ndikimin e alkoolit, të kenë kujdes se ku i parkojnë automjetet. Edhe pse policia shqipton dënime të shumta, megjithatë assesi të ulet vetëdija që drejtues të automjeteve të vetëdijesohen dhe të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Diazepami konsumohet si bonbon!

    Lajmi i rradhës

    Siguria Kibernetike Institucionale: Të dhënat “urdhëroni merrini”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë