ASh: Qeveria dhe KRrE krijuan kaos me sistemin e ri tarifor dhe rritjen marramendëse të çmimit të energjisë elektrike

    Qeveria së bashku me KRrE-në krijuan kaos me aprovimin e sistemit të ri tarifor për energjinë elektrike dhe rritjen marramendëse të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë e sidomos për konsumatorët e biznesit të vogël, rritje e cila solli efekte të padëshiruara e negative në tregun ekonomik në vend, kështu shprehet departamenti i ekonomisë nga Aleanca për Shqiptarët, njofton Nistori.

    “Rritja e çmimit të energjisë elektrike në një kohë kur treguesit e varfërisë janë në rritje, ndërsa treguesit e zhvillimit ekonomik dhe ato të të ardhurave për qytetarët janë në rënie të vazhdueshme, është shprehje e një cinizmi të skajshëm, karakteristik për qeveritë që humbasin çdo lidhje me realitetin.  Gjatë muajit qershor 2022, KRrE aprovoi një rritje prej mbi 60% të çmimit të treguesit të furnizimit të energjisë elektrike për konsumatorët e biznesit të vogël, me çka çmimi final i furnizimit dhe distribuimit me energji elektrike ishte në nivelet prej 279 € per MWh, një çmim shumë herë më i lartë krahasuar jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe me disa vende të tjera anëtare të BE-së dhe me ekonomi më të zhvilluar. Ky çmim i lartë për këtë kategori konsumuese, ishte një goditje e rëndë dhe vrastare për biznesin e vogël, me çka shumë biznese u mbyllën në pamundësi për të ekzistuar, duke lënë pa punë mijëra familjarë. Pasi krijoi këtë kaos dhe pasi hasi në kundërshtim të ashpër të Aleancës për Shqiptarët, dhomave ekonomike dhe shoqatave të biznesit për këto rritje marramendëse të çmimit të energjisë elektrike për kategorinë konsumuese të biznesit të vogël, qeveria aktuale ishte e detyruar të reflektojë dhe më 29.12.2022 aprovoi ulje të çmimit të energjisë elektrike për këtë kategori konsumuese, ulje e cila i faturohet si sukses  kundërshtimeve të zëshme e të arsyeshme të faktorëve të lartpërmendur, e jo kësaj qeverie, e cila numëron vetëm mos-suksese, skandale e korrupsion. Por, edhe pse çmimi për këtë kategori pëson ulje, përsëri ai është shumë i lartë për një pjesë të theksuar të artizanateve dhe shërbimeve që ofron kjo kategori konsumuese. Aleanca për Shqiptarët e këshilloi dhe i ofroi qeverisë aktuale një opsion që edhe për këtë kategori konsumuese të aprovojë fasha (bllok) tarifa, ku në fashën e parë e të dytë çmimet të jenë më të ulëta e të arsyeshme, ndërsa fasha e tretë e ajo e katërt të kenë çmimet aktuale, por fatkeqësisht e njëjta nuk u pranua.” – kumtojnë nga Aleanca.

    ASh informon opinionin publik se gjatë vitit që lamë pas, në mungesë të prodhimit vendor dhe politikave të gabuara gjatë këtyre 30 viteve në sferën e energjetikës, për përballimin e nevojave për furnizim me energji elektrike, përmes prokurimit publik u importua energji elektrike për të cilën nga buxhetit i shtetit u ndanë mbi 400 milionë euro, para të taksapaguesve të këtij vendi. 

    Lajmi Paraprak

    Tetova dhe Kërçova, qytetet me ajrin më të ndotur në vend

    Lajmi i rradhës

    “Shteti të na lirojë nga tatimet, të na subvencionojë që të mbijetojnë zanatet”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë