Kryeministri Hristian Mickoski konfirmoi sot dy çështje që deri më tani disa nga vartësit e tij (VLEN) kanë tentuar t’i mohojnë ose manipulojnë, duke i cilësuar ato si fakte të pamohueshme. Sipas Aleancës për Shqiptarët (ASh), juristët e rinj shqiptarë kanë të drejtë që provimin e jurisprudencës ta mbajnë në gjuhën shqipe. Për këtë arsye, ASh kërkon që ministri aktual i drejtësisë të japë dorëheqje, pasi sipas partisë ai ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën.
“Ministri i drejtësisë duhet të shkarkohet pasi ka shkelur edhe ligjet edhe vetë Kushtetutën si aktin më të lartë juridik në vend”, thuhet në reagimin e ASh.
Partia thekson gjithashtu se me ndryshimet e vitit 2018 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që ishin kusht i ASh për qeverinë e atëhershme, gjuha shqipe është bërë gjuhë zyrtare në të gjithë vendin dhe në nivel qendror.
“Me ndryshimet e vitit 2018 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në gjithë vendin dhe në nivel qëndror”, theksojnë nga ASh.
Megjithatë, Aleanca për Shqiptarët vlerëson se nuk mjafton vetëm një deklaratë e kryeministrit, por nevojiten veprime konkrete për zbatimin e ligjit dhe të drejtave të shqiptarëve. Partia kërkon largimin e individëve që kanë mbajtur qëndrime kundër gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve, duke përfshirë ministrin aktual të drejtësisë.
Më tej, ASH kërkon nisjen urgjente të procedurës për ndryshimin e të gjitha ligjeve dhe akteve nënligjore, në mënyrë që ato të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe Amendamentin V të Kushtetutës.
“Nëse nuk ndodh kjo, deklarata e sotme e kreut të Qeverisë mund të vlerësohet vetëm si një tentim aktrimi për tu dukur politikan i moderuar dhe i mirë ndaj shqiptarëve, në një kohë që Qeveria dhe institucionet veprojnë të kundërtën”, përfundon reagimi i ASh.






