“Asimilimi i maqedonasëve, interes rus”

    VMRO-DPMNE nuk do të heq dorë nga qëndrimi se nuk do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese. Qëndrimin e përsëriti kryetari i partisë Hristijan Mickoski, i cili përkujtoi se sipas opozitës, përmes propozimit të pranuar nga viti i kaluar do të bëhet i mundur asimilimi i popullit maqedonas. Në këtë synim të Sofjes zyrtare, siç shtoi Mickoski, Bullgaria gjithmonë ka pasur mbështetjen e Rusisë dhe për këtë arsye i ka bërë thirrje Evropës që të mos lejojë që interesat ruse të realizohen në Ballkan.

    “Në histori, sa herë që Bullgaria ka tentuar ta asimilojë popullin maqedonas ose ta mohojë identitetin maqedonas, pas atij veprimi qëndron gjithmonë mbështetja e Rusisë, përkatësisht interesave ruse në Ballkan”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Nga ana tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se janë duke biseduar me deputetët e opozitës për të mbështetur ndryshimet kushtetuese, të bazuara në vlera dhe parime. Ai përsëri bëri thirrje për bashkim të gjerë në mbështetje të rrugës së integrimit evropian të vendit. Megjithatë, së fundmi qeveria humbi mbështetjen e pakushtëzuar të bllokut opozitar shqiptar, i cili kërkoi që në hapjen e Kushtetutës të ndryshohet formulimi “20%” në “gjuhë shqipe”. Ndryshe, tri partitë opozitare, BESA, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, siç kanë bërë të ditur, nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese.

    Kryeministri Kovaçevski theksoi se sipas grupit punues që i ka përpiluar propozim-ndryshimet, proces kyç janë integrimet evropiane dhe janë mbajtur në përmbushjen e obligimeve që Shkupi i ka marrë ndaj Brukselit. Lidhur me termin e përdorur për gjuhën shqipe, Kovaçevski tha se duhet konsensus më i gjerë për ta ndryshuar atë, sepse formulimi është dakorduar në kuadër të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

    “Marrëveshja Kornizë është miratuar në kushte të vështira, përmes një kompromisi të garantuar si nga SHBA-ja, ashtu edhe nga BE-ja dhe çdo ndryshim aty natyrisht do të kërkojë konsensus më të gjerë nga të gjitha partitë politike që janë nënshkruese. Prandaj them që tani kemi objektiv të madh, të cilin e kemi në dorë dhe duhet ta arrijmë”, thotë Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

    Përfaqësuesit e qeverisë shprehën besimin se procesi i ndryshimeve kushtetuese do të përfundojë deri në fund të vitit. Megjithatë, ende nuk ka njoftim se kur kryeparlamentari Talat Xhaferi do ta caktojë vazhdimin e seancës, në të cilën mbetet vetëm votimi për hapjen e Kushtetutës, për të cilën është e nevojshme shumica e dy të tretave. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kasami: Po, propozim ligjit për amnisti, por jo në formën që është prezantuar

    Lajmi i rradhës

    Opozita shqiptare përpiqet të sigurojë një anëtar në KShZ

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë