Opozita shqiptare përpiqet të sigurojë një anëtar në KShZ

    Një përpjekje e opozitës shqiptare për të nxitur zgjedhjen e një anëtari të ri në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve rezultoi e pasuksesshme në Kuvend. Deputeti i Lëvizjes Besa Fadil Zendeli kërkoi që kreu i Kuvendit Talat Xhaferi të marrë parasysh kërkesën e tyre dhe të shpallë të hapur procedurën për zgjedhjen e anëtarit të ri. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është me një anëtar më pak, pasi Krenar Lloga, mori rolin e ministrit nga shkurti i këtij viti. Opozita shqiptare vlerëson se tani ky post në KSHZ i takon asaj, pasi ASH-ja është tashmë në pushtet.

    “Kjo nuk është çështje diskutimi ose pazari politik. Kjo është e paraparë me Kodin zgjedhor dhe unë dua të plotësohet një boshllëk që duhet ta bënte kryetari i Kuvendit. Ai duhet të kujdeset që vendet në institucionet që nuk janë plotësuar, të plotësohen. Mendoj se nuk e ka qasjen e njëjtë kur në institucione ose në komisione duhet të bëhen emërime nga partia e tij. Atëherë është shumë i shpejtë për propozimet që i bën por kur thotë diçka nga opozita, situata ndryshon. Duhet ta lusim, kurse unë mendoj se kjo çështje s’është për lutje”, deklaroi Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

    Zendeli thotë se këtë kërkesë e ka bërë që në seancën paraprake, por nuk është marrë parasysh. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi thotë se kërkesat nuk janë materiale formale që shqyrtohen në seancë plenare.

    “Një million herë u kam thënë, keni Rregullore, keni ligj, keni gjithçka. Kërkesa nuk është material që vendoset si pikë e rendit të ditës. Nëse e bëni këtë gabim ju si profesor i të drejtës administrative, çfarë të bëj me të tjerët? Duhet ta lexoni Rregulloren dhe të veproni në bazë të Rregullores, kurse në konferencë për media dilni secilën ditë, s’është problem”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

    Sipas Kodit zgjedhor, në krye të KSHZ-së qëndron i përzgjedhur i opozitës, të cilës i takojnë edhe dy anëtarë të tjerë, kurse nga radhët e pushtetit zgjidhen katër anëtarë. Pas kalimit të Aleancës për Shqiptarët në pushtet, opozita aktuale shqiptare beson se tani i takon asaj pozita e një anëtari. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Asimilimi i maqedonasëve, interes rus”

    Lajmi i rradhës

    Tetova nuk është aspak e përshtatshme për personat me nevoja të posaçme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë