Askush në Tetovë nuk kujdeset për qentë endacakë, në vend të trajtimit – helmohen! (Video)

    Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për qentë endacakë në nivel lokal, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami duket i pafuqishëm për ta zgjidhur atë, kjo pasi kërkon një strategji kombëtare për menaxhimin e qenve, pasi të njëjtët përbëjnë rrezik për qytetin, shkruan Nistori.

    Ndërprerja e kontratës me Amos Pet dhe pritja deri te ndërtimi i një strehimore, nënkupton se momentalisht në Tetovë askush nuk kujdeset për qentë endacakë. Strehimorja do të ishte zgjidhje afatgjate për qentë endacakë, por për këtë duhet të presim edhe tre muaj të tjerë, të paktën kështu premtoi kryetari Kasami herën e fundit (20.06.2023).

    “Nuk e kemi zgjidhur problemin, por do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Punojmë në drejtim të ndërtimit të një strehimoreje – projekt më afatgjatë. Në Tetovë nuk është punuar me kohë në këtë drejtim dhe nuk mund të presim për një periudhë shumë të shkurtër ta zgjidhim si problem”, theksoi Kasami.

    “Tashmë (ndërtimi i strehimores) nuk ka të bëjë vetëm me procedurat që janë të komunës së Tetovës, ka të bëjë me Inspektoratin Shtetëror dhe Agjencinë e Veterinarisë me të cilat jemi në koordinim të rregullt për kushtet dhe rregullativën e cila përcakton se si mund të jetë një strehimore…Unë besoj për një periudhë jo më gjatë se tre muaj, do të kemi një strehimore për qentë endacakë”, shtoi Kasami ndër të tjera.

    “QENTË ENDACAKË I SJELLIN ME FURGONA DHE VETURA”

    Kasami kërkoi nga qytetarët që t’i filmojnë dhe t’i denoncojnë rastet në komunë dhe në polici, pasi ka ankesa se në mënyrë ilegale sillen në Tetovë qentë endacakë, edhe atë me furgona dhe vetura.

    “Ftoj qytetarët të bashkëpunojnë me Komunën edhe policinë në denoncimin e rasteve, sepse tek unë vijnë informata në baza ditore nga qytetarët të cilët thonë se kanë vërejtur automjete që ka sjellë qen endacak”, tha Kasami.

    Të dhënat e fundit nga SPB Tetovë tregojnë se në vitin 2023 ka rritje të numrit të denoncimit nga qytetarët për kafshime nga qentë endacakë, edhe atë janë denoncuar 45 kafshime në Tetovë dhe 23 në Gostivar.

    Çfarë thotë veterineri Rami Selmani?

    Veterineri Rami Selmani thotë se në Tetovë tash për tash qentë janë një rrezik potencial, pasi që të njëjtët nuk janë të vaksinuar edhe trajtuar. Sipas tij, ata janë agresivë edhe rrezik, ndërsa mënyra më e mirë është që të njëjtët të trajtohen 12 muaj, duke u kastruar vaksinuar edhe vendosjen e çipëve.

    “Nëse nuk merren masa pa ndërprerë edhe të ketë një buxhet të arsyeshëm për këtë punë , përndryshe do të ketë shumë kafshime ë Tetovë pasi që edhe qëndrojnë në tufë edhe kjo bën një rrezik të madh për qytetarët. Të paktën duhet vaksinohen , pra me vaksinë kundër tërbimit, të streliziohen, kastrohen edhe e përsëris përsëri duhet të lëshohen në të njëjtin vend“, tha Rami Selmani, veteriner.

    Në vend të trajtimit, helmohen qentë endacakë

    Aktivisti Agron Arifi për Nistori thotë se ditëve të fundit në rrjetet sociale shohim fotografi të qenve të helmuar dhe kjo vjen si paaftësi e komunës.

    “Për fat të keq situata në terren është e tmerrshme. Ditëve të fundit në rrjetet sociale qarkullojnë fotografi me qen të helmuar! Kur komuna nuk është në gjendje të marrë masa, si duket qytetarët janë të “detyruar” të bëjnë veprime anti ligjore. Menaxhimi i dobët i komunës duke u thirrë në arsyetimin “llogaria bankare e bllokuar” e largoi shoqatën pa e përmbushur as kontratën qe e kishin paraprakisht, edhe pse efikasiteti në terren ishte shumë për të dëshiruar edhe nga ana e tyre”, shprehet Arifi nga MMPT.

    Sipas tij, në Strumicë para disa muajve u ndërtua një stacionar për strehimin e qenve endacakë me mundësi për adoptimin e tyre nga qytetarët. Një projekt i tillë është i mundshëm në komunën e Tetovës, por si duket “interesi” i udhëheqësisë komunale për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë është i vogël.

    Fotografia është marrë nga profili i Berty Albert në Facebook

    Problemi i theksuar me qentë endacakë është edhe në nivel të komunave të Pollogut, por pavarësisht se komunat tjera kanë treguar gatishmëri për strehimoren, problemi vazhdon të mbetet i njëjtë. /Nistori/

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

    Lajmi Paraprak

    NOTAT PA MERITË | Nxënësit, dëshmitarë të notave pa meritë, “prindërit të mos kërkojnë lidhje për fëmijët

    Lajmi i rradhës

    Dhuna në shkolla, në Maqedoninë e Veriut 1 në 3 fëmijë nuk ndihet i sigurt

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë