NOTAT PA MERITË | Nxënësit, dëshmitarë të notave pa meritë, “prindërit të mos kërkojnë lidhje për fëmijët

    Më shumë se gjysma e nxënësve nga tre shkolla fillore të Shkupit kanë deklaruar se kanë qenë dëshmitarë të notave të pa-merituara, të vendosura nga mësimdhënësit si pasojë e intervenimit të prindërve. Duke i kumtuar këto rezultate, kryetarja e Antikorrupsionit Biljana Ivanovska tha se fushata për ndërgjegjësim kundër korrupsioni u nis për fëmijët, por dukshëm është i nevojshëm edhe për prindërit dhe mësimdhënësit.

    Në anketat e deritashme fëmijët ishin shumë të sinqertë dhe më shumë se gjysma prej tyre, rreth 60 – 70% kanë thënë se kanë qenë dëshmitarë të notave pa meritë, kurse shkaku është se prindërit kanë kërkuar lidhje. Apeli duhet të jetë për të gjithë, jo vetëm për fëmijët, këtu janë edhe prindërit në shtëpi dhe mësimdhënësit në shkolla,” tha Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit.

    Pjesa më e madhe e prindërve, s’duan t’ia dinë për nota tjera përpos 5 dhe për të arritur këtë sukses të paktën formal të fëmijës, gjejnë lidhje të ndryshme deri te mësimdhënësit. Sipas Ivanovskës, kjo situatë është dëshpëruese.

    “Ata gjithmonë kërkojnë ndihmë nga prindërit. Domethënë, nuk duhet këtë ta bëjnë, duhet vetë të luftojnë, me dijen e tyre, me aftësitë e tyre, dhe jo me ndihmë të prindërve t’i marrin notat, sepse siç thashë perceptimi 92 për qind se prindërit kërkojnë lidhje dhe kjo është dëshpëruese. Duhet patjetër të punojmë në këtë drejtim, nuk është me rëndësi që të gjithë të jenë me nota pesë, për këtë ka nota nga njëshi deri te pesësha, e rëndësishme është që nota të jetë e merituar dhe të marrin dije dhe jo vetëm notë,” u shpreh Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit.

    Në këtë mënyrë, te fëmijët nga një moshë e njomë rrezikon të krijohet kultura e korrupsionit dhe në sytë e tyre, kjo dukuri të normalizohet. Se kjo situatë është aktuale, tregon fakti që përderisa një pjesë e madhe e nxënësve në vend kalojnë me nota të mira, ndërsa në matjet e fundit të testimit ndërkombëtar PISA, Maqedonia e Veriut ishte thuajse në fund të listës si për lexim dhe matematikë, ashtu edhe për shkencat natyrore.

    Ndryshe, fushatën edukuese “Bëhuni heronj të ndershmërisë”, komisioni Antikorrupsion e ka nisur më 16 maj dhe plani është që të shtrihet në gjithsej 16 shkolla përgjatë vitit. Me qëllim që nxënësit më lehtë ta kuptojnë se çfarë është korrupsioni dhe cilat janë format e tij, të angazhuar janë edhe aktorë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Shukova: Të mos ndërtohen objekte që rrezikojnë liqenin e Ohrit

    Lajmi i rradhës

    Askush në Tetovë nuk kujdeset për qentë endacakë, në vend të trajtimit – helmohen! (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë