Asnjë shqiptar në listën e bashkëpunëtorëve të jashtëm të presidentes Siljanovska

    Honoraret e bashkëpunëtorëve të jashtëm në Villa Vodno: të gjithë këshilltarët e presidentes, Gordana Siljanovska Davkova

    Deri më tani janë paguar mbi 70.000 euro për shërbimet e bashkëpunëtorëve të jashtëm, të angazhuar për çështje të ndryshme – politike, juridike, komunikative dhe financiare. Sipas të dhënave të siguruara nga “Sloboden Pechat”, të marra nga Zyra e Presidentes së Shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, honoraret për këta bashkëpunëtorë të jashtëm variojnë nga 30.000 deri në 60.000 denarë në muaj, përcjell Nistori.

    Ilija Dimovski, i punësuar si bashkëpunëtor i jashtëm profesional dhe këshilltar politik për çështje që lidhen me funksionimin e sistemit politik, në periudhën nga 13.12.2024 deri më 31.5.2025, ka marrë honorar më të lartë: 60.000 denarë në muaj (gjithsej 300.000 denarë). Të njëjtën shumë ka marrë edhe Marija Vesova, si bashkëpunëtore e jashtme eksperte për përgatitjen e analizave për çështje të politikës së brendshme në hapësirën mediatike. Megjithatë, angazhimi i saj zgjati vetëm një muaj e gjysmë, nga 15.4.2025 deri më 31.5.2025.

    Si bashkëpunëtore e jashtme për dhënien e mendimeve, rekomandimeve dhe konsultimeve në fushën e drejtësisë dhe sistemit gjyqësor, është punësuar Tanja Altanjieva, e cila e këshillon presidenten që nga 1.11.2024 e deri më tani, me pagesë mujore prej 50.000 denarësh (gjithsej 550.000 denarë). Për një honorar të njëjtë: 50.000 denarë në muaj – nga 17.7.2024 punon edhe Denis Jagdzi, i angazhuar për çështje që kanë të bëjnë me fotografimin e ngjarjeve dhe ceremonive zyrtare.

    Jasmina Mironski, që nga 1 prilli, është e punësuar si bashkëpunëtore e jashtme për strategji komunikimi me pagesë mujore prej 50.000 denarësh (deri më tani gjithsej 300.000 denarë). Bashkëpunëtori më jetëgjatë i jashtëm është Dragan Lakovski, i cili merret me çështje që lidhen me sistemet dhe rrjetet kompjuterike dhe, që nga 1.1.2024 e deri më tani, merr pagesë mujore prej 50.000 denarësh.

    Goran Icevski është punësuar si bashkëpunëtor ekspert i jashtëm për organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve për përmirësimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar. Ai punon që nga 15 prilli i këtij viti për një pagesë mujore prej 50.000 denarësh.

    Aleksandar Paunovski punon në çështje që kanë të bëjnë me krijimin e përmbajtjeve audiovizuale dhe është punësuar më 29 prill për 40.000 denarë në muaj. Nga 1.6.2025, Lina Rangelova është punësuar në kabinet si bashkëpunëtore e jashtme për çështje që lidhen me rininë, për një pagesë mujore prej 30.000 denarësh.

    Për pesë muaj, nga 3 janari deri në fund të majit, Hristo Ivanovski ka punuar në kabinet si bashkëpunëtor ekspert i jashtëm, përkatësisht si këshilltar për çështje të politikës së brendshme, me pagesë mujore prej 40.000 denarësh.

    Vitin e kaluar, nga 20 maji deri në fund të vitit, Zlatko Jankovski ishte bashkëpunëtor ekspert i jashtëm për dhënien e mendimeve, këshillave, konsultimeve dhe rekomandimeve për çështje që lidhen me integrimin evropian, politikat e BE-së, analizat dhe informacionet mbi proceset aktuale në kuadër të negociatave me BE-në dhe institucionet e saj. Kompensimi i tij mujor ishte 30.000 denarë.

    Në përgjigjen e marrë nga Kabineti i Siljanovska Davkovës thuhet se “baza për angazhimin e këtyre individëve është përcaktuar në Nenin 5 të Vendimit për Organizimin dhe Fushëveprimin e Punës së Kabinetit të Presidentit”, i cili përcakton se: “Institucione shkencore dhe profesionale, si edhe punonjës të shquar shkencorë e profesionalë, mund të angazhohen në punën e Kabinetit”.

    Presidentja e Shtetit, në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese, themeloi Komisionin për Dekorime dhe Mirënjohje dhe Komisionin për Falje si trupa të përhershme pune, të përbërë nga një kryetar dhe anëtarë. Të gjithë ata marrin kompensim, pra honorar për çdo seancë të mbajtur. Komisioni për Dekorime dhe Mirënjohje ka mbajtur tre seanca në periudhën nga 16.1.2025 deri më 14.3.2025. Për çdo pjesëmarrje, anëtarit të Komisionit i paguhen 6.500 denarë neto plus 722 denarë tatim personal për seancë të mbajtur.

    Kryetar i Komisionit për Dekorime dhe Mirënjohje është Valentin Mirçeski, ndërsa anëtarë janë Gzime Starova, Samuel Sadikario, Ana Durlovski, Reshat Ameti, Andrijana Janevska, Dejan Georgievski, Gena Teodosievska, Zharko Baseski, Olivera Nakovska-Bikova dhe Vesna Petrushevska. Për këto seanca, Komisionit i janë paguar pak më pak se 4.000 euro.

    Komisioni i dytë, ai për Falje, ka mbajtur 13 seanca në periudhën nga 26.11.2024 deri më 28.7.2025, ndërsa honorar për anëtarët është e njëjtë me atë të Komisionit për Dekorime – 6.500 denarë neto plus 722 denarë tatim personal për seancë të mbajtur. Kryetare e Komisionit për Falje është Milka Ristova, ndërsa anëtarë janë Oliver Bacanovic, Aleksandra Gruevska Drakulevski, Blerta Ahmedi, Dragana Batic, Afet Mamuti dhe Doan Sulejmanoski.

    Për të gjitha seancat janë paguar rreth 10.000 euro. Duhet theksuar se kjo është përbërja e dytë e Komisionit për Falje. Më parë, në periudhën nga 29.7.2024 deri më 5.9.2024, Komisioni kishte një përbërje tjetër dhe mbajti katër seanca, për të cilat u paguan rreth 3.000 euro.

    Duhet theksuar gjithashtu se Kabineti i Presidentes aktuale, Siljanovska-Davkova, është më i vogël se ai i presidentëve të mëparshëm. Kabineti punëson rreth 50 persona dhe, ndryshe nga paraardhësit e saj, Siljanovska-Davkova nuk ka këshilltarë të posaçëm. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Vetëm 6 institucione shtetërore në RMV i ruajnë të dhënat e tyre në një qendër rikuperimi nga fatkeqësitë

    Lajmi i rradhës

    Mickoski dhe nacionalizmi që rrezikon Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë