Assesi të vihet në funksion “Rusino-Pollog”

    Foto: Ilustrim

    Komuna e Tetovës, ajo e Gostivarit dhe Komuna e Tearcës janë tre komuna që kanë paguar depozitën për Ndërmarrjen Publike “Rusino” që duhet të funksionojë në nivel të të gjithë komunave të Pollogut. Komunat tjera, si ajo e Jegunocit, Zhelina, Bërvenica, Bogovina dhe Vrapçishti akoma nuk e kanë bërë pagesën. Pasi të kryhet pagesa për vënien në funksion të Ndërmarrjes Publike “Rusino”, ndihmë pritet të jep edhe Ministria e Ekologjisë. Ministri i këtij dikasteri, Naser Nuredini, shprehet se komunat duhet që sa më shpejtë të shlyejnë obligimin që e kanë marrë. “Besoj se të gjitha komunat e Pollogut janë të interesuara për zgjidhjen e këtij problemi. Sapo të mbarojmë me obligimet që kanë komunat kundrejt ndërmarrjes, ne si ministri bashkë edhe me përkrahjen e shtetit zviceran – do të investojmë më tutje për menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Pollogut. Besoj se komunat janë të vetëdijshme se zgjidhja e këtij problemi është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Pollogut, prandaj obligimet që kanë ndaj ndërmarrjes për menaxhimin me mbeturinat ‘Rusino Pollog’, t’i shlyejnë në një afat sa më të shkurtër kohor, sepse kjo nuk ka të bëjë me politikën ditore, kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me qytetarët dhe në pyetje është interesi i qytetarëve”, deklaroi ministri Nuredini.

    Sipas tij, përmes huasë nga Banka Evropiane për Zhvillim, do të investohet në kapacitetet e ndërmarrjes, respektivisht blerjes së kamionëve dhe kontejnerëve. “Ne nga shteti zviceran kemi një grant që është falas, por sigurisht që paraprakisht ne duhet që t’i kryejmë obligimet tona si Ministri, si qeveri dhe si pushtet lokal, më pas në lidhje me këtë problem – ne do të marrim një hua nga Banka Europiane për Zhvillim – BERZH në vlerë prej 17.5 milionë euro dhe me ato mjete planifikojmë të rehabilitojmë plotësisht deponinë ‘Rusino’ dhe në të njëjtën kohë – të ndërtojmë transfer-stacione për mbeturinat në rajonin e Pollogut dhe të blejmë kamion të rinj për transportin e mbeturinave dhe kontejner për grumbullimin e tyre në mënyrë që të gjitha komunat – të kenë mundësi të grumbullojnë dhe të menaxhojnë me mbeturinat”, deklaroi Nuredini.

    Në ndërkohë, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rusino”, Besim Dogani, thekson se komunat kanë marrë zotim që të kryejnë pagesat dhe këtë zotim duhet ta mbajnë. Ai tregon se momentalisht janë duke u kryer punë rreth infrastrukturës Rusino. Sipas tij, deri më 18 gusht, duhet që sipas marrëveshjes – të përfundojnë punët ndërtimore në deponinë “Rusino”. “Deponia Rsuno ende nuk ka dokument me të cilën ajo shpallet deponi e standardizuar pa të cilin unë personalisht nuk do të kisha dashur që ta vë në funksion këtë deponi. E dyta është leja apo dokumenti me të cilin Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do t’i bartë kompetencat për menaxhim me deponinë Rusino ndërmarrjes ‘Rusino-Pollog’, por edhe kjo gjë nuk ka ndodhur deri më tani. Pjesa tjetër që ka ta bëjë më financimin e drejtpërdrejt, e cila do të vë në funksion ndërmarrjen rajonale për menaxhim me mbeturinat e komunave të Pollogut, janë këto mjete për asetet fikse për të cilat nëntë komunat e Pollogut janë zotuar për t’i ndarë këto mjete për ndërmarrjen publike rajonale ‘Rusino-Pollog’. Në takimin e fundit kryetarët e komunave të Rajonit të Pollogut në prani të ministrit Nuredini, janë dakorduar që këto mjete të derdhen në llogarinë e ndërmarrjes Rusino-Pollog”, deklaroi Dogani. Ai ka njoftuar se Komuna e Tetovës dhe e Gostivarit kanë marrë obligim të bëjnë pagesë në vlerë prej 300 mijë denarëve, kurse komunat tjera prej 400 deri 50 mijë denarë. Gjithsej nëntë komuna duhet të paguajnë rreth 20 mijë euro./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Paralajmërimi i shkencëtarëve: Toka tani mban dy herë më shumë nxehtësi se më 2005

    Lajmi i rradhës

    Premtimet e harruara të Dimitrievskit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë