“Projektet kapitale kanë qenë të orientuara kryesisht në vendbanimet të banuara me maqedonas, duke i dhënë theks të veçantë vendbanimeve rurale dhe duke i lënë anash pjesët qendrore të qytetit, me rrugë të shkatërruara, me rrjet të ujësjellësit dhe kanalizimit të vjetër tashmë 60 vjeçar. Qytetarët ankohen për mosdhënien e Legalizimit të pronave të tyre, të cilët me vite presin të dinë fatin e pronave të tyre”, akuzon këshilltari i ASH-së, Osama Muadini
Sipas të gjithave gjasave, zgjedhjet lokale do të mbahen gjatë muajit tetor. Data më e përfolur për zgjedhjet lokale është 17 tetori. Maksim Dimitrievski, kryetari i Komunës së Kumanovës, gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, para qytetareve kishte dhënë premtime të shumta. Ndër ta ishte ndërtimi i disa kopshteve për fëmijë, me theks të veçantë edhe në lagjen “Bajram Shabani”, lagje kjo me shumicë shqiptare dhe ndër të vetmet me mungesë të një kopshti përkundër numrit të madh të fëmijëve. Kishte premtuar edhe rregullimin e qendrës së qytetit dhe shtratit të lumit, si dhe shumë investime tjera kapitale. Megjithatë, shumë pak nga këto premtime u realizuan. Deputeti i VMRO-DPMNE-së nga Kumanova, Brane Petrushevski, për gazetën KOHA, ka akuzuar se Dimitrievski nuk e ka realizuar asnjë projekt kapital të premtuar gjatë fushatës zgjedhore dhe kështu – nuk ka zgjidhur problemet madhore të kumanovarëve.
“E kishte premtuar, por Zona industriale në fshatin Reçicë ende nuk është futur në funksion. Gjithashtu, as me gishtin më të vogël nuk është prekur projekti për tubacionin e ri të ujësjellësit nga Likova deri në Kumanovë për ta zgjidhur problemin e furnizimit me ujë të qytetareve”, përmend Petrushevski, ndërsa shton se kopshtet e premtuara për fëmijë në disa lagje të qytetit ende as që kanë filluar të ndërtohen. “Me vite ende nuk është zgjidhur problemi me gjimnazin ‘Sami Frasheri’, ku fëmijët mësojnë në kushte substandarte. Ende nuk është dislokuar deponia ekzistuese në qytet dhe menaxhimi me mbeturinat në Kumanovë nuk është në nivelin e duhur. Vlen të cekët se edhe projekti për gazifikimin e qytetit ka ngecur dhe qytetarët ende nuk kanë qasje në gaz”, thotë Petrushevski. Edhe pse për katër vite Dimitrievski, LSDM dhe BDI kanë harxhuar më shumë se shtatë miliardë denarë, ata para nuk shihen në Kumanovë, akuzon ai. “Ku kanë shkuar ata para duhet të përgjigjet kryetari i Komunës Dimitrievski”, përfundoi ai.
Nga ana tjetër, Osama Muadini, këshilltar në Komunën e Kumanovës nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, thotë se menaxhimi me Komunën e Kumanovës i LSDM-BDI, nuk ka sjellë asgjë të re për shqiptarët, ndërsa nuk janë ndarë mjetet e nevojshme për përmirësimin e kushteve infrastrukturore. “Projektet kapitale kanë qenë të orientuara kryesisht në vendbanimet të banuara me maqedonas, duke i dhënë theks të veçantë vendbanimeve rurale dhe duke i lënë anash pjesët qendrore të qytetit, me rrugë të shkatërruara, me rrjet të ujësjellësit dhe kanalizimit të vjetër tashmë 60 vjeçar. Qytetarët ankohen për mosdhënien e Legalizimit të pronave të tyre, të cilët me vite presin të dinë fatin e pronave të tyre”, deklaroi Muadini.
Sipas tij, mungesa e kushteve dhe problemet e këtilla me dhënien e lejeve, ka ndikuar negativisht në investime kapitale edhe nga afaristë – qoftë vendorë po edhe të jashtëm.
“Shqiptarët në zgjedhjet e 2017-ës u shfrytëzuan vetëm për t’u marrë votën dhe premtimet e shumta që u bënë atëherë. Doli të ishin vetëm manipulime dhe premtime boshe. BDI, asnjë vit gjatë përpilimit të buxhetit vjetor, nuk ka paraqitur projekte në Programin për Zhvillim që kanë të bëjnë me investimet kapitale në infrastrukturë te vendbanimet shqiptare. Rasti i fundit ishte javën e kaluar, kur në rebalancin e buxhetit – nga 62.000.000 denarë të ndara për infrastrukturë rrugore, iu ndanë 31.000.000 denarë vetëm lagjes Karposh, pra gjysma e buxhetit i ndahet vetëm një lagjeje të banuar kryesisht me maqedonas”, thotë për KOHA, Muadini, ndërsa shton se lagjet shqiptare vazhdojnë të ngjajnë me rrugë të shekullit të kaluar dhe me mungesa elementare për jetesë./Kohamk/