Austriakët kanë investuar më së shumti në RMV

    Viti i kaluar, sipas shifrave zyrtare të Bankës Popullore, është mbyllur me një shumë historikisht rekord të investimeve të huaja direkte në vend, prej 753.8 milionë euro. Nga Qeveria deklaronin se po marrim të gjitha masat e nevojshme për të tërhequr investitorë të huaj cilësorë, të cilët do krijojnë produkte me vlerë më të madhe të shtuar, por edhe do të ofrojnë paga më të larta. Nëse gjatë vitit të kaluar nga tremujori në tremujor pati një rritje të vazhdueshme të fluksit të IHD, Qeveria shpreson që trendi të vazhdojë edhe në këtë vit 2023, kur mund të kalojmë “kufirin psikologjik” prej 1 miliard IHD në një vit kalendarik. Po kush janë investitorët më të mëdhenj në Maqedoni në vite? Kompanitë austriake renditen të parat me investime të huaja direkte në Maqedoni, me gjithsej 830 milionë euro.

    Kështu konstaton Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike – IDEA në një analizë të trendit të Investimeve të Huaja Direkte për periudhën 2003-2022 duke parë rrjedhën e investimeve nga disa nga shtetet me fluks më të madh të investimeve. Kompanitë e mëdha austriake si Sparkasse Bank dhe EVN Group kanë treguar vazhdimisht interes në sektorë të tillë si banka dhe energjia.

    Më poshtë renditen kompanitë gjermane (576 milionë euro), veçanërisht Kromberg & Schubert dhe Draexlmaier, shënuan rëndësinë e tyre në sektorin e automobilave, me kulmin e investimeve rreth viteve 2007-2012. Nga Sllovenia (576 milionë euro), Triglav dhe NLB Group kanë shtuar prezencën e tyre, duke u fokusuar respektivisht në sigurime dhe banka, veçanërisht në fillim të viteve 2010. Kompanitë turke (536 milionë euro) renditen të katërtat me investimet direkte në shëndetësi e ndërtim e sektorin bankar. Me nivelin e IHD, Turqia konsiderohet si investitori më i madh i huaj nga vendet jashtë BE-së.

    Megjithatë, peizazhi i investimeve nuk është njëlloj pozitiv, vërehet në analizën e IDEA që ngre po ashtu edhe pyetjen nëse kompanitë që kanë shënuar humbje, si ato nga Franca dhe Hungaria, do të tërhiqnin investimet e tyre, si pasojë e bilanceve negative.  “Franca dhe Hungaria shënuan IHD negative neto prej 112 milionë euro dhe 54.3 milionë euro respektivisht. Rrjedhat e tilla negative mund të jenë të shumanshme në origjinë. Është e mundur që kompanitë nga këto vende të largohen nga projektet në Maqedoninë e Veriut ose të riatdhesojnë fitimet për shkak të ndryshimeve në kushtet e tregut, sfidave rregullatore ose ndryshimeve në strategjitë globale të korporatave. Për më tepër, një rritje e investimeve dalëse nga Maqedonia e Veriut në këto vende mund të prishë balancin, duke rezultuar në IHD neto negative”, thuhet në analizë.

    Qëllimi i analizës është ofrimi i kontekstit dhe qartësisë për këto trajektore ekonomike, duke nënvizuar rëndësinë e të kuptuarit të dinamikës së investimeve ndërkombëtare. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Analisti serb mbron Kurtin: Lajçaku ka bërë shumë gabime

    Lajmi i rradhës

    Rikthim i tërthortë i Gruevskit!  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë