Rikthim i tërthortë i Gruevskit!  

    Përkundër faktit që ish-kryeministri Nikolla Gruevski është rreth 800 kilometra larg vendit, ai është prezent në skenën politike në vend. Kanë mjaftuar disa ndryshime në Kodin Penal, ku parashihet ulja e dënimit për funksionarët shtetëror.

    Në bazë të këtyre ndryshimeve – të cilat u miratuan nga Parlamenti më 6 shtator – personat që keqpërdorin pozitën dhe autoritetin zyrtar gjatë prokurimit publik, apo dëmtojnë fondet buxhetore, do të dënohen deri me pesë vjet burgim. Me ligjin e deritanishëm, dënimet për vepra të tilla penale fillonin nga pesë e mund të shkonin deri në më shumë se 10 vjet burgim.

    Pikërisht pas këtyre ndryshimeve në Kodin Penal, dolën thashethemet se ekziston një koordinim mes aktorëve politik që pas këtyre ndryshimeve në Kodin Penal të bëhen edhe ndryshimet Kushtetuese.

    Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se për të sjellë ndryshime kushtetuese, Qeveria po përgatit marrëveshje të pista. “Ajo planifikon t’i premtojë mosndëshkim penal ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili iku në Hungari, në mënyrë që ai të kthehet dhe të ndihmojë, me ndihmën e mbështetësve të tij, që ndryshimet kushtetuese të kalojnë në Parlament”, thotë Mickoski.

    Sipas Mickoskit, Qeveria beson se mund ta përçajë partinë opozitare, por, siç thekson ai, nuk do të ketë sukses. Ai tha se si vend kemi bërë gjithçka për perspektivën tonë evropiane. Por vazhdimisht na bëhen kërkesa të reja. Mickoski përsëriti qëndrimin se nuk kanë asgjë kundër që bullgarët të përmenden në Preambulën e Kushtetutës dhe pyeti kush na garanton se kjo është kërkesa e fundit nga Bullgaria?

    Sipas Mickoskit, kërkesat bullgare janë shumë më ekstreme se ato greke. “Të tilla gjëra nuk kërkohen vetëm nga bullgarët radikalë të djathtë. Ideja për vendosjen e rregulloreve identitare-politike në Maqedoninë e Veriut arrin edhe në mes të shoqërisë bullgare. Në fund të fundit, kërkesat bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut janë më ekstreme se sa ato greke kanë qenë ndonjëherë. “Politika bullgare shkon aq larg sa që maqedonasit të mohojnë identitetin e tyre”, tha Mickoski për FAC.

    Por këto akuza ka mohuar ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Ai ka kërkuar të publikohen dëshmi se ka pasur komunikim të fshehtë me Qeverinë për ndryshimet kushtetuese. “Sa i përket deklaratës së Hristijan Mickoskit për median gjermane FAC dhe lidhur me mua, e ftoj që të përgjigjet publikisht në dy pyetjet e mëposhtme: 1. A është e vërtetë që ai ka thënë në deklaratën për mediat gjermane, 2. Nëse është e vërtetë, a mundet ai personalisht të thotë publikisht me cilën lëvizje, deklaratë, mbishkrim apo ndonjë gjë timen jam përpjekur të përça partinë dhe të jap dëshmi se kam pranuar një lojë të pistë me qeverinë të cilën duhet ta zbatoj me ndihmën e mbështetësve të mi në Festa. Shpresoj se përgjigja do të jetë e qartë, e paqartë, e drejtpërdrejtë dhe personale ashtu si deklarata, pa iu referuar deklaratave të përfaqësuesve partiakë, zëdhënësve, njoftimeve në portale apo media të tjera me të cilat ka bashkëpunim të ngushtë”, shkruan Gruevski në Facebook.

    Këto përplasje dhe akuza mes dy politikanëve, për analistin Qenan Aliu, duhet të merren me rezerva. Ai tha se përplasjet verbale mediatike në mes Nikolla Gruevski dhe Hristijan Mickoski tani për tani nuk mund të thuhet se janë të konstatuara.

    “Mbase në politikë jo gjithë herë thuhet e vërteta. Këtë pohim e bënë të besushëm disi një prononcim sinkronizues lidhur me Nikolla Gruevskin dhe ndryshimet në Kodin penal nga Ali Ahmeti dhe Mikovski për gazetën gjermane. Pra diçka të vërtetë ka këtu. kjo e vërtetë do të dekonspirohet nëse ndodhën përçarje në[ grupin parlamentar të VMRO-DPMNE-së lidhur me ndryshimet kushtetuese. Rikthimi i Gruevskit në Maqedoni do të ndodh por në rikthim në krye të partisë nuk mendoj sepse kjo është çështje e deplasuar për te. Me këta ndryshime rikthimi i tij në vend mund të ndodh me skenarë që për lëndët me vendim të plotfuqishëm të gjyqësorit të prangoset për disa ditë e madje sipas ndryshimeve të përsëriten procedurat për shkak të dënimit në mungesë dhe në ato procedime të lëndëve të parashkruhen”, deklaroi Aliu për gazetën KOHA.

    Sidoqoftë, siç thotë ai, loja është e lexuar, të gjithë janë të përfshirë në këtë plan për Kodin Penal sepse të gjithë shohin interesat e tyre pozitë-opozitë. Sipas tij, procedimi për ndryshimet u bë thuaja brenda natës, VMRO-DPMNE, mundësoi të ketë forum dhe fare nuk pati rezistencë për bllokim aq sa do të ishte e mundur. Në fund ai shton se mbase pati edhe reagime nga faktori ndërkombëtar por jo aq të fuqishme.

    Përveç akuza në media kreu i VMRO-DPMNE-së, ia ka kushtuar një status Gruevskit. Ai e ka vazhduar debatin në facebook duke thënë se i vjen keq që është vendosur në hapin e të bërit një parodi publike dhe të shërbeni për t’u defokusuar nga krimi i kësaj qeverie kriminale dhe ju kuptoj, por nuk ju justifikoj dot. Mickoski duke i’u drejtuar Gruevskit ka shkruar se nuk ka nevojë për dialog përmes mediave, por meqenëse më jeni drejtuar me status vetëm një herë, unë do t’ju përgjigjem në të njëjtën mënyrë.

    “Nikolla, nuk kam ndërmend të jem pjesë e skenarit të krijimit të përçarjes në favor të kësaj qeverie me korrespondencë publike. Një ditë kur të takohemi ballë për ballë do t’ju tregoj detajet nëse jeni gati t’i dëgjoni. Nuk do të lejoj të harrohet se çfarë po bën kjo qeveri kriminale për të qëndruar gjithnjë e më gjatë, duke krijuar një atmosferë ku humbet shpresa e qytetarëve për drejtësi dhe drejtësi. Nëse doni përçarje, ky është vendimi juaj, të cilin unë jam gati ta kundërshtoj, sepse nuk është një betejë personale, por një betejë për Maqedoninë, e cila po zhytet gjithnjë e më shumë në krim, ku gjithçka shkon kundër vullnetit të qytetarëve. Dhe ne politikanëve na zgjedh populli dhe duhet t’i përgjigjemi popullit për veprimet tona. Për Maqedoninë nuk duhet të ketë treg dhe marrëveshje nën tavolinë. Nuk do të lejoj marrëveshje dhe marrëveshje personale në kurriz të interesit kolektiv. Ky nuk është viti 2018, kjo është një kohë tjetër”, ka shkruar Mickoski.

    Nga ana tjetër, analisti Bardhyl Zaimi, për gazetën KOHA, ka deklaruar se vetë ndryshimet në Kodin Penal, të cilat u arsyetuan se kanë qenë të parapara që para tre vitesh dhe të cilat u sollën nën flamurin evropian mund të hamendësojmë si japin shpresë ish kryeministrit Gruevski që edhe njëherë të shfaq ambicie për rikthim qoftë edhe të tërthortë në skenën politike edhe pse ai e ka mohuar ndërkohë një gjë të tillë.

    “Gruevski gjatë kohë e ka udhëhequr VMRO-DPMNE-në dhe me gjasë ka akoma ndikim mbase të kufizuar, por potencialisht të rrezikshëm në një situatë kthesash politike që i ofrojnë opsione veprimi. Sigurisht, në një kontekst pak më të gjerë të zhvillimeve politike, të ndryshimeve kushtetuese, lideri aktual i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski mund të ndjej rrezik në unitetin e partisë, e cila tashmë ka deklaruar disa herë se është kundër ndryshimeve kushtetuese nën ‘diktatin bullgar’”, shprehet ai.

    Sipas tij, ka një kontekst të komolikuar zhvillimesh që mund t’i japin shtysë Maqedonisë së Veriut të ecë përpara ose të mbetet në gjendje të papërcaktuar ngecjeje me shumë të panjohura përbrenda. “Sigurisht ne vetëm mund të hamendësojmë nëse ka një prapaskenë në gjithë këto zhvillime të fundit, por në politikë gjithçka duket e mundur për sa kohë që secili kërkon momentin për t’u etabluar në skenën politike. Me gjasë ditët në vijim do ta bëjnë më dukshme këtë përplasje. Maqedonia e Veriut ndodhet në një moment të brishtë gjeopolitik dhe dinamikat në skenën politike do të jenë të fuqishme”, deklaron në fund Zaimi. .

    Ndryshe,vlen të theksohet se në anketa dhe matje të opinionit publik ish-kryeministri Greuvski edhe pse nuk është aktiv në skenën politike ka dalë në një nga politikanët më të pëlqyer në vend.

    Lajmi Paraprak

    Austriakët kanë investuar më së shumti në RMV

    Lajmi i rradhës

    Mbeturuinat në Tetovë do t’i menaxhojë kompania sllovene

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë