AUTOBUSËT NË TETOVË QARKULLOJNË ME VËSHTIRËSI!

    Problemet me komunikacionin në rrugët e Tetovës nuk kanë fund. Dyfishimi i numrit të automjeteve në trafikun rrugor të Tetovës ka bërë që me këtë problem të përballet edhe transporti publik, respektivisht autobusët të cilët vazhdojnë të funksionojnë edhe në këtë periudhë edhe pse nxënësit dhe studentët janë në pushim. Por, shoferët e autobusëve ankohen se në këtë periudhë ka shumë vetura të keqparkuara në stacionet e autobusëve. Kjo u pamundëson atyre që të ndalojnë në stacionet e autobusëve për të marrë apo zbritur udhëtarë. Krahas kësaj, kërkohet më shumë kujdes dhe mirëkuptim nga vozitësit e veturave sepse në këtë mënyrë pengohet funksionimi normal i komunikacionit.

    “Për shkak të frekuencës së shtuar në zonën urbane të Tetovës, po përballemi me vështirësi në lëvizjen e autobusëve tanë. Për shkak të kësaj situate ka ngecje në të gjitha linjat e autobusëve. Gjithashtu, problem shtesë është edhe parkimi i pakujdesshëm dhe bllokimi i stacioneve të autobusëve. Ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që t’i kushtojnë vëmendje sinjalistikës dhe pikave të shënuara të parkimit të autobusëve. Kërkojmë durim nga të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve tona. Ky nuk është faji ynë”, njoftojnë nga Ndërmarrja Publike Tetova-Transport.

    Nga ana tjetër, shërbimi i merimangës në bashkëpunim me policinë brenda ditës largon nga komunikacioni rreth 30 vetura të keqkparkuara. Në këtë numër bëjnë pjesë edhe veturat që parkohen në stacionet e autobusëve dhe pamundësojnë të njëjtit të ndalojnë në ato vende. Këto aksione të shërbimit të merimangës dhe policisë, janë të përditshme në rrugët e Tetovës, ku jo pak vetura vërehen të keqparkuara dhe që e pengojnë lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në komunikacion. Sipas Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë, pjesëtarët e policisë vazhdojnë me aktivitete të intensifikuara kontrolluese për rend dhe siguri më të madhe në komunikacion në gjithë zonën e Tetovës.

    “Gjatë ditës së hënë efektivë të Stacionit policorë për Siguri në trafikun rrugorë-Tetovë të cilët punonin në bashkëpunim me ‘Shërbimin e merimangës’ kanë marrë 28 automjete të parkuara gabimisht që pengonin qarkullimin normal. Për të gjithë drejtuesit e mjeteve – kundërvajtës janë përgatitur parashtresat e parapara me ligj. Duke pasur parasysh se frekuenca e trafikut është rritur dukshëm në zonën tonë, SPB-Tetovë sërish apelon nga drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat dhe rregulloret ligjore në komunikacion, të kenë kujdes se ku i parkojnë automjetet dhe të mundësojnë qarkullim normal dhe të rrjedhshëm”, tha Rexhepi.

    Krahas këtyre aktiviteteve, megjithatë në Tetovë mungojnë vendet e parkimit. Përveç parkimit zonal dhe disa parkingjeve private por të vogla, në Tetovë nuk ka parkingje në kate të cilët janë premtuar se do të ndërtohen por deri më tash ende nuk ka asgjë konkrete. Kjo mungesë e vendeve të parkimit ka bërë që gjithnjë në rrugët e Tetovës të ketë kaos dhe kolona të gjata të veturave, ngecje në komunikacion dhe vështirësi nga drejtuesit e automjeteve për të gjetur një vendparkim. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shkupi betonohet edhe pas 60-të viteve kur ndodhi tërmeti

    Lajmi i rradhës

    Femrat në Dibër më duhanpirëse se meshkujt!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë