Autoriteti i Dosjeve: Ilir Meta, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit

    Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri tha që ish-presidenti Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit Shtetëror në kohën e komunizmit.

    Meta i hodhi poshtë këto akuza duke thënë se janë të motivuara politikisht.

    Sipas dokumentit të këtij institucioni, të cilin e ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, kërkohet miratimi i disa ndryshimeve ligjore, të cilat më pas japin mundësinë e riverifikimit të figurave që janë pajisur me “certifikatën e pastërtisë”.

    Në dokument thuhet se emri i Metës ka rezultuar në dosjet e Sigurimit të Shtetit.

    “…Ilir Meta, i pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konfirmuar nga ana jonë me vendim të datës 28.04.2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit”, thuhet në dokumentin e dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë.

    Gjithashtu, autoriteti shkruan se, “me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten më dhe në përndjekje të qëllimit për të mundësuar që personat që ushtrojnë detyra shtetërore aq më shumë ato subjekte që ushtrojnë detyra të larta, duhen bërë disa ndryshime në Kodin Zgjedhor”.

    Ish-presidenti Meta hodhi poshtë akuzat se ka qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit.

    “Është për të ardhur keq për sjelljen e Autoritetit të manipulimit të dosjeve”, u shpreh Meta.

    “Me një e-mail anonim, që kur të zbulohet do gajaseni të gjithë, na qenka zbuluar që pas 30 e ca vitesh, I.M. qenka ky njeri i cili që në mars të vitit 1992 është bërë deputet dhe iu është nënshtruar të gjithë filtrave të të gjithë komisioneve të të gjitha kohërave”, shtoi ai.

    Ky lajm u bë i ditur dy ditë pasi Meta përmbylli mandatin e tij 5-vjeçar si president dhe u rikthye në partinë që e kishte themeluar vetë, Lëvizjen Socialiste për Integrim, të cilës me rikthimin e tij iu ndryshua emri në Partia e Lirisë.

    Ai, bashkë me ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili është shpallur person i padëshiruar nga SHBA dhe Britania e Madhe, kanë thënë se i janë rikthyer jetës politike me idenë që të jenë opozitë e kryeministrit Edi Rama. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Rriten çmimet e gazit pas vendimit të Gazpromit për të zvogëluar furnizimet

    Lajmi i rradhës

    Kur do të unifikohen çmimet e barnave?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë