AUTOSTRADA TETOVË – GOSTIVAR | Rrugë e kobshme, aksidentet në rritje

    Fotografia: Ilustruese

    Gazetare | Blerona Jakupi Zylbehari

    Që nga fillimi i vitit 2021 e deri në muajin nëntor, në autostradën Gostivar – Tetovë dhe Tetovë – Shkup kanë ndodhur gjithsej 270 aksidente trafiku, në të cilat humbën jetën 2 persona, 14 u lënduan rëndë dhe 149 përfunduan me lëndime të lehta. Kjo pjesë e autostradës, këtë vit është e dyta për nga numri aksidenteve të regjistruara, theksojnë për Nistori nga SPB – Tetovë. Në periudhën në fjalë kanë ndodhur edhe 65 aksidente trafiku të shkaktuara nga kafshë, të cilat kanë hyrë në korsi dhe kanë lëvizur në mënyrë të pakontrolluar. Edhe ditët e para të këtij viti të ri, nuk kanë ngelur pa shënuar aksidente në këtë rrugë, ku vetëm ditën e djeshme janë lënduar 3 persona gjatë një përplasje të tre automjeteve.

    Qytetarët shpeshherë kanë reaguar nëpërmjet protestave, qoftë për kushtet e rrugës, qoftë për çmimin e pikëpagesave, sepse siç kanë vlerësuar, kjo autostradë nuk përmbush asnjë standard.

    Edhe për ekspertin e komunikacionit, Blerim Neimi, kjo rrugë kurrsesi nuk i plotëson kushtet për të qenë një autostradë, madje ai vlerëson se siguria e kësaj rruge është në nivel shumë të ulët. Për Nistori, Neimi radhit disa nga kriteret që çdo autostradë duhet të përmbushë.

    “Autostrada duhet të ketë së paku dy shirita automobilistik me gjerësi minimale 3,5 metra, duhet të ketë një shirit të emergjencës me gjerësi minimale 2,5 metra, që në rrugën në fjalë nuk ekziston. Sinjalizimi është pjesë shumë e rëndësishme, megjithatë rruga Tetovë – Gostivar apo anasjelltas, ka mungesë të sinjalizimit vertikal. Në kushtet e vjeshtës apo dimrit vështirësohet jashtëzakonisht lëvizja e mjeteve të motorizuara, pasi që dukshmëria në këtë rrugë është e ulët, ndërsa në këto periudha kohore vozitësit orientohen nëpërmjet sinjalizimit horizontal, siç janë vijat e bardha ndarëse dhe ato skajore. Rrethimi i autostradës duhet të jetë i siguruar për mos depërtimin e kafshëve pasi sjellin rrezik për mjetet që lëvizin. Mirëmbajtja dhe sanimi i asfaltit duhet të jetë i rregullt. Në rrugën në fjalë, ekzistojnë gropa dhe sipërfaqe jo të rrafshta për shkak të tejkalimit të mjeteve transportuese të rënda. Shpejtësitë projektuese duhen kufizuar nga 110 deri 130 km/h. Pasi të jenë plotësuar të gjitha kriteret dhe të ofrohet siguri maksimale për mjetet e motorizuara, atëherë organi kompetent i rrugëve të RMV-së, mund të vendosë pikat pagesore, – sqaron Blerim Neimi, ekspert komunikacioni.

    I pyetur së fundmi nga gazetarët, se kur do të fillojnë punimet në autostradën Tetovë – Gostivar, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, pa thënë asgjë konkrete, është përgjigjur se është në planet e qeverisë. Ndryshe, në korrik të këtij viti, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për ndërtimin e Korridorit të 8 infrastrukturor, që përfshinte seksionin Tetovë – Gostivar – Bukojçani dhe projektin për autostradën Strugë – Qafë Thanë dhe korridorin 10 D, seksioni i autostradës Prilep – Manastir. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Pranohet garancia dhe hiqet masa e paraburgimit për Kamçevin

    Lajmi i rradhës

    FMN kërkon të kontrollohen pasurimet e shpejta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë