BALLKANI QË VUAN PËR MJEKË!

    Organizata Botërore të shëndetësisë ka paralajmëruar se deri në vitin 2030 pritet që në mbarë botën të ketë mungesë prej 10 milionë punonjësish shëndetësorë. Theksi që vë OBSH është se problemi do të jetë veçanërisht i theksuar në vendet në zhvillim. Se çfarë e pret Maqedoninë nuk mund të parashikohet, por situata bëhet gjithnjë e më delikate me fluksin në rritje të mjekëve, por edhe infermierëve. Duke iu referuar të dhënave Odës së mjekëve numërohen 9 520 licenca aktive mjekësh, të cilat lëshohen me afat vlefshmërie prej 7 vitesh, pas së cilës rinovohen sipas kushteve ligjore. Vitin e kaluar provimin profesional e kanë dhënë 435 doktorë të mjekësisë që kanë marrë për herë të parë licencë pune. Ndërkohë që rreth 2.500 mjekë janë mbi moshën 61 vjeç, që do të thotë se dalja e tyre në pension vitet e ardhshme do t’i bëjë më të theksuara mungesat në shëndetësi.

    “Presion serioz për periudhën e ardhshme është edhe struktura moshore e mjekëve që punojnë aktualisht, veçanërisht në segmente të caktuara të sistemit shëndetësor… Trendi i migrimit të mjekëve është i pranishëm, por problemi më i madh këtu është se kemi një përqendrim të një numri të madh të mjekëve në Shkup. Nëse gjenden mekanizma për rishpërndarjen e stafit ekzistues, do të përmirësohej ndjeshëm disponueshmëria e shërbimeve mjekësore në të gjithë vendin”, thonë nga Oda e mjekëve. Kushtet e këqija të punës dhe vështirësia për të gjetur vendin e dëshiruar në shëndetësi mes “bërrylave” nga nepotizmi, linçimet, dënimet.., janë disa nga shkaqet që i shtyjnë mjekët e rinj, apo edhe ata me përvojë që të emigrojnë për të mos u kthyer më. Pak kohë më parë nga Shoqata e mjekëve të familjes (SHMM) njoftuan se brenda dekadës së fundit Maqedonia humbi 2000 mjekë. Nga kjo gjendje alarmante e krijuar mjekët kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të miratojë ndryshimet në ligjin për shëndetësi, i cili supozohet se do t’i japë zgjidhje disa prej problemeve më kyçe.

    “Është përgatitur një formë e ligjit për kujdesin shëndetësor, i cili ka katër muaj që qëndron në Ministri, edhe pse pikat për atë ligj janë përgatitur me ndihmën e Odës së Mjekësisë. Ai nuk po miratohet dhe po zgjidhen çështje të rëndësishme si për mjekët e rinj ashtu edhe për koncesionarët që punojnë për mjekët e rinj, që të mund të vazhdojnë në ato zyra. Sepse vazhdimisht po humbasim mjekë të rinj që mbeten të papunë për shkak të çështjeve të pazgjidhura”, deklaroi dr. Dragan Gjorgjievski me rastin e Ditës Botërore të Mjekut Familjar.

    Maqedonia është një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor ku mungesa e personelit mjekësor është më e theksuar, por nga ana tjetër është edhe shumë më e ulët sesa mesatarja evropiane. Mungesa e stafit mjekësor, pagat e pamjaftueshme, pajisjet e vjetruara janë problemet kryesore me të cilat përballen sistemet shëndetësore në rajon. Në Shqipëri, sipas një hulumtimi më të fundit kanë emigruar rreth 1028 mjekë, që përbëjnë 22% të stokut të mjekëve në Shqipëri prej 4745 doktorësh, ndërsa sipas shoqatës së Infermierëve në 3 vitet e fundit janë larguar 16 mijë infermierë nga Shqipëria. Edhe Kosova ka probleme të ngjashme, në katër muajt e fundit nga Kosova janë larguar 104 mjekë, ndërsa besohet se me liberalizimin e vizave fluksi do të jetë edhe më i madh. Ndërsa në Serbi, sipas hulumtimit të Aleancës Kombëtare për Zhvillim Ekonomik Lokal, çdo i dhjeti mjek në vend planifikon të largohet jashtë vendit në pesë vitet e ardhshme.

    Nga ky anketim rezulton se si problemet më të mëdha mjekët theksojnë mbingarkesat, pagat e ulëta dhe punën e tepërt administrative. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik në Bosnje dhe Hercegovinë tregojnë se vetëm 73 për qind e punonjësve shëndetësorë punojnë në shëndetin publik. Në kujdesin parësor shëndetësor ka 87 mjekë dhe 115 infermierë për 100 mijë banorë. Më shumë se një e treta e licencave vitin e kaluar ishin për largim nga vendi, për shkak të pagave dhe kushteve të pakënaqshme të punës. Mali i Zi ka probleme me mjekët e familjes, pasi me ndryshimet e fundit ligjore, një mjek i familjes duhet të ketë 2 mijë pacientë, gjë që sipas tyre rrit vëllimin e punës dhe ule cilësinë e kujdesit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    STAND UP SOPI | Më 26 qershor rrugët na çojnë në Pallatin e Kulturës në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    BDI i reagon VMRO-DPMNE-së: Jeni partia e fundit që duhet të flisni për krimin dhe korrupsionin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë