Ballkani ul çmimet e prodhimeve

    Pas Serbisë që deri në fund të vitit po zvogëlon çmimet e 20 artikujve të përditshëm për amvisëritë, edhe Kroacia po ndërmerr hapa të ngjashme. Të martën të gjithë tregtarët e mëdhenj e mbështetën iniciativën e Qeverisë kroate për uljen e çmimeve. Ministri kroat i ekonomisë Davor Filipoviq thotë se Ideja është, që vlera totale e shportës së produkteve, e disponueshme në faqen e internetit të Ministrisë, të kthehet në 31 dhjetor të vitit të kaluar, ku të gjithë tregtarët kanë mirëkuptim që çmimet të jenë më të vogla. Me fjalë të tjera, kërkohet nga supermarketet e mëdhenj që të kthejnë pjesën më të madhe të çmimeve për disa nga 1300 ushqimet që janë në aplikacionin “Luhatja e Çmimeve”, dhe atë në të njëjtat nivele me 31 dhjetorin e vitit të kaluar. Njëherësh po përgatitet edhe pakoja e radhës së ndihmave qeveritare e vlefshme 500 milionë euro, së bashku me masat e tjera që vazhdojnë si subvencionimi i rrymës dhe gazit. Pra , Kroacia përskaj rritjes së pagave, po bën presion edhe ndaj tregtarëve dhe marzhave të tyre.

    Nga ana tjetër, Spanja si një prodhuese e madhe e ushqimit, ka ulur inflacionin duke ndërhyrë në çmimet e energjisë, ka ulur TVSH-në për shumë produkte ushqimore si dhe ka kufizuar çmimet e qirave.

    Austria ka një normë të reduktuar të taksave për të gjitha produktet ushqimore, të ngjashme me Slloveninë, përderisa Ministria e Ekonomisë gjermane miratoi propozimin e institutit të tyre ekonomik për të ulur tatimin për energjenset në kilovat orë.

    Në fillim të shtatorit, Qeveria e Austrisë njoftoi për një pako të re masash anti-inflacioniste. Së pari, qeveria synon të ngrijë qiratë duke kufizuar rritjen e tyre në maksimum 5 për qind në vit në tre vitet e ardhshme, duke qenë se qiratë në vitin 2024 duhet të ishin rritur ndjeshëm. Masat e tjera duhet të diskutohen së shpejti, si propozimi për 150 milionë euro në mbështetje të bashkive austriake që të përmbahen nga indeksimi i tarifave të grumbullimit të ujit dhe mbeturinave. Gjithashtu, vitin e ardhshëm do të përmbahen nga blerja e biletave të autostradës dhe “Klimaticketa” (eko biletat për transport publik) dhe do të taksojnë më shumë fitimin e kompanive energjetike. Gjithashtu Qeveria në Vjenë ka paraparë një buxhet total për masa anti inflacioniste në periudhën 2022-2026 në vlerë prej 40 miliardë euro.

    Në Maqedoni, thonë ekspertët, do të vazhdojë të rritet presioni mbi çmimet, sidomos në periudhën e vjeshtës dhe dimrit, kur paralajmërohen çmime të larta të energjisë. Në kushte të tilla do të rritet presioni për masa dhe ndërhyrje të reja në treg nga ana e Qeverisë.

    “Fakti që një rritje e pagave në sektorin publik është rënë dakord që në shtator, nuk do të mjaftojë në vetvete për një stabilizim më të ndjeshëm të situatës, sepse kostoja e jetesës vazhdon të rritet vlerësojnë ekonomistët. Sa i përket pagave, paga reale në pesë muajt e parë të këtij viti është ulur me 0.5 për qind. Vitin e kaluar për të gjithë vitin ka pasur një rënie prej rreth 3 për qind. Pra, fuqia blerëse, ose standardi i qytetarëve, po shënon rënie në një vit e gjysmë Po, ka pasur një përmirësim të standardit të jetesës në dy vitet e para të ardhjes së kësaj qeverie, por jo edhe në vitet e fundit. Tani duhet të rritet paga minimale, pagat në sektorin publik, pensionet dhe ndihma sociale, për më shumë se inflacioni. Vetëm kështu do të pengojnë uljen e standardit të jetesës”, thotë eksperti ekonomik Branimir Jovanoviq.

    Kompetentët thonë se po diskutohen për masat e radhës kundër krizës që janë duke u përgatitur për të pasur më shumë të ardhura gjatë periudhës së dimrit, veçanërisht për familjet me kategori të cenueshme të qytetarëve.

    Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, paralajmëroi një debat me aktorët përkatës, sektorin civil dhe odat ekonomike, për nevojat e qytetarëve dhe sektorit real.

    “Do të kemi një pako të re masash kundër krizës. Po diskutojmë në kuadër të Qeverisë dhe në kuadër të ministrave nga departamenti i ekonomisë për gjithçka që duhet të kishim bërë për qytetarët sidomos gjatë periudhës së dimrit që po vjen dhe si të kemi më shumë të ardhura sidomos për familjet e kategorive të rrezikuara të qytetarëve. Natyrisht, do të hapim debat me institucionet përkatëse, gjegjësisht me sektorin civil dhe me odat ekonomike për atë që u nevojitet qytetarëve të cenueshëm, por edhe asaj që i nevojitet sektorit real“, thekson Trençevska. Ndryshe, në vitet e kaluara të krizës së shkaktuar nga pandemia dhe lufta në Ukrainë,në tetë masat anti krizë qeveria ndau afër një miliardë euro për qytetarët dhe biznesin. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shqiptarët mund ta shpëtojnë Ballkanin nga plakja!

    Lajmi i rradhës

    Lloga: T’i bëjmë burgjet në RMV me standarde europiane

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë