Shqiptarët mund ta shpëtojnë Ballkanin nga plakja!

    Trendet negative të shtimit natyror të popullsisë po thellojnë çdo vit hendekun mes lindjeve dhe vdekjeve në Ballkan, njëherazi duke reduktuar në maksimum numrin e përgjithshëm të banorëve. Drejt plakjes së popullsisë po ecin me shpejtësi vendet si Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia Serbia e Maqedonia, ndërsa trendi pozitiv i shtimit të popullsisë është më i fortë në Kosovë, e në Shqipëri, edhe pse në kufij. Po t’i referohesh të dhënave zyrtare të statistikave numri i lindjeve në Kosovë vazhdon të jetë i lartë, ndërsa raporti i lindjeve ndaj ishte (deri në fund të vitit të kaluar) rreth 3 me 1, që është trendi më pozitiv në rajon.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar u regjistruan mbi 31 mijë lindje, ndërsa rastet e vdekjeve gati tre herë më të vogla (mbi 11 mijë persona). Rrjedhimisht Kosova ka edhe popullsinë më të re në rajon – rreth 30.5 vjeç. E dyta është Shqipëria, ku lindjet kanë epërsi ndaj vdekjeve dhe mosha mesatare e popullsisë është rreth 36.5 vjeç.

    Sipas Institutit të Statistikave gjatë vitit të kaluar lindën mbi 23.5 mijë foshnja, ndërsa u regjistruan rreth 23 mijë raste vdekjesh. Maqedonia radhitet e treta me moshë mesatare mbi 40 vjeç dhe shtim natyror negativ të popullsisë që vazhdon të theksohet vitet e fundit. Në periudhën 2012-2022 pjesëmarrja e popullsisë së vjetër (65 e lart) u rrit nga 11.9% në 17.7%. Në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2022, numri i lindjeve është ulur për 5.495, dhe lindshmëria është ulur nga 11.4 ‰ në 9.9 ‰ (lindje për 1000 banorë), thuhet në publikimin më të fundit të Entit të Statistikave.

    Por nëse i referohesh të dhënave sipas komunave vendbanimet shqiptare janë ato që bëjnë diferencën me pjesën tjetër të popullsisë dhe zbusin raportin mes lindjeve dhe vdekjeve. Serbia ka pasur trend edhe më negativ gjatë vitit 2022. Statistikat zyrtare kanë regjistruar rreth 63 mijë lindje, si edhe mbi 109 mijë raste vdekjesh. Më keq janë Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia. Emigrimi, ulja e numrit të lindjeve…, janë disa nga faktorët që po e bëjnë të pakthyeshëm trendin negativ të rritjes natyrore të popullsisë.

    Sa i takon Ballkanit në total, vende si Bullgaria gjenden në top listë, popullsia e së cilës pritet të reduktohet deri në vitin 2050 me mbi 22 për qind, që do të thotë se gjatë tre dekadave të ardhshme vetëm 75% e numrit aktual të bullgarëve që jetojnë brenda territorit, do të jetojnë ende aty. Në shifra të ngjashme është edhe Kroacinë, të cilën viti 2050 do ta kapë me 18% të popullsisë më pak.

    Projeksionet e Kombeve të Bashkuara për popullsinë gjatë tre dekadave të ardhshme e rendisin Ballkanin tek zonat kritike ku numri i popullsisë pritet të pësojë rënie të ndjeshme. Në Ballkanin Perëndimor tkurrjen më të madhe pritet ta pësojë Serbia, ku popullsia do t’i zvogëlohet me 18.9%, e ndjekur nga Bosnjë dhe Hercegovina me një reduktim prej 18.2%. Edhe Shqipëria ndodhet brenda dhjetëshes së parë nga fundit, ku supozohet se në tre dekada, popullsia do të tkurret gjithsej me 15.8%. Maqedonia e Veriut, do të pësojë një reduktim prej 10.9%. /koha/

    Lajmi Paraprak

    IShT do të mbyllë objekte nëse nuk respektohen vendimet për çmimet e ulëta

    Lajmi i rradhës

    Ballkani ul çmimet e prodhimeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë