Banorët e Konjares thirren në bisedë informative, shkak protestat kundër gërryerjes në afërsi të lumit Pçinja

    Për shkak të protestave kundër gërryerjes së rërës në afërsi të lumit Pçinja, dhjetëra banorëve të Konjares u është dërguar ftesë për bisedë informative në stacionin policor të Petrovecit.

    Ata thonë se kjo nuk është hera e parë që policia u bën ftesa të tilla, duke e cilësuar këtë si presion për t’i detyruar banorët të heqin dorë nga protestat për mbrojtjen e tokës së tyre bujqësore, ujit dhe ajrit.

    Thonë se kjo gjë nuk do t’i frikësojë, do të vazhdojnë të ngrenë zërin derisa të gjendet një zgjidhje.

    “Ja shihni edhe thirrjet që na vijnë prej policisë, vetëm sepse jemi duke e mbrojt dheun tonë, tokën tonë, bujqësinë, ujin. Përndryshe 70 vetave na kanë ardhur thirrje edhe po shohin të na dënojnë. Ja ku është ftesa, vetëm sepse e mbrojmë vendin tonë. 70 vetë me shku në polici, marre për qytet dhe shtet, turp i madh është ky”, tha një banor.

    “Edhe përkrah gjithë këtyre thirrjeve që na janë bërë, thirrjeve të policisë, ne kemi me vazhdu, si me protestë si me gjithçka, deri sa të merret një vendim konkret për të gjithë bashkëfshatarët të Konjares së Mesme”, u shpreh një banor tjetër.

    Nga policia sqarojnë se banorët janë thirrur në bisedë informative, për t’i informuar se nuk kanë të drejtë të protestojnë në autostradë.

    Kujtojmë se banorët e Konjares tashmë një kohë të gjatë protestojnë, ndërsa javë më parë Inspektorati Shtetëror i Mjedisit jetësor mori vendim që të ndërpriten gërmimet për burime minerale në Konjare të Poshtme.

    Respektivisht se koncesioneri, në 60 ditët e ardhshme e ka të ndaluar që të gërmojë për rërë afër lumit Pçinja.

    Por kompania vazhdon punën në terren. Për shkak të shkeljeve të konstatuara nga ana e Inspektoratit, dy vite më parë qeveria ia ka ndërprerë koncesionin kompanisë.

    Por, pas vendimit të gjykatës që ta pranojë ankesën e koncesionerit, vendimi për prishje të njëanshme të marrëveshjes u anulua dhe gërmimi vazhdon përsëri. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Rreziku i stërmadh i “çështjes shqiptare”

    Lajmi i rradhës

    Bekteshi e Kovaçevski arsyetohen për “produktet luksoze”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë